Pasi ishte humbur nga vëmendja politike dhe mediatike, Partia Republikane është ‘rizgjuar’ javët e fundit, duke u ‘gjendur’ pranë qytetarëve, me premtime dhe prezantime planesh për të ardhmen…
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka zhvilluar sot një takim me të rinjtë të cilët duan të angazhohen dhe të bëhen pjesë e politikës.
Në fjalën e tij Mediu deklaroi se kur Rama erdhi në pushtet, Shqipëria ishte vend anëtar i NATO-s falë lidershipit të Berishës dhe angazhimit të të gjithë qeverisë për të luftuar krimin dhe falë reformave ekonomike dhe institucionale.
Mediu akuzoi kryeministrin Rama se ky i fundit mohoi dhe shkatërroi çdo gjë, duke bërë që Europa të jetë një ëndërr e largët.
Ndërsa ka premtuar, se nëse demokratët fitojnë në zgjedhjet e 25 prillit, brenda mandatit të parë synojnë që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së.
“Por, nuk është e mjaftueshme vetëm të tregojmë sa keq jemi! Duhet të rindërtojmë besimin, duke garantuar pjesëmarrjen reale të vlerave politike dhe njerëzore të historisë të së djathtës dhe sidomos rinisë, e cila duhet të ndërtojë shtetin europian me një platformë të qartë dhe me pjesëmarrje në parlament e qeveri.
Brenda mandatit të parë të qeverisë ne duhet të bëjmë Shqipërinë vend anëtar të BE-së dhe mbi të gjitha në vend të urrejtjes, përbuzjes e përçarjes, të ndërtojmë dashurinë, respektin dhe besimin e shqiptarëve drejt qëllimeve të mëdha që kemi nisur.
Nuk kemi asnjë rrugë tjetër veçse të përballemi me të keqen, krimin, korrupsionin, largimin masiv nga Shqipëria, papunësinë dhe varfërinë në çdo skaj të Shqipërisë, në çdo qendër votimi. “Shpresa është te rinia! Pa shpresë një komb pushon së egzistuari!”, u shpreh Mediu.