Aktualitet10 Janar 2023, 13:24

Gati prangat për tragjedinë e Gërdecit, SPAK merr zyrtarisht të pandehur Fatmir Mediun; sot i komunikohet akuza

Shkruar nga Pamfleti
Gati prangat për tragjedinë e Gërdecit, SPAK merr zyrtarisht

Prokuroria e Posaçme ka marrë zyrtarisht të pandehur Fatmir Mediun për tragjedinë e Gërdecit.

SPAK në përfundim të hetimeve disa mujore ka arritur në përfundim se Fatmir Mediu ka shkelur ligjin kur ishte ministër i Mbrojtjes duke shpërdoruar detyrën, veprime të cilat sollën tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe shumë të tjerë i plagosën.

Sot ai u paraqit në SPAK ku i njoh me dy akuza. Ai akuzohet për “shpërdorim detyre” në dy raste, e parashikuara nga neni 248 i Kodit Penal dhe 70/2 i Kodit Penal Ushtarak. Mediu qëndroi 1 orë në SPAK dhe para gazetarëve mohoi akuzat.

Më është prezantuar i njëjti fashikull si në vitin 2009. Një akuzë që ishte e motivuar politikisht pa asnjë dokument e provë shtesë.  Motivimi politik është në akuzë. Nëse ministri nuk zbatona aktet dhe urdhrat dhe nuk komunikon me autoritete ushtarake nuk është ministër.

Mu paraqit fashikulli i prokurorëve të firmosur nga Prokuroria e Përgjithshme, asnjë dokument shtesë. Këtë akuzë nuk e pranoj. Jam i pafajshëm. Çështja e demontimit është çështje e siguresë kombëtare”, tha ai.

Gazetarët e pyetën dhe mbi implikimin në ngjarje të Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Pak ditë më parë u mor në pyetje Aldo Bumçi, i cili i ka dërguar Mediut një faks me mbishkrimin “Shkëlzen Berisha”. Por Mediu e mohoi duke mbrojtur djalin e ish-kryeministrit.

Nuk kam asnjë dijeni për atë shkresë. Nuk e di kush e ka firmosur atë shkresë. Unë nuk kam diskutuar me asnjë person për këtë çështje. Nuk kam pasur kontakt as me firmën shqiptare as me firmën amerikane”, tha ai.

Hetimet

Ishte Gjykata e Lartë e cila përmes një vendimi në dhjetor 2021 rrëzoi rekursin e Fatmir Mediut për të mos u hetuar dhe lejoi SPAK të niste punën. Më parë kishte qenë Apeli i GJKKO, i cili më 24 shtator 2021 mori vendimin për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda. 14 vite pas tragjedisë, familjeve të viktima iu është rikthyer shpresa se mund të marrin drejtësinë e munguar për familjarët e tyre. Apeli i GJKKO rrëzoi një vendim të mëparshëm të shkallës së parë, duke argumentuar se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim.

Nga ana tjetër SPAK ka dërguar në korrik të këtij viti një letër-porosi në SHBA, ku kërkohet marrja në pyetje e Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Kalifornia. Diveroli, është ndër personazhet kryesore që i paraprijnë tragjedinë e Gërdecit, që përfitoi një kontratë të majme furnizimi armësh nga Pentagoni, në sajë të mbështetjes direkte nga qeveria Berisha, madje edhe lidhjes me Shkëlzen Berishën dhe bleu municione e fishekë nga Shqipëria për t’ua shitur amerikanëve në Irak e Afganistan. Ministrat e Berishës në krye të Mbrojtjes dhe Drejtësisë, Fatmir Mediu dhe Aldo Bumçi vepronin në diktimin e Shkëlzenit për të bërë letrat e biznesit me pasurinë publike, siç ishin municionet. Dy orë pas shpërthimit, ditën e 15 marsit 2008, nga tabulatet telefonike rezulton se Fatmir Mediu, telefonatën e parë e zhvillon me pikërisht Shkëlzen Berishën, e cila zgjat 74 sekonda. Gjithashtu, pas shpërthimit, mes personave të parë që u ka telefonuar pronari i “Albademil” Mihal Delijorgji që merrej me demontimit, është Shkëlzen Berisha.

Tragjedia e Gërdecit

Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 tjerëve, plagosja e lehtë e 109 personave të tjerë, dëmtime më të lehta për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave të tjerë që u trajtuan në spitale e qendra shëndetësore. Po kështu, kjo ngjarje solli pasoja dhe dëmtime të pasurive të ndryshme në total në vlerë rreth 2.2 miliardë lek, duke përfshirë pasuri të shtetasve dhe pasuri shtetërore e publike.

Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.

Kryesore Fatmir Mediu SPAK tragjedia e gerdecit