Bota22 Janar 2023, 22:52

Furnizimi me armë i Ukrainës, Gjermania jep sinjalin e parë për zgjidhjen e ngërçit: Aleatët mund të dërgojnë tanke në Kiev

Shkruar nga Pamfleti
Furnizimi me armë i Ukrainës, Gjermania jep sinjalin e parë

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka deklaruar se Gjermania nuk do të pengonte Poloninë të dërgonte tanke Leopard në Ukrainë, duke dhënë kështu një sinjale të qartë se aleatët evropianë mund të dorëzojnë pajisjen e prodhimit gjerman në Ukrainë.

E pyetur në një intervistë me televizionin francez LCI se çfarë do të ndodhte nëse Polonia do të dërgonte tanket e saj Leopard 2 pa miratimin gjerman, Baerbock tha se Gjermania nuk e kishte marrë një pyetje të tillë nga aleatët dhe nëse do e merrte nuk do t’i pengonte.

 “Për momentin pyetja nuk na është bërë, por nëse do të na bënin ne nuk do t’i zinim rrugë,” u shpreh ajo.

Një presion i madh diplomatik është ngritur mbi Berlinin për të dërguar tanket e tij, ose të paktën për të lejuar vendet që i blenë ato nga gjermania t’i dërgonin ato, pasi gjermania si prodhues i tankeve Leopard, ka të drejtën e vetos për transferimin e tyre.

Por në një samit të posaçëm ndërkombëtar të premten në bazën ushtarake amerikane në Ramstein, në Gjermaninë jugperëndimore, Berlini me kokëfortësi kishte refuzuar të merrte një vendim nëse do t’i jepte tanke Leopard 2 Ukrainës, duke çuar në zhgënjim në rritje nga Kievi dhe aleatët e tij.

Të dielën, kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, kritikoi dështimin e Gjermanisë për të furnizuar pajisjen në Ukrainë .

Qëndrimi i Gjermanisë është i papranueshëm. Ka kaluar gati një vit që nga fillimi i luftës. Njerëz të pafajshëm po vdesin çdo ditë. Bombat ruse po bëjnë kërdi në qytetet e Ukrainës. Objektivat civile po sulmohen, gra dhe fëmijë po vriten”, tha Morawiecki duke shtuar se ishte duke pritur për “një deklaratë të qartë” nga Berlini.

Në një intervistë të transmetuar pas asaj të Baerbock, ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se ai priste së shpejti një vendim për dërgimin e tankeve në Ukrainë.

Duke folur në një intervistë në televizionin gjerman ARD të dielën, Pistorius tha se Gjermania nuk do të merrte një vendim të nxituar sepse qeveria kishte shumë faktorë për të marrë në konsideratë, duke përfshirë pasojat në vend për sigurinë e popullsisë gjermane.

Gjatë një vizite në Francë për të shënuar 60 vjetorin e bashkëpunimit franko-gjerman të pasluftës, kancelari, Olaf Scholz, tha se Gjermania po mbështeste Ukrainën dhe do ta bënte këtë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Bota #Tankeve Gjermani Kriza