Në Shqipëri çuditë nuk mungojnë, por sot një e tillë ka ardhur nga SPAK.
SPAK i cili është institucioni kryesor i drejtësisë që duhet të hetojë korrupsionin në nivelet më të larta ka përfunduar në një derexhe që ka sjellë një fshat të tërë në Tiranë për të dëshmuar për një autokombanjë gruri.
Një autokombanjë që përdoret si arsye për të justifikuar pasurinë e dyshuar se vjen nga krimi ka bërë bashkë banorët e fshatit Kozare të Kuçovës, të cilët kanë përfunduar sot “në sitën” e SPAK.
Kjo histori e pazakontë është pjesë e një procesi gjyqësor po zhvillohet në gjykatën e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndaj një subjekti të OFL (operacionit forca e ligjit ) .
SPAK ka kërkuar konfiskimin e pasurisë së Bektash Shtëpënjës pasi djali i tij rezulton i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni.
Për të justifikuar 2 shtëpitë, një garazhd dhe një automjet si dëshmitarë janë thirrur 240 fermerë të fshatit Kozare në Kuçovë, rreth 120 janë pyetur deri tani.
Fshatarët kanë dëshmuar se pagesën Bektashit për korrjen e grurit dhe të mbjellat ja jepnin në dorë. Ditën e sotme do të pyeten 20 dëshmitarë.
Gjyakata e pyeti njërin nga fshatarët: Kush ta korr grurin?
“Bektashi na i korr prej 1991 dhe këtë vit na i la rritur korrjen e gruriz se është rritur nafta”, tha dëshmitari.
Zani Suli, një fermer 75 vjeçar, ishte njëri prej 240 fshatarëve të fshatit Kozarë në Kuçovë, dëshmitarëve në SPAK për çështjen e Bektash Shtëpënjas.
Ai thotë se prej vitesh e ka korrur gjithmonë grurin me Bektashin.
“Ai është fermer i shkëlqyer. Vetëm në dorë ia kemi dhënë lekët. Pardje e korra unë, 6 dynym. Në dorë ia dhashë lekët. Është rritur edhe çmimi sivjet. Unë nuk e njoh mirë, fëmijët nuk ia njoh por Bektashi nuk është marrë me këto gjëra”, tha dëshmitari.