
Gjermania e dinte që në mëngjes se do të eliminohej nga Botërori, detaji që ka mërzitur edhe tifozët e “Pancerave”
Gjermania i ka dhënë lamtumirën Botërorit të Katarit edhe pse fitoi 4-2 ndaj Kosta Rikës. Dëshpërim i madh për tifozët gjermanë, por në Federatën Gjermane të Futbollit të gjithë duket se ishin shumë të sigurt për një skenar të tillë.
Mediat gjermane kanë zbuluar që Federata kishte planifikuar udhëtimin e kthimit në Gjermani shumë orë para se të luheshin ndeshjet e kësaj të enjte.
“Bild” ka mësuar se ishte organizuar që më parë, se në orën 5:00 të mëngjesit të së premtes, një avion Airbus A330-300 me numër regjistri D-AIKQ do të nisej nga Frankfurti me destinacion Doha në Katar. Në orën 14:30, ekipi gjerman kishte planifikuar udhëtimin me po të njëjtin avion mbrapsht për në Gjermani.
Një plan i qartë që tregon se si Gjermania i kishte shuar të gjitha shpresat e saj për të vazhduar më tej në këtë turne që para fillimit të ndeshjeve të fundit në grupe, duke parashikuar ndoshta edhe surprizën e mundshme të japonezëve përballë Spanjës.