
Franca eviton turpin, Kroacia bën detyrën, Holanda mposht lehtësisht Poloninë, Belgjikës i mjafton një pjesë loje, De Biazi sheh dritë në fund të tunelit
Franca ka shmangur të paktën për momentin rënien në Ligën B falë fitores 2-0 ndaj Austrisë në Ligën e Kombeve. “Gjelat” ishin në vendin e fundit në grup, pas paraqitjeve shumë zhgënjyese që kishin dhuruar në këtë edicion edhe pse ishin fituesit në fuqi të turneut.
Megjithatë, golat e Mbape dhe Zhiru në pjesën e dytë siguruan që francezët të dilnin me 3 pikë nga fusha e lojës e të kapërcenin pikërisht austriakët në renditje, në një grup ku nuk kanë shanse për të shkuar në finalet e turneut, pasi vendi i parë është shumë larg. Ai mbahet nga Kroacia, e cila fitoi 2-1 ndaj Danimarkës duke ia rrëmbyer pikërisht skandinavëve këtë pozicion.
Ndërkohë, në Grupin 4 të Ligës B, Holanda dhe Belgjika kanë vazhduar duelin në distancë duke mundur përkatësisht Poloninë dhe Uellsin, teksa do të diskutojnë në duelin direkt të javës së ardhshme vendin e parë në këtë grup.
Kurse Turqisë i mjaftoi një barazim 3-3 me Luksemburgun për të siguruar vendin e parë në grup, që e ngjit në Ligën B në edicionin e ardhshëm dhe i garanton një vend në play-off të “EURO 2024”.
Në ndeshjet e tjera bie në sy fitorja në transfertë e Azerbajxhanit të Xhani De Biazit në fushën e Sllovakisë. Vendasit arritën të barazonin shifrat me shumë mundim me një penallti në minutën e 93, por skuadra azere ia doli të gjente golin në minutën e 5 shtesë, duke marrë një fitore të pamenduar e duke sjellë pak entuziazëm në radhët e kësaj përfaqësueseje ku puna e De Biazit është vënë në diskutim.