Aktualitet15 Dhjetor 2022, 18:31

Gjyqi për vulën makth për Berishën, thërret Këshillin Kombëtar ditën kur do të vendoset për fatin e PD

Shkruar nga Pamfleti
Gjyqi për vulën makth për Berishën, thërret

Gjykata e shtyu për të martën që vjen seancën, por në të njëjtën ditë, Berisha do të tentojë të tregojë sërish se demokratët shkojnë pas tij.

Gjyqi për vulën e PD duket se po e lë pa gjumë Sali Berishën. Deri më tani ai është shtyrë 3 herë dhe sa më shumë zvarritet, aq më keq është për ish-kryeministrin. Për sa kohë nuk ka një vendim, vulën e ka Enkelejd Alibeaj dhe Berisha nuk futet dot në zgjedhjet lokale nën logon e PD.

Seanca e radhës është vendosur të mbahet më 20 dhjetor. Deri më tani nuk është arritur të mbahet asnjë seancë, por sinjalet janë se këtë herë procesi do të nisë zyrtarisht, ku gjykata të njihet me pretendimet e palëve. Por gjyqi duket se shqetëson më shumë Berishën.

Seanca e fundit ishte më 6 dhjetor dhe në këtë datë, Berisha doli në protestë. Edhe pse për shumë kënd protesta ishte për Samitin e BE, në fakt duket se tubimi ishte dhe për të dhënë një mesazh te gjykata se në të vërtetë e ka ai drejtimin e PD.

Por Berisha ka zgjedhur të njëjtën strategji edhe më 20 dhjetor. Gjykata e shtyu për të martën që vjen gjyqin, por në të njëjtën ditë, Berisha do të tentojë të tregojë sërish se demokratët shkojnë pas tij. Mësohet se ai do të thërrasë në këtë datë Këshillin Kombëtar. Pritet që aty të merren vendime sa i takon zgjedhjeve vendore. Foltorja i ka zyrtarizuar tashmë kandidatët dhe pritet që të nisë fushatën. Por për sa kohë nuk ka folur gjykata, vulën dhe logon e PD i ka Alibeaj.

Ky i fundit pritet të dalë me kandidatë në 61 bashkitë e vendit dhe duket se gjithçka shkon në disfavor të deputetit “non grata”. /Pamfleti

Kryesore Berisha koeshilli kombetar