Aktualitet 3 Maj 2018, 06:30

Fushë-Krujë/ Rojet e sigurisë iu prishën planin e arratisjes nga burgu, si u prenë hekurat dhe u mbuluan me baltë

Shkruar nga Pamfleti
Fushë-Krujë/ Rojet e sigurisë iu prishën planin e arratisjes

Fushë-Krujë/ Rojet e sigurisë iu prishën planin e arratisjes nga burgu, si u prenë hekurat dhe u mbuluan me baltë

Një arratisje e mundshme është shmangur të kryhet nga burgu i Fushë-Krujës, pasi gjatë një kontrolli rutinë, specialistët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, kanë arritur të konstatojnë se hekurat e një dritareje ishin gjysmë të prera. Një gjë e tillë është vënë re në njërën prej qelive të këtij burgu, ku gjatë ditëve të muajit prill dhe Maj 2018, kanë qëndruar të izoluar pesë të dënuar të sëmurë.

Por prokuroria e Krujës që ka marrë në dorë hetimin në bashkëpunimin edhe me Shërbimin e Kontrollit të Burgjeve, janë duke punuar për të parë se kush i dënuar ka qëndruar në këtë qeli dy muaj apo tre muaj më parë, kohë kur mendohet se janë prerë hekurat e dritares me sharrë hekuri. “Shqiptarja.com” mëson se ka qënë një kontroll rutinë nga vetë shërbimi i sigurisë I këtij burgu, i cili çdo të mërkurë dhe të shtunë kryen kontrolle të planifikuara, rreth masave për sigurinë e brendshme dhe të jashtë të këtij burgu.

Në momentin kur kanë hyrë në ambientet e brendshme të një prej qelive, kanë provuar hekurat e dritares nëse ishin lëvizur ose jo. Por nga ky verifikim kanë mësuar se në njërën anë, hekurat ishin gjysëm të prerë, dhe se pjesa e krijuar nga sharra e hekurt, ishte mbuluar me baltë, (dhe), me qëllim që të mos krijohej asnjë dyshim.

Pas shkundjes së kangjellave të dritares, dheu është rrëzuar dhe më pas, u vu re se hekurat ishin prerë. Për këtë konstatim janë marrë në pyetje dy të dënuar të sëmurë që qëndronin në këtë qeli, por ata kanë pohuar se nuk kanë pasur dijeni për prerjen e kangjëllave të dritares. Në vend kanë shkuar grupe inspektimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve si dhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, ndërsa është njoftuar edhe Komisariati i Policisë së Fushë Krujës.

Nga të dhënat paraprake, rezulton se dhoma ishte e sigurisë së ulët dhe shpesh herë ishte përdorur për akomodimin e personave të paraburgosur. Pesë personat që ndodheshin aktualisht në këtë dhomë, ishin aty prej jo më shumë se 15 ditësh. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka njoftuar dhe prokurorinë e Krujës, e cila ka urdhëruar që të kryhet një ekspertim teknik për të përcaktuar kohën e prerjes së hekurave në dritare.

Ndërkohë është urdhëruar që Drejtoria e këtij burgu të paraqesë listën e të dënuarve që janë akomoduar pranë kësaj qelie në 6 muajt e fundit. Sipas burimeve praktikisht është e pamundur të zbulohen autorët e kësaj tentative për tu arratisur, kjo pasi shumë të dënuar jo vetëm që transferohen nga njëra qeli në tjetrën, por shpesh ndodh që të dënuarit të transferohen nga njëri burg në tjetrin. Nga ana tjetër specialistët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, kanë kontrolluar me imtësi të gjithë ambientet e brendshme dhe të jashtme të këtij burgu, me shpresën se do gjenin sharën metalike, me të cilën janë prerë hekurat e dritares./Shqiptarja.com

Aktualitet arratisje burgu i Fushë-krujës