Aktualitet23 Janar 2023, 20:35

“Fundoset” Olta Xhaçka/ Kushtetuesja kthen në Kuvend çështjen e mandatit, detyron mazhorancën të votojë raportin e PD

Shkruar nga Pamfleti

Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në Kuvend çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës.

Ministrja e Jashtme u akuzua nga opozita se është në konflikt interesi sepse burri saj ka dalë investitor strategjik. PS e mbrojti në Kuvend dhe çështja shkoi në gjykatë, ku pati një seanca maratonë javën që lamë pas.

Sot gjykata ka dalë me vendimin paraprak, ku bën me dije se ka pranuar kërkesën e grupit të Alibejt që çështja të ridiskutohet në Kuvend. Kushtetuesja e ka konsideruar të papajtueshëm me Kushtetutën vendimin e Kuvendit, i cili nuk miratoi kërkesën e deputetëve të PD-së për mandatin e Olta Xhaçkës.

Kuvendi votoi me 74 vota pro, raportin e mazhorancës të Këshillit të Rregullores, që bllokonte dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të shqyrtimit të mandatit të Olta Xhaçkës, ndërsa raporti i PD që kërkonte kalimin në Kushtetuese nuk u votua. Kushtetuesja me këtë vendim sot detyron Kuvendin të votojë raportin e  PD dhe më pas të jetë kryetarja e Kuvendit që ta dërgojë çështjen në Kushtetuese. Më pas kjo e fundit do të shqyrtojë nëse kemi apo jo konflikt interesi.  Por sinjalet janë se Xhaçka mund të prekë fundin, pasi Kushtetuesja mund të fusë në lojë precedentët me Koço Kokëdhimën dhe me Ilir Beqajn.

Pra duhet që tani Këshilli i Mandateve të rimblidhet, të dërgojë në Kuvend për votim raportin që pranon dërgimin e rastit në Kushtetuese dhe t’i lihet kësaj të fundit të vendosë.

Kërkesa tjetër e grupit të deputetëve të përfaqësuar nga Agron Shehaj është pushuar për shkak se nuk është plotësuar kuorumi.

Njoftimi i Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 18.01.2023, në orën 13:45, mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 10 (NJ) 2022 Regjistri Themeltar, me kërkues 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “1. Shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022, datë 17.11.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 2. Konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka””.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

-Për kërkimin e parë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me shfuqizimin e vendimeve nr. 83/2022, datë 17.11.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e raportit të pakicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka” dhe nr. 84, datë 17.11.2022 “Për miratimin e raportit të shumicës parlamentare në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, gjykimi duhet të pushohet, pasi me vendimin e mëparshëm të saj, nr. 1, datë 23.01.2023, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e këtyre vendimeve.

-Për kërkimin e dytë, sipas objektit të kërkesës, që lidhet me konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, gjykimi i çështjes duhet të pushohet, pasi për këtë kërkim do të duhet të shprehet më parë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës, si dhe në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI

Pushimin e gjykimit të çështjes.

Kryesore Kushtetuesja xhacka