Bota24 Qershor 2022, 18:13

Gjykata e Lartë amerikane merr vendimin historik, miliona gra humbasin të drejtën e abortit

Shkruar nga Pamfleti

Gjykata e Lartë amerikane i ka dhënë fund mbrojtjes kushtetuese gati 50 vjeçare për abortin – një vendim i shumicës së saj konservatore për të përmbysur çështjen historike të gjykatës.

Vendimi i së premtes pritet të çojë në ndalimin e abortit në afërsisht gjysmën e shteteve amerikane. Vendimi, i paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë, ishte kulmi i përpjekjeve prej disa dekadash të kundërshtarëve të abortit, i mundësuar nga një krah i guximshëm i djathtë i gjykatës që është forcuar nga tre anëtarët e saj të emëruar nga ish-presidentit Donald Trump.

Vendimi erdhi më shumë se një muaj pas rrjedhjes së informacionit për një draft-opinion nga gjyqtari Samuel Alito që tregonte se gjykata ishte e përgatitur për të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm.

Sipas sondazheve të opinionit, vendimi e vë gjykatën në kundërshtim me shumicën e amerikanëve që favorizojnë mbrojtjen e së drejtës së abortit.

Gjykatësi Alito, në opinionin përfundimtar të lëshuar të premten, shkruante se çëshja Roe dhe Planned Parenthood kundër Kejsit, vendimi i vitit 1992 që ripohoi të drejtën e abortit, ishin të gabuara ditën që u vendosën dhe duhet të anulohen.

Autoriteti për të vendosur rregulla mbi abortin u takon degëve politike, jo gjykatave, shkroi gjykatësi Alito.

Me gjykatësin Alito u bashkuan gjyqtarët Clarence Thomas, Neil Gorsuch, Brett Kavanaugh dhe Amy Coney Barrett. Tre gjyqtarët e fundit janë të emëruar nga ish presidenti Trump. Gjykatësi Thomas votoi për herë të parë për të rrëzuar të drejtën e abortit 30 vjet më parë.

Gjyqtarët Stephen Breyer, Sonia Sotomayor dhe Elena Kagan – krahu liberal i gjykatës – ishin në kundërshtim.

Sipas statistikave të analizuara nga Associated Press, vendimi pritet të prekë në mënyrë disproporcionale gratë e pakicave që tashmë përballen me qasje të kufizuar në kujdesin shëndetësor. / VOA

Bota abort gjykata