Aktualitet26 Shtator 2022, 11:23

Gënjeshtrat e qeverisë dhe viktimat e vërteta të rritjes së enegjisë elektrike

Shkruar nga Pamfleti
Gënjeshtrat e qeverisë dhe viktimat e vërteta të rritjes

Gënjeshtrat e qeverisë dhe viktimat e vërteta të rritjes së enegjisë elektrike

Cilat janë faktet e rreme dhe si qëndron e vërteta për ato që ka deklaruar kjo qeveri, herë me gojën e Belinda Ballukut e herë me gojën e kryeministrit Edi Rama?

 Ashtu siç pritej, Enti Rregullator i Energjisë e miratoi rritjen e çmimit, sipas propozimit të Qeverisë së Edi Ramës. Duke nisur nga 1 tetori familjarët që harxhojnë mbi 800 kw/orë, do ta paguajnë energjinë 4-fish me shtrenjtë nga sa kanë paguar deri tani.

Vendimi tashmë është vulosur, çka paralajmëron efekte të frikshme në gjendjen ekonomike të shtresës së mesme të popullsisë së Shqipërisë. Me këtë vendim, Edi Rama do të arrijë atë që ka vite për të cilën punon: vrasjen përfundimtare të shtresës që mban në këmbë ekonominë e një vendi, shtresën e mesme, që e përkthyer në terma politikë përbën elektoratin gri që ka kohë që nuk i bindet asnjërës prej forcave politike në vend ditën e votimeve.

Por cilat janë faktet e rreme dhe si qëndron e vërteta për ato që ka deklaruar kjo qeveri, herë me gojën e Belinda Ballukut e herë me gojën e kryeministrit Edi Rama?

Jo më larg se në intervistën e fundit, dhënë për emisionin “Opinion” nga Nju Jorku, Edi Rama deklaroi se nga ky vendim do të preket vetëm 4% e abonentëve familjarë.

Kjo është gënjeshtra e parë…

Sipas të dhënave të përllogaritura nga Open Data Albania, dhjetorin e kaluar 71.278 familje, ose ndryshe një në 10 familje shqiptare kanë kaluar pragun prej 800 kw/h energji elektrike. Në muaj të ndryshëm ky konsum varion dhe muajt e dimrit janë më me shumë konsum energjie. Pra abonentët që do të preken nga loja e çmimit të energjisë së vendosur nga qeveria është dyfish më e lartë. Çka do të thotë se situata nuk është aq rozë sa mundohet ta shesë Edi Rama.

Pjesa më e pistë e gjithë kësaj maskarade, të një qeverie që i ka harxhuar paratë e shqiptarëve për konçensione oligarkësh është se si Ministrja e Financave, si zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Energjitikës, ashtu edhe vetë Edi Rama, gjithë këto muaj janë mundur ta shesin këtë vendim, si një rritje që prek vetëm shtresën e pasur të popullsisë. Njësoj me shumë vendime të tjera alla komuniste, “ti shpallim luftë kulakëve që jetojnë në mirëqenie”, edhe ky vendim ishte i ngjashëm dhe gojoret e kësaj qeverie janë munduar ta përkthejnë si një vendim që nuk i prek hallexhinjtë.

Kjo është gënjeshtra e dytë dhe më e shëmtuara.

Sipas të njëjtave të dhëna të publikuara nga Open Data Albania, vendimi i rritjes së energjisë për familjarët që konsumojnë mbi 800 kw/h energji elektrike, jo vetëm që nuk prek shtresën e pasur (e cila nuk e ka problem kryesor këtë), por prek shtresën më vulnerabël të shoqërisë: kryesisht familje me disa anëtarë, me përkujdesje për mirërritje fëmijësh apo familje me dy dhe tre breza në strukturë.

