Aktualitet24 Maj 2022, 15:07

Gazetari zbulon prapaskenat e eliminimit të Mehmet Shehut: Si u përgatit plani i vetëvrasjes dhe roli i Nexhmije Hoxhës

Shkruar nga Pamfleti
Gazetari zbulon prapaskenat e eliminimit të Mehmet Shehut: Si u

“Është vrarë, apo është vetëvrarë, pak rëndësi ka. E vërteta qëndron tek ajo se si njëra mundësi ashtu dhe mundësia tjetër janë të imponuara”. Pas gati 40 vitesh nga vetëvrasja e ishkryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, një nga figurat më të rëndësishme të politikës së kohës dhe një pasardhës i sigurt i Enver Hoxhës, tashmë në vitet e fundit të jetës, gazetari Agron Çobani kthehet pas në kujtime dhe bën një analizë të ngjarjeve.

Një nga zërat më të rëndësishëm në gazetarinë e kohës, Çobani ka pasur mundësinë të jetë shumë pranë udhëheqjes së kohës, t’i ndjekë ata në aktivitetet e shumta, ndërkohë që një lidhje familjare me Feçorr Shehun, ish-Ministër i Brendshëm e bënte atë të ishte më në korent të ngjarjeve.

Në librin e tij me kujtime, i hedhur të treg vetëm pak kohë më parë “Ju flet Tirana-RTSH, kujtime, histori, personazhe”, Çobani tregon se si u përgatit vetëvrasja e Mehmet Shehut nga Nexhmije Hoxha dhe si paraqitej gjendja shëndetësore dhe mendore e Enver Hoxhës, në vitet e fundit të jetës.

AGRON ÇOBANI

Sipas shënimeve dhe kujtesës që për fat më duket se nuk më ka tradhtuar, lufta kundër Mehmet Shehut ka filluar vonë. Besoj se jam nga ata njerëz të rrallë që mora vesh shkallë-shkallë disa gjëra tronditëse. Kjo për disa arsye. Shoku im i ngushtë Kreshnik Tartari, trajneri i famshëm i vajzave të Dinamos në volejboll, më tha një ditë: më duket se Skënderi (e kishte fjalën për djalin e Kryeministrit të vendit) ia ka vënë syrin Silva Turdiut dhe me sa shoh e ka seriozisht dhe do të fejohet”. “Mirë , i thashë, ç’të keqe ka”? “Ajo sikur nuk është mirë me biografi. (Kreshniku kishte përvojën e vet në lidhje me gruan e tij, Nigdën.

Shtyllarët nga Nigda, nxirrnin yçkla për biografinë e Tartarëve nga Kreshniku). Ndërkohë, kunati im, Ministër i Brendshëm i asaj kohe, Feçor Shehu, në një bisedë të rastësishme, më kishte thënë se Kryeministri i kishte kërkuar të dhëna biografike për Turdinjtë. Këto dy gjëra janë shumë pak dhe në fund të fundit janë personale. Sidoqoftë, fejesa u bë, u prish dhe ndodhi ajo që dihet. Më pas do të bija në kontakt me informacionin zyrtar edhe pse ai në fillim ishte tepër i kujdesshëm, tërë nënkuptime deri sa u bë açik. Në fund të muajit gusht apo në fillim të shtatorit, gjithnjë të vitit 1981, u festua përvjetori i Institutit Bujqësor të Kamzës. Si zakonisht u përgatit kronika përkatëse dhe u transmetua. (Ishte prishur fejesa e Skënderit me Silvën.)

Të nesërmen u thirrëm në Komitetin Qendror të Partisë, në zyrën e Ramiz Alisë. Të pranishëm ishin Mehmet Karakushi, ndihmës i Ramiz Alisë për shtypin, Miti Tona, shefi ynë i shtypit, Arqile Aleksi, Drejtor i ATSH-së, unë dhe nuk e mbaj mend kush tjetër. Shefi i madh dukej i nervozuar, gjë që nuk e kishte zakon “Ç’ishte ajo kronikë që transmetuat mbrëmë për Institutin Bujqësor?-Dhe pa pritur përgjigje, lëshoi pyetjen e dytë: Ç’kërkonte Fiqirete Shehu në presidiumin e mbledhjes?.

“Ajo ishte në presidium, shoku Ramiz, ne vetëm e filmuam!”, u përgjigja. “Po emrin që përmendët, ju ë bëni protokollin e Komitetit Qendror?- Ramizi e kuptoi që kishte kapërcyer pragun, prandaj nisi të marrë disi kthesën. (Këtë e mendoj tani, nuk e mendova atëherë.) – Nuk kam asgjë me shoqen Fiqiret, le të kuptohemi, por në mbledhje kishte personalitete të rëndësishme, që nuk u panë gjëkundi. Muho Asllanin e kishin ulur në rreshtin e parë, por nuk u kujtua njeri për të.

