Anti-Mafia10 Janar 2023, 10:33

Gjiri i Lalzit zgjerohet me 180 ha tokë shtetërore për vila e resorte; do t’i dhurohen bosëve “strategjikë”

Shkruar nga Pamfleti
Gjiri i Lalzit zgjerohet me 180 ha tokë shtetërore për vila e

Gjiri i Lalzit zgjerohet me 180 ha tokë shtetërore për vila e resorte; do t’i dhurohen bosëve “strategjikë”

Ende nuk dihet, se cilët do t’i përfitojnë këto 180 hektarë dhe parcelat e plazhit, por në xhepin e Edi Ramës është një listë e përhershme oligarkësh trashëguar nga Sali Berisha e Ilir Metaj por edhe të rinj që kanë marrë deri tani tokat nga Ksamili në Velipojë…

Me kërkesë të Ministres së Infrastrukturë- Energjisë, Belinda Balluku dhe me propozim të Ministres së Ekonomi-Financave Delina Ibrahimaj, si administratore e pasurive publike, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar zgjerimin e zonës së zhvillimit urban te Gjiri i Lalzit.

Nuk bëhet fjalë, për të shtuar e futur në mbrojtje hapësirën zonë e park bregdetar, por për të shtuar sipërfaqen me vila, komplekse apartamentesh e resortesh të tjera përgjatë zonës së Lalzit.

Sipas planimetrisë së paraqitur ditën e hënë në Këshllin Kombëtar të territorit, sipërfaqja aktuale do shtohet me afro 30% tokë e plazh pronë shtetërore, që do t’i jepen falas privatit për ndërtime, nën maskën e planit “Zhvillimi Turistik 2023-2025”.

Konkretisht, janë shtuar 180 hektarë tokë, që rezulton se nga 347.6 hektarë të urbanizuar e mbushur me objekte betoni deri tani, zona ndërtimore në Gjirin e Lalzit do bëhet 527.6 hektarë, ndërsa vija lineare e plazhit, është përcaktuar të bëhet 6.7 kilometër, nga 5.1 kilometër që është.

Për të përligjur këtë shkatërrim e grabitje të zonës së paprekur e të virgjër pyjore- bregdetare, Këshilli Kombëtar i Territorit me Kryetar Kryeministrin Edi Rama dhe Zv/kryetare Belinda Ballukun, do ta specifikojnë si zonë për zhvillim turistik strategjik me interes për ekonominë.

Por ashtu si 327.6 ha të grabitur deri sot te Gjiri i Lalzit, edhe këto 180 hektarë që Edi Rama po i shqyen bregdetit të kësaj zone, nuk do kenë lidhje me ekonominë dhe mirëqenien e shqiptarëve.

Por janë dhuratë vetëm për biznesin ndërtimor, që do bëjnë klientët, familjarët dhe trafikantët e lidhur me kryeministrin, ministrat e deputetët, të cilët do shesin apartamente, vila, restorante, qendra argëtimi, por  do ndërtojnë edhe hotele e resorte me kazino si biznese të tyre.

Parashikohet, që brenda muajit shkurt 2023, vendimi i Këshillit të Territorit i firmosur nga Edi Rama, do t’i çohet për zbatim Komitetit të Investimeve Strategjike (AIDA) me Kryetar Bordi po Edi Ramën, për të miratuar formalisht ndarjen e llokmave të 180 hektarë tokë e 1.6 kilometër plazh shtesë, për klientët strategjikë që do t’i caktojë Edi Rama.

Ende nuk dihet, se cilët do t’i përfitojnë parcelat e reja në Lalz, por në xhepin e Edi Ramës, është një listë e përhershme oligarkësh të trashëguar nga Saliu e Iliri, por edhe të rinj të kupolës “Rilindja”, që deri tani kanë marrë toka falas nga Ksamili në Velipojë./Pamfleti

Anti-Mafia “Pamfleti” #do t’i dhurohen bosëve “strategjikë” #Gjiri i Lalzit zgjerohet me 180 ha tokë shtetërore për vila e resorte