Deputetja e PS Blerina Gjylameti, ka sulmuar presidentin Ilir Meta për anshmëri në vendimmarrje.
Në një intervistë televizive, Gjylameti teksa foli për presidentin e ri që do të vihet në krye të institucionit të presidencës, tha se presidenti i Shqipërisë duhet të jetë në nivelin që i takon. Ajo theksoi se Meta nuk ka respektuar atë që thotë Kushtetuta, dhe sipas saj ai ka qenë i njëanshëm.
“Unë besoj se ka të bëjë me gjetjen e një emri që duhet të jetë emri konsensual, apo ai që duhet të jetë mbi palët që ne të kemi ngritjen e figurës së presidentit në nivelin që duhet të jetë. Ajo që ne kemi parë në këto vite është një President Republike që vetëm në atë çka Kushtetuta përcakton, nuk ka respektuar asnjëherë. Ai ka qenë edhe kryetar ‘de fakto’ i opozitës shpeshherë. Ka qenë i anshëm në vendimmarrjet e tij”, tha ajo.
Gjylameti, është shprehur se situata politike në vendin tonë është e pazakontë, ndërsa ka komentuar situatën brenda PD ajo thotë se aktualisht janë dy kryetarë brenda një partie. Sipas saj, duhet që të gjendet një rrugë komunikimi edhe mes mazhorancës dhe presidentit.
“Kemi një PD e cila ‘de fakto’ dhe ‘de juro’ ka dy kryetarë të saj. Do duhet të shkojmë përtej faktit të gjetjes së një dialogu për një figurë konsensuale të Presidentit të Republikës. Ajo çfarë Rama përmendi në mbledhjen grupit të parlamentar të PS, ishte për t’iu drejtuar qoftë edhe mendimit të qytetarëve shqiptarë se kush mund të jetë figura më konsensuale për të qenë në një nivel tjetër të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, pasi është ai që i bashkon palët”, tha ajo.
Ndër të tjera, Gjylamenti theksoi, se PD-së i është shtrirë gjithmonë dorë për bashkëpunim. Ajo theksoi, se kjo gjë ka qenë e pamundur.
“Gjatë gjithë këtyre viteve që ne kemi qenë në pushtet ka qenë një dorë e shtrirë për PD, apo për opozitën për të arritur që të kemi dialog, gjë e cila ka qenë e pamundur. Kemi parë nga ana e opozitës që ka pasur gjithmonë një debat destruktiv dhe kurrë nuk ka pasur një dialog për të arritur përmbushjen dhe adresimi i problematikave të interesit kombëtar”, tha ajo.