Policia Federale Gjermane i ka dorëzuar dje njësisë speciale RENEA dhe grupit të gatshëm të policisë (njësia Tiranë) 200 palë këpucë shërbimi me vlerë 30.000 euro.
Pas kësaj ‘dhurate’ të shtetit gjerman, gazetari Mentor Kikia ka reaguar përmes një postimi në ‘FaceBook’, ku e quan të turpshme këtë veprim. Kikia shton se një repart policie, mund të pranojë ndihmë asistencën e specialistëve që nuk i kemi dot, apo paisje teknike e teknologjike, apo armatime, që sërish nuk i kemi e nuk i prodhojmë dot, por jo këpucë.
Më tej gazetari ka shkruar se kur u pranuam në NATO, ushtarët merrnin atletet e tyre me vete pasi nuk kishim dhe tani që duam të hyjmë në BE na i dhurojnë.
Postimi i plotë:
Po një fije turpi a nuk keni?
Kur ne u pranuam në NATO, ushtarët tanë shkonin në repart dhe merrnin atlete me vete nga shtëpia, pasi nuk kishin këpucë.
Kur ne duam të hyjnë në BE, serish “opingat” na i sjellin ndihmë.
Në fakt të pranosh ndihma nuk ka gjë të keqe. Por një repart policie, mund të pranojnë ndihmë asistencën e specialistëve që nuk e kemi dot, apo paisje teknike e teknologjike, apo armatime, që sërish nuk i kemi e nuk i prodhojmë dot.
Por jo këpucë.
Jo dreqin, se është dhe e turpshme.
Këpucë na sillnin edhe qëmoti, kur luftonim kundër gjermanëve, na i hidhnin anglezët me parashutë. Këpucë na sjellin edhe gjermanët sot, kur s’luftojmë me askënd.
A jemi vërtet kaq të mbaruar e të grisur, sa as këpucë për ushtarët e policët nuk blejmë, apo nuk bëjmë dot?