Ekonomi 1 Tetor 2022, 14:33

Gent Sejko: Inflacioni do të vazhdojë rritjen, rreziqet nëse kursi i këmbimit del nga kontrolli

Shkruar nga Pamfleti
Gent Sejko: Inflacioni do të vazhdojë rritjen, rreziqet nëse

Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë inflacioni do të vazhdojë të rritet edhe vitin që vjen dhe do të fillojë të bjerë më pas, për të arritur në objektivin e bankës qendrore prej 3% në mes të vitit 2024.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i pranishëm në konferencën rajonale të ministrave të financave dhe guvernatorëve të rajonit, që po zhvillohet në Budva në Mal të Zi, tha se vendi, ashtu si gjithë rajoni po vuan nga inflacioni i lartë. Banka ka rritur tre herë normat e interesit deri tani, duke i çuar në 1.75% dhe kjo tendencë pritet të vazhdojë e kujdesshme në mënyrë që rritja e interesave të mos e ndikojë negativisht ekonominë.

Inflacioni tek ne është pak më i ulët se në rajon, për shkak se qeveria nuk ka rritur ende çmimet e energjisë, tha guvernatori, pavarësisht se po përgatitet të reagojë. Shqipëria është e varur për sigurimin e energjisë nga moti për shkak të burimeve hidro.

Ne kemi hyrë në një periudhë të inflacionit të lartë dhe po përpiqemi ta parandalojmë atë pa ndikuar negativisht ekonominë. Po ndryshojmë politikën monetare duke rritur normat e interesit gradualisht që të mos dëmtojnë ekonominë, por nuk mund të bëjmë kompromis me stabilitetin e çmimeve”, tha Sejko.

Guvernatori tha se ekonomia pritet të zgjerohet me ritme të kënaqshme këtë vit, në rreth 4%, ndërsa vitet në vijim rritja pritet të ngadalësohet në 2-3%.

Bazuar në shifrat e inflacionit, Banka e Shqipërisë pritet të vazhdojë me politikën shtrënguese monetare, duke harmonizuar politikën monetare me atë fiskale.

Guernatori theksoi se duhet të jemi të kujdesshëm për efektet që do të kenë normat e interesit në sektorin financiar si dhe të stabilitetit të kursit të këmbimit. Nëse kursi del nga kontrolli do të jetë me rrezik të lartë për ekonominë, pasi vendi ka ekspozim të lartë për huatë në euro, po ashtu dhe qeveria ka borxh në valutë.

Pavarësisht rreziqeve kemi besim se sesktori financiar është shumë i qëndrueshëm, bankat kanë likuiditet, treguesit e mjaftueshmërisë së kapitalit janë në nivele të larta”, shtoi ai.

Guvernatori e theksoi disa herë që Banka e Shqipërisë po e monitoron me kujdes situatën në mënyrë që të zvogëlojnë rrezikun, që mund t’i vijë ekonomisë nga normat e larta të interesit.

Një tjetër shqetësim është nëse kjo situatë do të ndikonte në zhvlerësimin e monedhës vendase. “Për momentin kemi forcim të monedhës së vendit për shkak të rritjes së investimeve të huaja dhe valutës që vjen nga turizmi. Por nëse ndodh e kundërta do të jetë një problem për shkak të nivelit të lartë të euroizimit të ekonomisë. Për këtë ne filluam të zbatonim disa vite më parë një program të deuoriozimit, që nuk synon që të shmangë euron, por të ulë përdorimin e saj aty ku është e panevojshme”, shtoi ai.

Sejko tha se shpejtësia e shtrëngimit të politikës monetare do të jetë në varësi të ecurisë së normave të inflacionit. Inflacioni pritet të vazhdojë të rritet gjatë dimrit për shkak të krizës së energjisë, por ende nuk është në nivele dyshifrore.

Guvernatori i Bosnjës: Kriza e tanishme më e vështira që nga 1970 për bankat

Qe nga viti 1970 bankat qendrore nuk janë përballur me një krizë të tillë inflacioni, tha Senad Softiç, Guvernatori i Bankës Qendrore të Bosnjë  Hercegovinës.

Bankat qendrore nuk mund ta zgjidhin këtë problem të vetme, pasi nuk mund të zgjidhim problemet e furnizimit me mallra të tilla si nafta dhe energjia, por ne mund të ndihmojmë me një mënyrë tjetër. Vendet e vogla të tilla si në Rajon duhet të përshtaten, pas ende kemi mandat ta bëjmë politika monetare, tha ai. Banka Qendrore ka mjet kryesor normën e interesit. Në Bosnje ka likuiditet në treg dhe tani është momenti të tërheqim një pjesë të këtij likuiditeti. Ekonomia e Bosnjës nuk do të ketë recesion këtë vit, por rritja nuk do të jetë më shumë se 2.8%.

Ne Bosnje 8 vitet e fundit kemi operuar me interesa negative, por situata këtë vit ndryshoi shumë shpejt. Ne po rrisim gatishmërinë për të menaxhuar situatën e re që po krijojnë normat më të rritura të interesit. Por ne e kemi të vështire të menaxhojmë efektin që mallrat e importit kanë në inflacionin tonë të brendshëm. /Monitor

Ekonomi