Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një deklarate për mediat ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga kërkesa për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, për çështjen Becchetti. Kryedemokrati Lulzim Basha akuzoi kreun e qeverisë se ai gënjen kur mohon gjobën që duhet të paguajnë shqiptarët.
Basha tha më tej se kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Veliaj, për një luftë personale do i kushtojnë buxhetit të shtetit 120 milionë euro. Kryedemokrati tha më tej se mbyllja e medias së Becchettit, ka ndodhur për arsye politike.
Për Lulzim Bashën nuk ka asnjë sekret në çështjen “Becchetti” dhe Rama gënjen kur thotë që nuk mund të publikohet dokumentacioni.
“Rama e dinte fare mirë që vendimi është përfundimtar dhe ka mashtruar qytetarët shqiptarë. Pse gënjen kur i ka të gjitha faktet? Dhe faktet i ka të gjitha në internet. Pse në kundërshtim me Kushtetutën kërkon të pengojë ‘Becchettin’? Pse vazhdon të gënjejë me gjoja sekretin e nëj dokumenti që është publik? Janë 120 milionë euro të vendit më të varfër në Evropë”, tha Basha.
Fjala e Bashës për çështjen Becchetti:
“Që Edi Rama gënjen, nuk është lajm, por duke qenë se këtu bëhet fjalë për një dëm prej më shumë se 120 milionë euro, fshehja e tij pas sekretit, është qesharake, sepse vendimi është “fshehur” në hapësirën më sekrete të botës, në internet (tregohet në ekran). Pra, aq konfidencial është ky vendim, saqë unë, ju, qytetarët nga shtëpia, me një kompjuter apo me një smartphone, këtu në Shqipëri apo në Dealer-in e kompanive të tyre offshore apo çdo cep të botës mund të aksesojnë dhe të gjejnë këtë dokument “sekret” që kemi përpara nesh.
Tani, kush e dëmton shtetin shqiptar, ne që kërkojmë transparencë dhe llogaridhënie për një proces të përfunduar që ka prodhuar një dëm ekonomik që do të tejkalojë 120 milionë euro apo ai që e përdori shtetin për një luftë personale që do t’u kushtojë shqiptarëve më shumë se 120 milionë euro?! Pyetja është retorike. Të dëgjojmë edhe çfarë ka thënë për këtë vendim të arbitrazhit (video ku thotë që nuk do të marrë gjë Becheti) Ndërkohë që e dinte që vendimi është përfundimtar, madje edhe studiot ligjore që janë paguar me shifra të majme për të mbrojtur Shqipërinë, ia kanë thënë, por ai vazhdon të gënjejë edhe sot, duke prodhuar justifikime të sabotueshme edhe nga një dhjetëvjeçar me telefon në dorë”