Gjithë këtë lojë që papagajtë e qeverisë janë munduar ta artikulojnë si nevojë prej rritjes së energjisë në tregjet globale, Qeveria e ka luajtur duke mos treguar edhe një të vërtetë tjetër të shëmtuar. Çmimi final sipas Furnizuesit të Shërbimit Universal FSHU (institucionet e reja me emra të çuditshëm të krijuar nga qeveria e Edi Ramës) për fashën mbi 800 duhet jo vetëm të rritet, por të mbulojë edhe tarifa shtesë si e transmetimit, e shpërndarjes, administrimit, e disbalancave; amortizimit, kostos së kapitalit të punës dhe në fund marzhit të fitimit. Thënë ndryshe, ndërsa OSHEE paguan për mirëmbajtjen estetike të punonjësve të vet; ndërkohë që faturuesit dhe hallkat fundore të sistemit të energjisë pushohen nga puna; ndërsa harxhohen miliona euro në vit për të ndërruar matësat vetëm në qendër të Tiranës; ndërkohë që investimet për humbjet në rrjet janë zero; ndërkohë që administrimi i prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë ka shkuar në djall, kjo Qeveri i rrit çmimin familjarëve, nën trysninë e tregjeve ndërkombëtare për të paguar edhe ato halle që duhet të ishin zgjidhur këtu e 10 vjet më parë.

Për ta thënë në gjuhë me teknike: Në datë 22 Shtator Furnizuesi i Shërbimit Universal FSHU ka depozituar në ERE aplikimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumin mbi 800 kwh, duke e propozuar Çmim Final 42.95 lekw/kwh për këtë fashë. Nga ana e vet FSHU ka shtuar një numër tarifash dhe kostosh përveç çmimit bazë. Në këtë kosto FSHU ka përfshirë dhe shtuar 

– tarifat e transmetimit (0.85 Lekë/kwh) 

– shpërndarjes (6.42 Lekë/kwh) 

– kostot administrative (1.21 Lekë/kwh) 

– amortizimin (0.01 Lekë/kwh) 

– disbalancat (0.07 Lekë/kwh) 

– koston e lejuar të kapitalit të punës ((0.03 Lekë/kwh)

– marzhin i fitimit (0.06 Lekë/kwh)

E përkthyer në para, nga ky vendim pritet që familjet që konsumojnë mbi 800 kWh për periudhën 4 muajt e fundit të 2022 të paguajnë 1.92 miliardë lek në muaj ose 96%  më shumë se në të njëjtën periudhë 2021

Dhe a e dini se cili është skandali më i madh në gjithë këtë histori? Shqipëria numëron vetëm 829 857 abonentë familjarë ose ndryshe sa një e katërta e një lagjeje të një metropoli në botë. Numëron lumenj dhe burime hidrike super të pasura që në një kohë tjetër dhe me një qeveri dhe administrim më pak kriminal, jo vetëm që do të mbulonte konsumin e energjisë për banorët e vet, pa u varur nga tregjet ndërkombëtare, por do të ishte edhe një eksportues shembullor i energjisë elektrike.

Ndërsa pjesa qesharake e historisë? Borxhlinjtë më të mëdhenj të energjisë elektrike në Shqipëri janë institucionet shtetërore. Këta kanë qenë historikisht më problematikët që nuk paguajnë rregullisht energjinë. E dini ç’do të bëjë Qeveria me ta? Do ngrejë një Task Forcë që do të kontrollojë zyrë më zyrë nëse punonjësit e administratës shtetërore e kanë ndezur kondicionerin apo jo. Me këtë Qeveria pret të kursejë 15% të energjisë që institucionet harxhojnë dhe pastaj këtë do ta shesin si lavdi dhe sukses të jashtëzakonshëm.

Me çfarë do të ngrohen punonjësit e shtetit gjatë muajve të dimrit, mund të pyesë ndokush? Me asgjë. Qeveria po i mban në punë. Mirënjohja për këtë duhet të mjaftojë edhe për tu ngrohur…/Pamfleti

Kryesore #Gënjeshtrat e qeverisë #viktimat e vërteta të rritjes së enegjisë elektrike