Muhua kishte ardhur nga Shkodra ku kishte qenë Sekretar i parë i Komitetit të partisë së atij rrethi dhe kishim dëgjuar se punonte në Kryeministri, por se ç’ishte dhe ç’punë bënte nuk ishte e qartë. Nuk e dinim se ai shumë shpejt, në Kongresin e disa muajve më vonë, do të bëhej anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH. Ky rast, tërheqja e vëmendjes për Fiqirete Shehun, ishte për mua sinjali i parë, se familja Shehu po vihej ose do të vihej në shenjestër. Kaluan disa ditë dhe në Komitetin Qendror, përsëri në zyrën e Ramiz Alisë, u bë një mbledhje tjetër. Këtë herë me të gjithë kryeredaktorët e shtypit. U fol për luftën kundër frazeologjisë, letrarizmave, krahinizmave dhe izmave të tjera që viheshin re në shtyp. Në fund të mbledhjes, kur të gjithë u ngritëm për të dalë nga zyra, Ramiz Alia mu drejtua mua dhe Vangjush Zallëmit, Drejtor i Kinostudios “Shqipëria e Re”, që të qëndronim.

“Uluni, tha dhe iu drejtua Vangjushit. Ç’është një film për kinezët që po xhironi”?. “Skenari është mbështetur në novelën “Gjakftohtësia” e Ismail Kadaresë. Bën fjalë për veprimtarinë e revizionistëve kinezë në Kombinatin Metalurgjik”. “Po skenarin kush e ka shkruar”?, “Bashkim Shehu”. “Prandaj dhe po e xhironi, se është djali i kryeministrit, në një kohë kur vetë shoku Mehmet as që di gjë për këtë. “Jo shoku Ramiz, skenari i ka kaluar të gjitha fazat dhe procedurat që parashikon rregullorja, këshillin artistik, diskutimin në…” “Vangjush, lëri këto, të ndërpriten menjëherë xhirimet, nuk kemi bërë akoma film për revizionistët sovjetikë, do të bëjmë për kinezët.., pastaj duket u kujtua që isha edhe unë aty, në të vërtetë i tepërt, mu drejtua: – Po ti të babait e ke autobusin që ia jep Kinostudios? (Një nga autobusët studio me kërkesë të simotrës sonë ia kisha dhënë për disa ditë, për ta përdorur si element dekori).

“Jo, i thashë, po me që na e kërkuan, gjetëm një periudhë pa ngarkesë dhe ia dhamë”. Kështu përfundoi takimi i tensionuar shkaktuar nga nervozizmi i Ramiz Alisë. Që për hir të së vërtetës nuk e kishte për natyrë. Sinjalet për të pasur kujdes nga Mehmet Shehu vinin njëri pas tjetrit. Kishin përfunduar xhirimet dhe montimi i filmit serial “Agimet e stinës së madhe” të Albert Mingës, me skenar të Vath Koreshit. Me dëshirën për ta shfaqur në prag të festave, lajmërova shefin, Miti Tonën, për ta parë. Ai erdhi, e pa dhe kur dolëm nga salla e vizionimit, ngjitëm shkallët për në zyrën time. “Filmi është i mirë, tha Miti, por, sipas mendimit tim, skena e minës që hiqet nga këmbët e urës duhet shkurtuar. Teprohet me të dhe emocioni humbet. Pastaj, si t’i ishte kujtuar atë çast shtoi:- Kam përshtypjen se edhe episodi i luftës, sikur është futur kot. Unë them ta heqim”.

(Në një nga seritë e filmit, në retrospektivë, kishte dhe një episod nga vitet e luftës. Në një përpjekje të ballistëve me një grup fshatarësh, njëri nga këta të fundit u thotë ballistëve të armatosur që të presin edhe pak në ua mbante se nga çasti në çast andej do të kalonte Brigada e parë me komandantin Mehmet Shehu dhe ua rregullonte ai qefin). Dy-tre ditë para Kongresit porositë ishin haptazi. Kamera të mos qëndrojë statike në asnjë nga portretet e anëtarëve të Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Enver. Fiqirete Shehu nuk do të jetë në Presidium, por në sallë edhe ajo nuk ka pse të evidentohet, por të trajtohet si gjithë delegatët e tjerë. Për këtë fakt, në një nga ditët e Kongresit, më vjen një nga kameramanët, Shpëtim Qatipi dhe i shqetësuar më thotë me zë të ulët, duke ngjitur gojën te veshi im: Se ç’bëhet këtu! Unë fiksoj portretin e shoqes Fiqirete dhe berti (Albert Minga) nuk e nxjerr.

