Aktualitet18 Qershor 2018, 22:32

Gjëegjëza me Shqipërinë dhe kënaqësia për mos hapjen e negociatave!

Shkruar nga Pamfleti
Gjëegjëza me Shqipërinë dhe kënaqësia për mos

Gjëegjëza me Shqipërinë dhe kënaqësia për mos hapjen e negociatave!

Nga Ben Andoni

Dekada të shkuara, të huajt pëlqenin të tregonin një gjëegjëze mes tyre, teksa vërdalliseshin kryeqytetit të ri të shqiptarëve, që po merrte trajtë pak e nga pak. Zoti kish vendosur të shihte se ç’bënin krijesat e tij në Tokë.

Kishte mbetur i mërzitur me Parisin e francezët me ndryshimet dhe bëmat e tyre moderne, ca më keq me italianët e Romën, po kaq me Londrën e Berlinin, sepse vendet ishin modernizuar frikshëm. Po ku vallë u ndje i kënaqur? I huaji i sapoardhur që mezi e kuptonte fillimisht kolegun do qëndronte.

E sakaq, pas ndonjë gjerbje të ndonjë porcioni të mirë alkooli të asaj kohe, vijonte përgjigja-në Shqipëri! Zoti në Shqipëri ishte kënaqur sepse këtu gjërat nuk kishin ndryshuar, ishte fabula.

Në vitet ’90 fabula u shndërrua në një gjë gati banale. Por edhe kjo qarkullonte në komunitetin e ndërkombëtarëve në vend. Mizanskena dhe butaforia: Një shportë me karavidhe, e lënë në breg prej dy peshkatarëve.

Vjen batica dhe mos na ikin, thotë njëri syresh teksa po rehatoheshin në klub. “Jo, ia pret tjetri, janë karavidhe shqiptare sapo ngjitet njëri për të ikur e kap tjetri dhe e zbret poshtë”. 

Nuk dimë fabulat e reja të kësaj kohe për shqiptarët, por padyshim duhet të jenë shumë. Dhe, të huajt jo të pakët në Shqipëri që mbushin raporte, mu nga ato që e lënë vendin pas dyerve të Evropës prej vitesh të tëra, duhet të kenë sajuar të tjera edhe më fine.

Askujt nuk i bën përshtypje se shqiptarët mezi presin të davarisin këtë humbje shprese që buron prej ngado.

Kjo bëhet edhe shumë më e vështirë në këtë moment pasigurie dhe heshtje, paçka se tashmë duhet të jetë vendosur fati i Shqipërisë në takimin e 28 Qershorit për hapjen e negociatave.

Veçse më e paqartë është kënaqësia e cila mbartet te një pjesë e madhe e komunitetit shqiptar dhe sidomos e politikës që Shqipërisë të mos i hapen këto negociata.

Opozita mëton se faji është i Ramës dhe i qeverisjes së tij dhe këtu me gjasë ka njerëz të kënaqur dhe nga e Majta e mbyllet diskursi, që nuk shtron problemin tjetër: Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor  nuk nisin procesin e integrimit në BE atëherë do të përballen me pasoja të dhimbshme.

E para, sa i përket, shpresës. E dyta mosmbajtjes së premtimit, që vetë strukturat e BE-së, kanë bërë dhe që qeveritë ballkanase i kanë realizuar.

Shumëkush e di sesi do të jetë procedura lidhur me negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ato kanë shumë shpresë, por jo me pak gjasë, do mund të jenë të kushtëzuara.

Të dy vendet realisht kanë bërë hapa përpara, Shqipëria me Reformën në Drejtësi, që megjithëse konsiderohet ende me shumë probleme po jep rezultate; Maqedonia me zgjidhjen e emrit dhe lehtësimin e problematikave të pafundme në vend.

 Që do të thotë pjesa e tyre është kryer. Sa për të kënaqurit që Franca, Holanda dhe Gjermania janë kundër, një gjë dihet me saktësi: edhe pas disa dekadash, kur Shqipëria të jetë në BE do jenë skeptike me të.

Stereotipitë e ndërtuara me shekuj nuk mund të zhbëhen në pak vite.

Duket se presioni në vetë Këshilli Evropian është i madh që të mos e justifikojë raportin e

Komisionit Evropian për prioritetet kyçe, por mbase të pritet raporti i ardhshëm në pranverën e vitit 2019 për të parë ndryshime, fakt që do të thotë kthim pas.

Dhe, një Evropë me probleme shtesë, nuk do mund të ndihet aq rehat. Edhe për faktin se më 2019 strukturat e BE-së do jenë krejt të tjera.

Në fakt, Shqipëria e ka të vështirë të bëj standarde, që mëtojnë opozitat tona, kur zbresin nga pushteti dhe kjo vjen nga metamorfoza e shqiptarit të pas viteve ‘90 dhe vetë demokracisë së krijuar prej tij.

Në këtë vazhdë, Evropa me strukturat e saj ka për detyrë të mbajë fjalën, atë që në Ballkan e konfuzojnë sipas mendimeve të tyre.

*-*

Republika e Shqipërisë është nominuar si kandidate zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) prej qershorit 2014.

Larg kësaj, një nga momentet më të mëdha të Shqipërisë ka qenë hyrja në NATO si anëtare e plotë në 2009.

Shqipëria aplikoi për anëtarësim edhe në vitin 2009. Dhe, ashtu si tani Këshilli Evropian i kërkoi Komisionit Evropian raportin për modalitetin e pranimit, e cila iu përcoll qeverisë shqiptare. Shqipëria u kthye përgjigje atyre më 14 prill 2010.

Më 5 dhjetor 2013, një takim i eurodeputetëve i rekomandoi Këshillit t’ia japë Shqipërisë statusin e kandidatit. Dhe, për fat, më 23 qershor 2014, nën presidencën greke të BE-së, Këshilli i Bashkimit Evropian ra dakord t’i japë statusin e kandidatit të Shqipërisë, procedurë që u miratua disa ditë më vonë nga Këshilli Evropian.

Gati, njësoj është udha tani, kur Komisioni Europian  në Prill 2018 i rekomandoi Këshillit Evropian të hapë negociata me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Është momenti politik i qershorit, kur Këshilli i Ministrave të Këshillit Evropian do të mblidhet për të diskutuar për negociata të hapura ose jo për 2 vendet tona: Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Sido që të ndodhë, Shqipëria dhe Maqedonia e kanë kapur një cak, që duhet vlerësuar dhe po shkon falë shqiptarëve dhe maqedonëve dhe përpjekjeve të gjitha strukturave të vendeve të tyre.

Për këtë duhet gjëegjëza e re. Me gjasë ajo do të dalë më 29 Qershor, kur të merret vendimi.

A do t’i hapen dot Shqipërisë negociatat?! Për këtë nuk ka ende gjëegjëze sepse edhe vetë të huajt e kanë mbyllur gojën në kalkulimet e fundit. Të kënaqur jemi vetë ne, shumë nga ne,…që të mos na hapen negociatat, sepse jemi më mirë në vuajtje./Javanews

Forum Gjëegjëza hapja e negociatave Shqiperinë