Aktualitet27 Mars 2019, 22:05

Frika nga burgu, Llalla kërkon me urgjencë të “lajë” duart me drejtësinë para ngritjes së SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Frika nga burgu, Llalla kërkon me urgjencë të

Frika nga burgu, Llalla kërkon me urgjencë të "lajë" duart me drejtësinë para ngritjes së SPAK

Ish-kryeprokurori, që është gjithë kohës në “xhiro” të plotë nëpër Tiranë, nuk është thirrur asnjëherë nga Arta Marku e Donika Prela për t’i marrë dëshminë zyrtare, pasi dosja është e kopsitur nga organet ligjzbatuese amerikane. Irritimi i Llallës për shtyrjen e hetimit dhe odiseja e maskarallëqeve të tij, që nga abuzimi me detyrën, shpallja “non grata” nga SHBA, sekuestrimi i pasurisë për pastrim parash dhe lobimi në Amerikë për të hequr “njollën” 

Adriatik Llalla ka kundërshtuar shtyrjen dhe me tre muaj të hetimeve nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Ndonëse ish kreun e Prokurorisë shqiptare, Arta Marku dhe Donika Prela e kanë pasur gjatë gjithë kohës në “xhiro” të plotë nëpër Tiranë, deri më tani as që kanë marrë mundimin që ta thërrasin për ta pyetur për akuzat që mban në kurriz.

Thjesht dhe vetëm një “stërmundim” duhet të bëjë organi shqiptar i akuzës, pasi dosja është e plotë dhe e kopsitur nga organet ligjzbatuese amerikane: T’i marrë dëshminë që ta ketë zyrtarisht në dosje, për të plotësuar një kriter, për mbylljen e një dosje hetimi zyrtarisht.

Dhe teksa Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur të zgjasë me tre muaj të tjerë hetimet ndaj tij, Adriatik Llalla është irrituar në maksimum.

Mësohet nga burime brenda organit të akuzës se Adriatik Llalla ka kryer ankimim në gjykatë kundër zgjatjes së hetimeve.

Gjithë skenari i ish kryeprokurorit është në funksion të zhvillimit të gjyqit me këtë drejtësi në largim para ngritjes së SPAK dhe Byrosë Kombëtare të hetimit, me qëllim që të shpëtojë nga burgu.

Frika nga SPAK e ka detyruar Llallën që të kërkojë me çdo mjet të mundshëm, qoftë dhe përmes pakteve politike me Metën e Ramën, që të “lajë” duart me drejtësinë përpara ngritjes së këtij institucioni, që do të fusë në burg “peshqit e mëdhenj”.

Sikurse ka shkruajtur herë pas herë “Pamfleti”, hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzën e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.

Në mars të 2018, ai u vu zyrtarisht nën hetim për veprat: “shpërdorim detyre”, “deklarim të rremë të pasurisë”dhe “pastrim të produkteve të veprës penale” .

Në korrik të 2018, pasuria e tij marramendëse, që arrinte shumën 98.772.000 lekë (918,000$ ose 783,000 euro) u vendos nën sekuestro preventive. Edhe pse ka kaluar një vit, nuk është marrë asnjë vendim për krimet e kryera prej ish kryeprokurorit, madje hetimet për të u shtynë edhe për tre muaj të tjerë.

Familja e kryeprokurorit u fut në listën e zezë të SHBA, për përfshirjen në raste të mëdha korrupsioni, gjatë kohës që ka qenë në këtë detyrë.

Ambasada amerikane, DASH dhe vetë sekretari të amerikan i shtetit Rex Tillerson, e kanë akuzuar se ka mbrojtur politikanët e korruptuar, dhe për më tepër ka ushtruar vetë korrupsionin e të gjitha llojeve, duke e shpallur kështu “non grata” Llallën dhe familjen e tij.

Ish kryeprokurori bëri një luftë të ashpër me ish ambasadorin amerikan, Donald Lu, ku pati akuza dhe kundërakuza mes tyre. Llalla e akuzoi ish ambasadorin se bënte presion për bizneset amerikane në Shqipëri, ndërsa Lu nga ana e tij nuk kurseu aspak akuzat, sidomos për mos arrestimin e “Eskobarit të Ballkanit”, ish drejtorit të Metës si dhe mbrojtjen e politikanëve të korruptuar. Duke nënkuptuar këtu Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Së fundmi, Llalla ka punësuar dy lobistë nga Nju Jorku për të kundërshtuar vendimin e Departamentit të Shtetit që e shpalli “persona non-grata” në SHBA. Pas gati 1 viti e gjysmë pa punë dhe me asetet e tij të ngrira nga Prokuroria, mbetet e paqartë se me çfarë mjetesh financiare e ka siguruar ai shërbimin e studios ligjore amerikane ‘Sher Tremonte LLP’./Pamfleti

Aktualitet Adriatik Llalla drejtesia shqiptare Hetimet