Bota30 Shtator 2022, 11:10

Francesco Meloni, babai i Giorgias i dënuar për trafik droge

Shkruar nga Pamfleti

Francesco Meloni, babai i Giorgias i dënuar për trafik droge

“Babai im ka bërë gjithçka për të mos qenë i dashur, i nderuar, një njeri i mirë”

Giorgia Meloni ka folur gjithmonë për babanë e saj, Francesco, si një person që nuk ka qenë kurrë i pranishëm në jetën e saj. Por pak dihet se kush është Francesco Meloni, ndërkohë që disa gazeta spanjolle kanë shkruar për të si i dënuar për trafik droge.

Para se të flitet për Francesco Melonin, duhet bërë një parantezë: Giorgia Meloni dhe babai i saj nuk kanë folur me njëri- tjetrin që nga viti 1988, ndërkohë që problemet e tij me ligjin datojnë që nga viti 1995.

Francesco Meloni, siç raportohet nga gazetat spanjolle, u dënua me 9 vjet burg për trafik droge midis viteve 1995 dhe 1996. Historia është risjellë këto ditë nga disa gazeta si ‘Diario De Mallorca’, ‘Prensa Iberica’ etj.

Francesco Meloni, pasi braktisi vajzën e tij Giorgia kur ishte vetëm një vjeç dhe vajzën tjetër Arianna, u largua në Spanjë, më saktë në Ishujt Kanarie.

Që nga vitet 80, Meloni kishte qenë i suksesshëm në botën e restoranteve. Babai i udhëheqëses së Fratelli D”Italia drejtoi një restorant në ishullin La Gomera deri në vitin 1995 dhe aktivitete të tjera në ishullin Santa Cruz në Tenerife.

Mirëpo, midis shtatorit 1995 dhe 1996, Francesco Meloni kaloi nga biznesi i restoranteve, në veprimtari kriminale. Meloni u bë trafikant droge, përkatësisht transportonte hashash nga Maroku në Ishujt Balneare.

Në një nga udhëtimet e tij, babai i fitueses së zgjedhjeve të fundit italiane, u ndalua në një varkë nga doganierët e ishullit Minorca. Pas një kontrolli, agjentët arrestuan Francesco Melonin për posedimin e 1 ton e gjysmë hashash (sigurisht jo për përdorim personal). Bashkë me të janë arrestuar edhe dhëndri i tij dhe dy fëmijët, si dhe një grua tjetër.

Në vitin 1996 Meloni u shpall fajtor dhe u dënua me 9 vjet burg. I akuzuari pranoi se i kishte hyrë trafikut të drogës nga halli, pas falimentit të restorantit të tij.

Francesco Meloni, megjithatë, në gjyq, bëri një ‘mea culpa’ dhe u përpoq të shfajësonte bashkëpunëtorët e tij, duke thënë se ata nuk dinin asgjë për trafikun e drogës, pasi ai i kishte thënë atyre se do iknin për pushime në  Marok.

Nuk dihet nëse Giorgia Meloni ka dijeni për këtë histori. Ndoshta po, ndoshta jo! Një gjë është e sigurt, kryetarja e ‘Vëllezërve të Italisë’ nuk ka pasur marrëdhënie me të atin për shumë vite përpara se të ndodhte ky krim i rëndë. Giorgia Meloni ka deklaruar në të kaluarën se kishte mbyllur plotësisht marrëdhëniet me të atin që kur ishte vetëm 11 vjeç. Në një intervistë për ‘Belve’, Meloni tha:

“Nëse një vajzë 11-vjeçare vendos që babain e saj nuk dëshiron ta shohë më, me sa duket ky burrë ka bërë diçka. Babai im ka bërë gjithçka për të mos qenë i dashur, i nderuar, një njeri i mirë”…/Pamfleti


smile

Bota #Francesco Melloni #marredhenie te keqija babai