Aktualitet28 Gusht 2018, 15:52

Gjykatat në kaos/ 4 vende vakante dhe dhjetëra aplikime, krijimi i Kushtetueses mbetet shumë larg

Shkruar nga Pamfleti
Gjykatat në kaos/ 4 vende vakante dhe dhjetëra aplikime, krijimi i

Gjykatat në kaos/ 4 vende vakante dhe dhjetëra aplikime, krijimi i Kushtetueses mbetet shumë larg

Një listë e re e Kuvendit iu bashkangjit dhjetra kandidatëve për 4 vendet vakante, por paralizimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe boshatisja e Gjykatës së Lartë e bëjnë të vështirë një zgjidhje të shpejtë për Gjykatën Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë publikoi të martën listën e kandidatëve për njërin nga shtatë vendet e mbetura bosh në Gjykatën Kushtetuese, atë të Fatos Lulos së shkarkuar gjatë procesit të vetingut.
Sipas një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, kandidatë janë tre këshilltaret e Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Valbona Bala, ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, ish- ministri i Drejtësisë, Ilir Panda si dhe avokatët Sinan Tafaj dhe Vasil Bendo.

Kjo është procedura e dytë e Kuvendit për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, pas asaj të hapur për zëvendësimin e Vladimir Kristos, i cili dha dorëheqjen me mbarimin e mandatit. Më herët, edhe presidenti i Republikës ka hapur procedurat për zëvendësimin e dy ish-anëtarëve Sokol Berberi dhe Besnik Ymeraj, të dy të larguar me dorëheqje nga Gjykata Kushtetuese.

Por ndonëse dy institucionet reaguan pa vonesa dhe dhjetra kandidatë u përgjigjën me shprehjen e tyre të interesit, [shumica e kandidatëve kanë aplikuar më shumë se një herë], plotësimi i Gjykatës Kushtetuese duket ende i largët.

Kushtetuta sanksionon që vakancat në Gjykatë Kushtetuese të zëvendësohen me emërime të kryera nga Kuvendi i Shqipërisë, Presidenca dhe Gjykata e Lartë, me kushtin që renditja fillestare e listës së aplikantëve të bëhet nga një institucion i katërt i quajtur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, raporton Reporter.al. Por Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED, një organ kolegjial me 9 anëtarë, i zgjedhur me short çdo fillimvit mes përfaqësuesve të shkallëve të ndryshme të sistemit gjyqësor dhe atij të prokurorisë është aktualisht jofunksional.

Katër anëtarë të KED, mes të cilëve edhe kryetari Artan Broci si dhe një anëtar zëvendësues u shkarkuan nga detyra gjatë procesit të vetingut, ndërkohë që katër anëtarë të tjerë nuk e kanë kaluar ende procesin. Kësisoj, shqyrtimi i kandidaturave nga Këshilli mbetet pezull, ndoshta deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj në fillim të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, plotësimi i tre vakancave të Gjykatës Kushtetuese nga anëtarët e Gjykatës së Lartë duket gjithashtu i largët në kohë, sa kohë që vetë Gjykata e Lartë ka mbetur me vetëm katër anëtarë që i mbijetuan shkallës së parë të vetingut.

Gjykata e Lartë kishte 17 anëtarë në fillim të vetingut, por ka mbetur aktualisht me katër anëtarë; kryetarin Xhezair Zaganjori dhe anëtarët Ardian Dvorani, Edmond Islamaj dhe Medi Bici. Por edhe ky konfigurim nuk është përfundimtar, sa kohë që konfirmimi i Islamajt është apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelit dhe Zaganjori po përballet me një kontestim nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Mosfunksionimi i përkohshëm i Gjykatës Kushtetuese është konsideruar si një problem i rëndë nga opozita politike por edhe nga ekspertë të ndryshëm dhe praktikantë të ligjit. Pavarësisht se shumica e anëtarëve të kësaj gjykate u rrëzuan në veting ose u tërhoqën para vetingut, kjo gjykatë u është përgjigjur një numri të lartë kërkesash për antikushtetutshmëri ligjesh ose vendimesh qeverie në të shkuarën.

Aktualitet dhjetra aplikime Gjykata kushtetuese vendet vakante