Bota11 Gusht 2022, 10:00

“Gjueti shtrigash”, Trump refuzon t’u përgjigjet pyetjeve në hetimin e Nju Jorkut

Shkruar nga Pamfleti
“Gjueti shtrigash”, Trump refuzon t’u përgjigjet pyetjeve

“Gjueti shtrigash”, Trump refuzon t’u përgjigjet pyetjeve në hetimin e Nju Jorkut

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjet si pjesë e hetimit të shtetit të Nju Jorkut lidhur me praktikat e biznesit të familjes së tij.

Zyrtarët shtetërorë e akuzojnë Organizatën Trump se ka mashtruar autoritetet në lidhje me vlerën e aseteve të saj, në mënyrë që të marrë kredi me norma të favorshme dhe të përfitojë lehtësime tatimore.

Trump mohon çdo keqbërje dhe ka thënë se ky hetim është një “gjueti shtrigash”.

Një orë pasi më 10 gusht hyri në zyrën në Nju Jork, ku u mor në pyetje nën betim, Trump lëshoi një deklaratë përmes së cilës kritikoi prokuroren e Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James dhe hetimin e iniciuar nga tij.

“Vite të tëra pune dhe dhjetëra milionë dollarë janë shpenzuar në këtë sagë të gjatë dhe pa ndonjë vlerë”, tha ai.

“Unë nuk pranova t’u përgjigjem pyetjeve në bazë të të drejtave dhe privilegjeve që u jepen çdo qytetari sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara”, shtoi Trump.

Zyra e prokurores James konfirmoi se intervista është realizuar më 10 gusht dhe se “Trump përdori të drejtën e amendamentit 5 kundër inkriminimit të vetes”.

“Prokurorja e Përgjithshme James do të ndjekë faktet dhe ligjin, kudo që ato mund të dërgojnë”, u tha në deklaratë. “Hetimi ynë vazhdon”.

Kur të përfundojë hetimi, Prokuroria e Përgjithshme e Nju Jorkut mund të vendosë nëse do të padisë Trumpin ose kompaninë e tij për të kërkuar ndëshkime financiare.

Prokurorja James kishte kërkuar marrjen në pyetje të Trumpit dhe dy fëmijëve të tij, Ivanka dhe Trump Jr për më shumë se gjashtë muaj, por familja Trump kishte sfiduar këtë kërkesë në sistemin gjyqësor të Nju Jorkut.

Por, në shkurt Gjykata Supreme e Nju Jorkut dha vendim se të tre duhet të paraqiten për dhënien e dëshmive të tyre. Ivanka dhe Donald Trump Jr janë marrë në pyejte më herët gjatë këtij muaji.

Marrja në pyetje e ish-presidentit Trumpi vjen disa ditë pasi Byroja Federale e Hetimeve (FBI) kreu bastisje në shtëpinë e tij në Floridë, si pjesë e një hetimi lidhur me mënyrën se si ish-presidenti amerikan ka trajtuar materialet e klasifikuara.

Trump: Agjentët e FBI-së më bastisën shtëpinë në Florida

Përderisa hetimi në Nju Jork është rast civil, në hetim paralel po kryhet nga Zyra e Prokurorisë në qarkun e Manhatan, që mund të rezultojë me akuza penale.

Analistët ligjorë kanë sugjeruar se Trump mund të ketë refuzuar që të përgjigjej në pyetje të mërkurën, për shkak se përgjigjet e tij do të mund të përdoreshin kundër tij në këtë hetim penal.

Amendamenti 5, që Trump përdori, mbron qytetarët amerikanë nga detyrimi që të jenë dëshmitarë kundër vetvetes në çështje penale./REL

Bota