Kosova13 Maj 2022, 17:49

Franca paralajmëron bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE: Nuk mbështesim veprime të njëanshme

Shkruar nga Pamfleti
Franca paralajmëron bllokimin e anëtarësimit të Kosovës

Franca ka paralajmëruar bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.

Ambasadori francez në Serbi, Pierre Cochard u shpreh se kërkesa e Kosovës është vendim i njëanshëm, duke deklaruar se shteti i tij nuk i mbështet të tilla qëndrime.  Deklarata e tij erdhi në një intervistë për TV “Nova S”.

“Ne mbështesim përpjekjet e Miroslav Lajçakut, mbështesim ftesën e Gjermanisë për presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Kandidatura për në Këshillin e Evropës është një vendim i njëanshëm dhe ne nuk i mbështesim ato vendime dhe e konsiderojmë dialogun një prioritet. Temë prioritare është edhe çështja e personave të pagjetur. Këto janë prioritete për ne”, tha ambasadori.

Ai theksoi se qeveria e Prishtinës nuk ka mbështetjen e Francës për paraqitjen e kandidaturës së saj në Këshillin e Evropës, sepse lëvizjet e njëanshme mund të çojnë në ngritje të tensioneve. “Ne i kuptojmë aspiratat e Kosovës për t’u bashkuar në institucionet evropiane dhe mirëpresim faktin që ata janë rreshtuar me qëndrimet evropiane në lidhje me Ukrainën. Megjithatë, lëvizjet e njëanshme nuk i lehtësojnë gjërat dhe mund të çojnë në rritjen e tensioneve”, tha ai.

I pyetur nëse mund të ketë një veto për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës. Ai tha se do shumë kohë derisa të shkohet te votimi. “Prioriteti i Francës është të bëjë gjithçka, së bashku me partnerët tanë evropianë, veçanërisht me Gjermaninë, për të vazhduar dialogun mbi baza të forta dhe kjo është ajo që është urgjente, ndaj ne besojmë se lëvizjet e njëanshme nuk janë të dobishme dhe mund të mbytin një proces tashmë të ndërlikuar, i cili nuk ka përparuar shumë muajt e fundit”, tha Koshar.

Prishtine francë KiE Kosove