Aktualitet 7 Janar 2023, 20:00

Fqinj me Edi Ramën, policia bastis vilën e Ervis Martinajt në Surrel; forcat speciale mbi 2 orë kontrolle

Shkruar nga Pamfleti
Fqinj me Edi Ramën, policia bastis vilën e Ervis Martinajt në

Policia dhe hetuesit e BKH kanë bastisur vilën e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt në Surrel. Pas kontrollit të pak ditëve më parë në banesën e tij në Fushë Kuqe, këtë pasdite forcat speciale kanë shkuar në Surrel, aty ku Martinaj ka një tjetër banesë.

Vila në fjalë ndodhet shumë pak metra larg banesës së kryeministrit Edi Rama dhe kur ky i fundit u zhvendos aty, Garda ka qenë e shqetësuar nga prania e Ervis Martinajt, i cili në atë kohë nuk ishte në kërkim. Sipas informacioneve, urdhri për të zhvilluar kontroll në banesën e Martinajt është dhënë nga Prokuroria e Posaçme.

SPAK urdhëroi kontrollin në kuadër të operacionit “Golden Bullet”, pas rrëfimit të Nuredin Dumanit se e kishte porositur për të eliminuar Endrit Doklen për 500 mijë euro, detyrë që nuk u krye asnjëherë për shkak se bashkëpunëtori i drejtësisë e kishte konsideruar të vështirë.

Sipas informacioneve, në banesë policia ka gjetur vetëm rojen dhe asnjë pjesëtar të familjes. Po ashtu nga 2 orë kontrolle janë sekuestruar vetëm dokumente dhe nuk ka pasur prani të sendeve të paligjshme.

Lidhur me kontrollin ka reaguar edhe gazetari Artan Hoxha, i cili shprehet se vila ruhet me roje dhe ka kamera sigurie me rezolucion shumë të lartë. Ndërkohë nuk ka ende një reagim nga policia apo SPAK për kontrollin në fjalë.

Prej me shume se dy orësh, një numër i madh i forcave speciale kane rrethuar vilen e Martinajt në periferi të kryeqytetit, ndërsa policia gjyqësore po kontrollon në mënyrë të imtësishme çdo ambient te saj. Vila e Martinajt, është e mbikëqyrur nga një sistem kamerash sigurie me rezolucion të lartë, ndërkohë që ka dhe një roje, i cili kujdeset për sigurinë e saj”, shkruan Hoxha.

Ervis Martinaj është personazhi më në qendër të vëmendjes. Që prej verës së vitit që kaloi, nuk dihet asgjë për të. Policia ka lëshuar një urdhër arresti, ndërkohë që familja e ka denoncuar atë si të zhdukur. Prokuroria e Kurbinit dhe SPAK po hetojnë në dy pista: atë të rrëmbimit dhe vrasjes nga grupet rivale, si dhe pistën që ai është gjallë dhe qëndron i fshehur. Pak ditë më parë një kontroll i ngjashëm u bë në shtëpinë e tij në Fushë Kuqe ku u gjet një arsenal i madh armësh, por nuk ka asnjë gjurmë të Martinajt.

Aktualitet