Editorial26 Shtator 2022, 12:18

“Fratelli di Putin”: Çfarë fsheh fitorja e Giorgia Melonit në Itali

Shkruar nga Pamfleti

“Fratelli di Putin”: Çfarë fsheh fitorja e Giorgia Melonit në Itali

Italia ka sjellë në pushtet një qeveri të së djathtës, ku qendra është periferike dhe kryeministre do të zgjidhet Giorgia Meloni, kreu i “Fratelli d’Italia”, një e djathtë që alterego politike ka Benitto Musolinin…

Sistemi elektoral i ndryshuar në Itali, i jep fituesit relativ, premion e mazhorancës, e sipas të gjitha gjasave, e djathta i ka numrat e plotë për të qeverisur. Pas kësaj fitoreje, disa nga qarqet influente botërore janë shqetësuar për këtë zhvillim të fortë që ka ndodhur në Romë, edhe pse nuk ka qenë i papritur.

Nuk ka qenë ngjarje e papritur, pasi Giorgia Meloni, ka më shumë se 5 vite që jo vetëm po përgatitet të bëhet kryeministre e Italisë, por është mbështetur, financuar dhe fuqizuar nga ajka e industrialistëve dhe borgjezisë italiane.

Një vit më parë, Giorgia Meloni, edhe pse është një përfaqësuese e kulturës së trashëgimisë që vjen nga rrënjët musoliniane, e qendrën e ka në Romë e Lazio, konventën kombëtare e bëri në Milano, qendrën e financës dhe kapitalizmit italian.

Kush e njeh historinë e Italisë, e di që gjithmonë borgjezia italiane nuk ka qenë në një krah me atë europiane, e dominuar nga aksi gjermono- francez.

Edhe Duçen, e përkrahu borgjezia e lartë. E Musolini, ngritjen e nisi nga Milano, ku ishte drejtor i gazetës Avanti, të cilën e financuan oligarkët e Lombardisë. Musolini, atëherë eksponent i fortë i Partisë Socialiste Italiane, përçau partinë pasi përkrahu hyrjen e Italisë në Luftën e Parë Botërore, ngaqë u financua nga bosët e Beretta-s apo Augusta-s, dy gjigandët e armatimit në Itali dhe në botë.

Pesë vjet më parë, borgjezia e Milanos përkrahu Gianroberto Casaleggio, trurin e Lëvizjes “Cinque Stelle” të Beppe Grillos, parti e cila fitoi zgjedhjet, e që më pas e humbi fuqinë.

Po pse u përkrah sot Giorgia Meloni, çfarë ndryshimi do të sjellë ajo në politikën italiane dhe çfarë duan realisht të pasurit e Italisë, që rrëzuan Mario Draghin disa muaj më parë?

Në thelb, e gjitha kjo ka lidhje me Rusinë dhe me Vladimir Putinin. Italia mbetet vendi më i ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe lidhja me Moskën.

E varur shumë nga nafta dhe gazi rus, Italia është vendi i parë në Europë që ka ndërtuar linjat që vijnë direkt nga Rusia që nga Lufta e ftohtë. Ndërkaq, Italia është një nga vendet që ka pasur një volum tregtar si me Rusinë, ashtu edhe me Iranin, dy vendet në sanksione nga Perëndimi. Aktualisht borgjezia italiane është në luftë me Brukselin dhe kërkon që të hapet një rrugë për marrëdhëniet tregtare me Moskën. E cila ka financuar me shumë vlera monetare dhe prej kohësh politikën italiane.

Meloni, një anëtare e partisë neofashiste Movimento Sociale, e më pas Fratelli D’Italia ka qenë ministre e Silvio Berlusconit në vitin 2011. Në koalicionin e së djathtës, Matteo Salvini është financuar nga Kremlini dhe ka marrëveshje zyrtare me partinë e carit rus.

Kurse Berlusconi, një mik i ngushtë i Vladimir Putinit, deklaroi pak ditë më parë, se Putin donte të largonte Zelenskin dhe ta zëvendësonte atë me “njerëz të mirë”.

Pra, sipas gjasave, kemi të bëjmë me një politikë që Moskës i shkon për shtat. Dragi ishte jo vetëm një kundërshtar i fortë i Moskës, por edhe furnizues i madh me armë i Ukrainës së Zelenskit. A do ta vijojë Meloni këtë politikë? Të paktën për armët do të kemi një frenim, pikërisht në pikën më të rëndësishme të luftës në Ukrainë. Nuk është rastësi që në Moskë janë gëzuar me fitoren e Giorgia Melonit. Moska është brenda lojës, siç ka qenë edhe 5 vjet më parë, kur financoi Gasaleggion, djalin e një përkthyesi të rusistesh që “rastësisht” u bë një inxhinier në Olivetti e më pas një biznesmen i suksesshëm.

Po çfarë është politikisht Meloni e cila drejton partinë “Fratelli d’Italia”?

Ajo është një kundërshtare e Brukselit, e kupolës së BE, por e quan veten atlantiste, pra një e bindur me NATO-n. Po si mund të bashkëjetojë një atlantiste me dy delfinë të Putinit? Aleatët më të afërt të Melonit në Europë janë Viktor Orban dhe Mari Le Pen, dy politikanë që kanë marrëdhënie të afërta në Kremlin.

Nëse nuk do të ekzistonte tangentja ruse, ardhja e Melonit s’do të kishte shumë problem, edhe pse ajo është një nostalgjike e Duce-s.

E madhja Sofia Loren, është mbesë direkte e Benitto Musolinit, e kjo nuk ka pasur asnjë problem që ajo të jetë fytyra e Italisë postfashiste.

Në logjikën politike, Meloni dhe e djathta e saj nuk se është regresive, pasi ajo mbron thelbin e konservatorizmit: religjonin dhe familjen. Meloni është mjaft afër të djathtës polake që është në pushtet, e cila në vlera është njësoj, pasi është kundër abortit, mbron familjen, nuk pranon që protagonistë të jetës sociale të jetë klani dhe vlerat e LGBT etj.

Por e djathta polake është më e egra kundër Vladimir Putinit e ajo është aleatja më e ngushtë e Zelenskit dhe Ukrainës.

Ndërkohë Meloni, ka vëllezërit e saj në koalicion që janë ose miq ose peng të Vladimir Putinit…/Pamfleti

Editorial #“Fratelli di Putin” #Çfarë fsheh fitorja e Giorgia Melonit në Itali

Editorial