
Analisti i njohur, Frrok Çupi ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka treguar detaje rreth aleancës Meta-Berisha, për të cilën thotë se është një koalicion i sforcuar, për shkak se si ish-kryeministri, ashtu edhe ish-presidenti në çdo moment janë gati të shesin njëri-tjetrin.
Teksa ishte dje i ftuar në një studio televizive, zoti Çupi theksoi se kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është gati të bashkëpunojnë në SPAK kundër Berishës, me qëllim që ta fundosë atë. “E gjithë përpjekja e tyre është që të mbrojnë familjet e tyre dhe të mbrojnë vetë. Njëri nga ata ka zgjedhur që ta mbrojë duke sulmuar SHBA, tjetri ka zgjedhur teknikën e ndarjes familjare, që domethënë Monika është balliste dhe ky është partizani. Por publiku nuk të voton ty për arsye se ti mbron familjen, por të zgjedh nëse ti ke zgjedhur alternativa për publikun dhe alternativa për zhvillim. Sa i përket aleancës së tyre shoh që është një aleancë tek e cila njëri ka frikë tjetrin. Mesa po shikoj Ilir Meta po tenton që të bëjë të penduarin përpara drejtësisë me qëllimin e vetëm që të fundos Berishën”, deklaroi ai.
Bashkëpunimi i Metës me amerikanët
Më tej dhe teksa i cilëson se janë anëtarë të një bande kriminale, analisti Frrok Çupi shprehet se ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha mbajnë peng njëri-tjetrin përmes dosjeve, ndërsa shtoi se do ishte zotësi nëse kreu i Partisë së Lirisë do bashkëpunonte me amerikanët për të fundosur kreun e “Foltores”. “Mos harrojmë se ka patur gjithnjë ndasi. Është njësoj si në grupimet keqbërëse të shoqërisë. I vetmi që i ka vënë prangat Berishës ka qenë Ilir Meta. Ata janë grindur ose afruar sipas aferave. Do të thotë ata i dinë shumë gjëra njëri-tjetrit. Meqë jemi te agjentët amerikanë, nëse Ilir Meta do të bëjë Kim Filbin në këtë rast me Berishën është zotësi e tij. Por unë e shoh si luftë interesash, Meta tenton të joshë Berishën që t’i marrë elektoratin, sepse Meta nuk ka elektorat, ka vetëm një PL”, u shpreh ai.
Hetimet për “Gërdecin”
Ndërkohë analisti dhe gazetari, Frrok Çupi është shprehur se në vend ka rënë miti se ish-kryeministri Sali Berisha është i pagjykuar. Çupi e bazon këtë deklaratë tek thirrja që SPAK bëri për djalin e tij Shkëlzen Berishën sa i takon çështjes “Gërdeci”. “Opozita ndodhet para një prove, janë ditët e fundit të saj, sepse në opozitë ndodhen fajtorët e mëdhenj, për të cilët është ngritur edhe Struktura e Posaçme. Ra miti që Berisha dhe të tijët janë të pagjykueshëm dhe janë të pathirrshëm, sepse ishte krijuar ideja në vend se çdo gjë që bënte Berisha dhe të tijët, deri edhe tek vrasjet para kryeministrisë do të ishin të pagjykueshme dhe ky mit ra që kur u thirr i biri në SPAK për Gërdecin. Berisha edhe Meta e kanë mbaruar vajin e kandilit sepse nuk kanë asnjë kapacitet as për të prishur demokracinë dhe as për të shkatërruar marrëdhëniet me Amerikën”, tha ai.
Protesta e thirrur nga “Foltorja” dhe PL
Nga ana tjetër, analisti Çupi u shpreh pesimist se Sali Berisha dhe Ilir Meta do të kenë sukses për të mbushur sheshet me qytetarë duke protestuar kundër keqqeverisjes. “Këto parti janë duke kërkuar të pamundurën. Përmes protestave po kërkojnë që të bëjnë atë që thonë se do të rrëzojnë këtë qeveri, gjë cila është e pamundur në një sistem demokratik dhe në një sistem shumice. Opozita po kërkon që të shtrij hapësirat e veta, sikur nuk mjaftojnë hapësirat e Shqipërisë, por i shtrin hapësirat deri në SHBA, ku kërkon patjetër një fitore atje mbi gjithçka ka ndodhur. Po kërkon që të shkohet në zgjedhje dhe ti fitoj, në një kohë kur opozita është krejtësisht e paorganizuar. Ajo që është tjetër e pamundur që këta të dalin fitimtar”, nënvizoi Çupi. /Gazeta “Sot”