Aktualitet25 Janar 2019, 17:56

Gjykatat pa gjyqtarë, KLGJ merr vendimin se si do të zgjidhet ngërçi

Shkruar nga Pamfleti

Gjykatat pa gjyqtarë, KLGJ merr vendimin se si do të zgjidhet ngërçi

Prej muajsh, shumë gjykata Apeli kanë mbetur pa gjyqtarë.

Trupat gjyqësore deri më tani po plotësoheshin me ‘gjyqtarë shëtitës’, nga Tirana nëpër qytete të tjera.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, i konstituar para pak ditësh, ka marrë vendimin e parë për të kaluar ngërçin.

Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e katër ditëve më parë të KLGJ-së, drejtuar nga kryetarja Naureda Llagami, gjyqtarët do të delegohen, ose do të transferohen përkohësisht në gjykata e vendit, ku nuk ka gjyqtarë.

Ata do të duhet të plotësojnë dy deklarata, atë për kandidim në skemën e delegimit, ose për dhënie pëlqimi për transferim të përkohshëm.

Vendimi i KLGJ-së:

Këshilli i Lartë Gjyqësor, i mbledhur në datën 22.1.2019, në përmbushje të përgjegjësive për mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, në respektim të parimit qeverisës të eficiencës, në ushtrim të kompetencave në lidhje me administrimin e gjykatave, bazuar në nenin 147 të Kushtetutës të

Republikës së Shqipërisë, nenet 2 dhe 89, të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në funksion të aplikimit të skemës së delegimit dhe asaj të transferimit të përkohshëm, sipas neneve 45 dhe 46, të ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”,

VENDOSI:

1. Fillimin e procesit për krijimin e skemës së delegimit, si dhe, deri në zbatimin e saj, për transferimin e përkohshëm në çdo gjykatë ku evidentohet nevoja për krijimin e trupës gjyqësore në rastin konkret.

2. Të kërkohet pëlqimi i të gjithë magjistratëve në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit në Republikën e Shqipërisë, që pa lëvizur nga pozicioni ku është emëruar, për kandidimin në skemën e delegimit sipas nenit 45, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si edhe për dhënien e pëlqimit për transferimin e përkohshëm sipas nenit 46 të këtij ligji.

3. Dhënia e pëlqimit nga magjistratët të dokumentohet me një deklaratë me shkrim sipas formatit bashkëlidhur këtij vendimi, ku të evidentohet qartë pëlqimi i tij sa i përket kandidimit në skemën e delegimit dhe/ose për transferimin e përkohshëm.

4. Dhënia e pëlqimit me shkrim nga magjistratët të depozitohet, brenda datës 25.1.2019, pranë Kryetarit të Gjykatës ku magjistrati ushtron funksionin.

5. Kryetari i Gjykatës, brenda datës 26.1.2019, depoziton deklaratat për dhënien e pëlqimit të magjistratëve, në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

6. Në mungesë të dhënies nga magjistratët të pëlqimit sipas nenit 45, 46 të ligjit, Këshilli i Lartë Gjyqësor do të fillojë procedurat sipas nenit 46, pika 2, të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, për përmbushjen e nevojave të gjykatave.

Ky nen, në pikën 2 thotë se: ‘Në rastin kur asnjë magjistrat nuk jep pëlqimin për t’u transferuar përkohësisht, Këshilli i kërkon një magjistrati nga një gjykatë ose prokurori me ngarkesë më të ulët për t’u transferuar përkohësisht. Ky magjistrat duhet të jetë me përvojën më të pakët si magjistrat në atë gjykatë ose prokurori, si dhe duhet të përmbushë kriteret për pozicionin që kërkohet për t’u transferuar përkohësisht, Në këtë rast, Këshilli merr paraprakisht mendimin e kryetarit të gjykatës ose prokurorisë ku ushtron funksionin magjistrati’.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Aktualitet Gjykatat Gjyqtare KLGJ