Aktualitet27 Shtator 2022, 16:44

Gati shembulli kroat e rumun? Shqipëria dhe BE hapin kapitullin 23, kërkohen arrestime në nivelet më të larta të politikës

Shkruar nga Pamfleti
Gati shembulli kroat e rumun? Shqipëria dhe BE hapin kapitullin 23,

Përgjigja e drejtësisë kundër korrupsionit të nivelit të lartë ka filluar të japë rezultate, megjithëse dënimet në çështje që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten të kufizuara.

Hapja e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të sjellë telashe për politikën. Edhe pse të gjithë e duartrokitën vendimin e marrë në korrik, sinjalet janë se shumë ministra, deputetë dhe zyrtarë do kenë punë me drejtësinë.

Në mbledhjen e parë ndërqeveritare nisi procesi “screening”, pra përshtatja e legjislacionit shqiptar me atë të BE. Sot Shqipëria ka nisur në Bruksel negocimin e grupit të kapitujve themelorë dhe puna fillon me kapitullin më të rëndësishëm, kapitullin 23, i cili ka të bëjë me gjyqësorin. Ndërkohë pas tij do jetë kapitulli 24.

Grupi negociator shqiptar kryesohet nga Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja znj. Majlinda Dhuka. Në përbërje të tij është zv/Ministrja e Drejtësisë dhe negociatorja për kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” znj. Adea Pirdeni si dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare të sistemit të drejtësisë, përgjegjëse në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe të drejtave themelore.

Takimi i sotëm u fokusua, ndër të tjera, në shpjegimin e standardeve të legjislacionit të Bashkimit Evropian lidhur me garantimin e një mbrojtje gjyqësore efektive, politikat antikorrupsion, mbrojtjen e të dhënave personale, mosdiskriminimi, të drejtat e fëmijëve, liria e medias, etj.

Por hapja e këtij kapitulli do të thotë se BE kërkon që të nisin arrestimet në nivelet më të larta.

Kapitulli 23 ndahet në katër fusha kryesore dhe të ndërlidhura: i) gjyqësori, ii) lufta kundër korrupsionit, iii) të drejtat themelore të njeriut si dhe iv) të drejtat e qytetarëve të BE-së, të cilat në vetvete ndahen më tej në një numër nën-fushash. Në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore, politikat e BE-së synojnë të mbajnë dhe zhvillojnë më tej Bashkimin Europian, si një zonë të drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Garantimi i shtetit të së drejtës, i cili respekton të drejtat e njeriut, krijon dhe garanton një gjyqësor të pavarur e të paanshëm dhe me integritet e standarde të larta të gjykimit, është thelbësor për të qenë pjesë e Unionit.

Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese. Përgjigja e drejtësisë kundër korrupsionit të nivelit të lartë ka filluar të japë rezultate, megjithëse dënimet në çështje që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten të kufizuara. Vitin e ardhshëm Shqipëria: duhet të vazhdojë të forcojë luftën kundër korrupsionit; të arrijë progres të mëtejshëm drejt krijimit të një historiku të qëndrueshëm të çështjeve të korrupsionit, sekuestrimit dhe konfiskimit/rikuperimit të pasurive kriminale të rrjedhura nga veprat e lidhura me korrupsionin; të rrisë më tej përdorimin e hetimeve financiare”, thuhet në kapitullin 23 të progres-raportit.

Pra, në çdo mbledhje që do bëhet me BE, kapitujt 23 dhe 24 do jenë kryefjala. Kroacia dhe Rumania nisën arrestimet e bujshme pikërisht kur hapën këta kapituj. Atje u arrestuan me mijëra zyrtarë, përfshi ish-kryeministrat, ministra, deputetë dhe krerë bashkish. Ndërkohë sinjalet janë se edhe Shqipëria do të shkojë drejt shembullit kroat dhe rumun. /Pamfleti

Kryesore #Kapitujt Arrestime negociata