“Jo more, i thashë me demek i habitur. Do të bisedoj unë me të”. Në të vërtetë, ato ditë edhe unë e ndjeja veten disi të mënjanuar, ose më dukej mua kështu. Ditën e parë të Kongresit u mbajt raporti nga Enver Hoxha. Raporti nuk u mbajt, por u lexua prej tij një pjesë shumë e shkurtër. Pjesa më e madhe ishte lexuar në zyrë, ishte lexuar në magnetofon shumë kohë më parë dhe delegatët dëgjonin. Enveri, ulur në presidium, mbante letrën përpara dhe gojën mbyllur. Një pjesë e delegatëve, sidomos të ardhurit nga fshati, nuk ishin në gjendje të kuptonin se ç’bëhej. Mehmet Shehu ishte vrer, nursëz dhe buzëvarur. Enveri nuk ia hidhte sytë, nuk bisedonin si dikur, nuk qeshnin… Më 18 dhjetor, vazhdojmë të jemi ende në vitin 1981, së bashku me miqtë e mi të vjetër Albert Shalën dhe Stefan Komninon, u nisëm herët për gjah…

Makina jonë u shkëmbye me atë të Besnik Bekteshit, kandidat i Byrosë Politike, por që punonte ende në Shkodër. Me të mbërritur në shtëpi, nëna më tha e alarmuar: “Ko je mor derëbardhë! Të kërkojnë në punë! Ka vrarë veten Mehmet Shehu! Pu, pu, pu na ke prurë dhe tersllëkun në shtëpi! Në dorë mbaja lepurin e plagosur. E kisha sjellë të argëtoja fëmijët e mi të vegjël. Shkova menjëherë në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm, Çajup Rusmajlit. “Mbaroi dhe kjo punë, tha ai. Duhen marrë masa, por le të presim udhëzimet nga Komiteti Central. (Ato kohë një sërë kuadrosh të Komitetit Qendror i thoshin si Enver Hoxha, Komiteti Central.) Në mbrëmje, vetëm disa minuta para orës 20.00, kur do të jepej Revista Televizive, në zyrën e Çajupit hyri Mihal Bisha, Drejtor i Kuadrit në Komitetin Qendror. Ai mbante në dorë një letër format të daktilografuar,së bashku me një fotografi të Mehmet Shehut. “Jepeni këtë, tha ai, dhe më pas vazhdoni programin tuaj. E dëgjuam së bashku leximin e lajmit dhe pastaj secili shkoi në zyrën e vet. Kur mbaruan të gjitha materialet e Revistës, filloi transmetimi i një koncerti me këngë, siç ishte programuar më parë.

ENVERI, I LODHUR FIZIKISHT

Pse e vrau veten Mehmet Shehu? E vrau, apo e vranë? Më e saktë është shprehja: e vetëvranë. Personalisht kam bindjen se Mehmet Shehu është vetëvrarë. Nuk kam fakte dhe argumente të shkruara dhe të verifikuara, por në bazë të analizës që u bëj ngjarjeve kam arritur në këtë përfundim. Por, ashtu siç është thënë dhe është shkruar, është vrarë, apo është vetëvrarë, pak rëndësi ka. E vërteta qëndron tek ajo se si njëra mundësi ashtu dhe mundësia tjetër janë të imponuara. Si ka ndodhur? Për mua gjithçka është menduar, shtyrë dhe nxitur nga Nexhmije Hoxha. Enveri, prej vitesh, ishte rënduar jo vetëm fizikisht, por besoj edhe mendërisht. Nuk them se kishte lajthitur aq sa mundohen ta paraqesin disa. Unë flas të paktën për deri në vitin 1981, kur herë pas here kam qenë pranë tij. Në vitin 1978, kur shoqërova vizitën e tij në Gjirokastër dhe Sarandë, vërejta se ishte shumë i lodhur.

Në një ditë kur ishte planifikuar për të shkuar në lagjen Palorto, në lagjen ku kishte lindur Enveri, u vendos të shkohej nga rruga e sipërme, nga sheshi i xhamisë dhe prej andej, derë më derë e thiropullë më thiropullë të arrihej të eliminoheshin të përpjetat. Ishte e pamundur të ngjiteshin lukuramat e sokakëve prej tij. Të nesërmen ishte parashikuar të bëhej vizita në qendrën muzeale të arsimit, në Kodrën e Obeliskut, kushtuar burrave mendjemprehtë të Gjirokastrës, të vizitoheshin klasat muze dhe qendrat kulturore, që u përkisnin viteve të shkuara. Na njoftuan se numri i gazetarëve, operatorëve dhe fotografëve do të ishte i kufizuar. Vizita ishte caktuar të bëhej në orën 10.00. ne duhej të qëndronim tek Sheshi i Çerçizit dhe të prisnim sinjalin për të shkuar menjëherë tek vendi i caktuar. Nga RTSH-ja ishim caktuar unë gazetar dhe Pali Kuke, operator. Në të vërtetë na njoftuan të shkojmë tek Obelisku para orës 10.00. Ai ngrihej në një nga shtatë kodrat e Gjirokastrës, në qendër të saj, në të djathtë të Qafës së Pazarit.

