Politike19 Janar 2019, 10:07

Gati izolimi i Ilir Metës, ndërkombëtarët dhe PS nisin lëvizjet për të rrethuar presidentin

Shkruar nga Pamfleti
Gati izolimi i Ilir Metës, ndërkombëtarët dhe PS nisin

Gati izolimi i Ilir Metës, ndërkombëtarët dhe PS nisin lëvizjet për të rrethuar presidentin

Mazhoranca qeverisëse pritet që shumë shpejt të eliminojë çdo pengesë që ka shfaqur presidenti Ilir Meta për emërimin e ministrave të rinj. Përveç ankimimit që do bëhet në Gjykatën Kushtetuese, pritet që në Parlament të depozitohet dhe ligji organik për presidentin. Sot nuk ka një ligj organik dhe kjo ka sjellë përplasjet Qeveri-Presidencë, pasi ligji duhet të detajojë përcaktimet kushtetuese. Në kuadër të reformës në drejtësi, në vitin 2017 u depozitua në Kuvend dhe një ligj për presidentin.

Por ai nuk është se kishte shumë dallim nga Kushtetuta dhe u tërhoq për t’u ripërpunuar, me qëllim detajimin e kompetencave të kreut të shtetit. Por gazeta ka mësuar se ky ligj shumë shpejt do të shkojë në Parlament për rivotim. Dje kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, mbajti një konferencë shtypi, ku dhe u pyet nga gazetarët për këtë ligj. Ai deklaroi se ligji është duke u punuar dhe në momentin që do të ridepozitohet, ai menjëherë do të nisë të shqyrtohet në komisione dhe më pas në seancë plenare. “Ky ligj nuk ka ardhur akoma në Kuvend. Në momentin që do të vijë ne do ta fusim në procedurat parlamentare menjëherë”, tha ai.

Pas fjalës së Ruçit, gazeta pyeti pranë Komisionit të Ligjeve për ligjin në fjalë se çfarë është duke ndodhur me të. Përfaqësues të këtij komisioni thanë se ligji është pjesë e paketës së 27 ligjeve të reformës në drejtësi. Por ai dhe 3 ligje të tjera u tërhoqën nga mazhoranca për tu ripërpunuar. Bëhet fjalë dhe për ligjin mbi të drejtat e të burgosurve, ligjin për Avokaturën e Shtetit dhe për profesionin e juristit. Ligji për Avokaturën dhe të drejta e burgosurve u ridepozituan, ndërsa dy të tjerët ende, pasi janë në proces punimi dhe do të depozitohen së shpejti.

‘Sot’ mësoi se ligji i presidenti po përpunohet nga ekspertë të EURLAIUS dhe OPDAT. Varianti i parë i ligjit në një pjesë të madhe rendiste kompetencat që jep Kushtetuta, por pa dhënë zgjidhje për çështje të caktuara. Por me variantin e ri, aty do shterohet çdo interpretim që mund të lërë Kushtetuta. Por më kryesori është se aty rrudhen kompetencat e presidentit. Në ligj do paraqitet një listë e qartë me të gjitha kompetencat e kreut të shtetit, i cili sigurisht nuk do ketë më asnjë të drejtë të bëjë emërime apo shkarkime në drejtësi.

Synimet e ligjit

Në relacionin e ligjit që po shqyrtohet nga ndërkombëtarët dhe deputetët e mazhorancës, theksohet se nevoja për një ligj për presidentin lind si për shkak të reformës në drejtësi, por dhe për tu dhënë fund përplasjeve mbi kompetencat. “Projektligji reflekton edhe marrëdhëniet e presidentit me pushtetin ekzekutiv, si në rastin e emërimit apo lirimit të përfaqësuesve diplomatikë jashtë vendit, apo në dhënien e gradave më të larta ushtarake, si dhe në emërimin e disa funksionarëve të tjerë publike, kompetencë e ndarë mes presidentit dhe Kuvendit.

Qëllimi i projektligjit është të përcaktojë rregulla lidhur me pozicionin, kriteret e përzgjedhjes, pamundësinë në kryerjen e funksionit, shkaqet dhe procedurën e shkarkimit të Presidentit të Republikës, ushtrimin e kompetencave kushtetuese, statusin e tij/e saj dhe të anëtarëve të familjes së tij/saj, gjatë dhe pas mbarimit të mandatit, si dhe organizimin e brendshëm të institucionit të Presidentit të Republikës”, thuhet në relacion. Sinjalet janë që brenda këtij sesioni parlamentar ligji do shkojë në Parlament dhe përmes tij Ilir Meta pritet të futet në shina, pasi do eliminohen të gjitha aludimet mbi nenet në Kushtetutë.

Politike Edi Rama Ilir Meta PS SHBA-BE