Mbërritëm aty me një frymë, se veç të tjerash duheshin ngjitur dhe gati 100 shkallë. Kur mbërritëm te sheshi i vogël majë kodrës u ndeshëm ballë për ballë me Sulo Gradecin, kreun e grupit të sigurimit të Enver Hoxhës. “Po ju? Pyeti i egërsuar, ndryshe nga maska buzëqeshëse që mbante zakonisht. Ç’doni këtu?” “Për punën e përditshme”, i thashë unë. “Por unë kam dhënë porosi që të vini më vonë”. “Neve na tha shoku Miti (Tona) të vinim”, thashë duke mbledhur supet. Ndërkaq u duk vargu i makinave që po i afroheshin fundit të kodrës. “Mirë, mirë, tha Sulo Gradeci, shkoni matanë te klasat dhe do të filmoni vetëm kur Komandanti të ngjitet këtu në shesh.

Ashtu bëmë. Ne nuk e pamë Enverin të ngjiste shkallët e shumta të Obeliskut. Ai do t’i ngjiste ulur. Ishte përgatitur një karrige në të dy anët e së cilës ishin mbërthyer krahë druri. Enveri do të mbartej ulur në karrige nga katër djem të fuqishëm, ushtarë të gardës. Ishte një pamje disi qesharake, por që zgjidhte problemin. Me sa morëm vesh, se me sy nuk pamë gjë, kjo nuk u zbatua, por u zëvendësua prej mbajtjes prej krahësh e Enverit nga dy djem të fuqishëm, ushtarë të gardës, dhe ai u ngjit në kodër me këmbët e veta. Kjo skenë nuk duhej të shihej sepse “do të gëzonte armikun”, ndaj dhe ne na mbyllën në një nga klasat muze. U zgjata pak në këtë episod, por desha të tregoj se Enveri ishte vërtetë i lodhur fizikisht.

Nga pikëpamja mendore, sipas meje, kishte herë pas here këputje të fillit të mendimeve. Nuk mund të them se kishte mungesë logjike, por në fjalimin që mbajti në mitingun e madh në Sheshin e Çerçizit, jo rrallë kërcente nga Tiu te Katiu, si thonë në Gjirokastër. Në një çast të tillë më duket se i erdhi në ndihmë Nexhmija, që i qëndronte në krah. Duhet t’i ketë bërë ndonjë shenjë, duhet t’i ketë rënë, fjala vjen, me bërryl, kur ai, Enveri, nga rrëshqitjet me të ndenjurat që bënte në këcullë, kur ishte i vogël, kalonte te tradhtia e kinezëve. Pikërisht në këtë katrahurë frazash, Enveri mori kthesën, e kuptoi se kishte rrëshqitur dhe tha: “përpara se të niseshim për këndej, Nexhmija më tha: “Mor Enver, do veç në Gjirokastër, por nuk të shoh të përgatitësh ndonjë fjalim”.

Edhe unë i thaçë: “Po pse me kartë do t’u flas unë gjirokastritëve të mi, vëllezërve dhe motrave të mia. Po ata më zënë me një dru që të shoç t’i pastajna”. Më 1 maj 1979 gjendja ishte keqësuar. Dora që pritej të grinte lart për të përshëndetur manifestuesit që kalonin para tribunës varej poshtë pardesysë. Në finalen e Spartakiadës që u zhvillua në nëntor të po atij viti në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, ishte gjithashtu i dërrmuar. Edhe pse u vendos ashensori për t’u ngjitur në katin e dytë, kur doli në tribunë, mezi i hidhte këmbët.

Isha shumë afër tij, vetëm 3-4 metra, në kabinën ku transmetoja. Të qeshurën e kishte të trishtuar. Kokën e kthente me vështirësi majtas-djathtas. Në këto kushte, Nexhmia ka menduar: “Ky po mbaron. Çdo të bëhet? Si do të vejë halli i Shqipërisë (interesi i përgjithshëm)? Po halli ynë, i familjes tonë (interesi vetjak)? / Panorama.al

Dossier Enveri mehmeti vetëvrasja