
Gjyqtari i Krimeve të Rënda para KPK-së, pasuria e Dritan Hallunaj u rrit 27 herë në 14 vite karrierë
Paraditen e sotme ka nisur seanca dëgjimore për Dritan Hallunaj, gjyqtarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda prej vitit 2003. Ai është paraqitur i vetëm pa avokat përballë KPK-së i cili përfaqësohet në këtë proces nga Pamela Qirko, Suela Zhegu dhe Genta Tafa (Bungo).
Sipas ILDKPKI subjekti nuk ka probleme me pasurinë.
Ai është kandidati i fundit i Këshillit të Lartë Gjyqësor që përballet me procesin e vetingut. Nga lista prej 14 kandidatësh nga radhët e gjyqësorit, KPK ka konfirmuar 6 kandidatë, ka shkarkuar 5 dhe tre të tjerë janë ende në pritje të seancës dëgjimore apo të vendimit.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Dritan Hallunaj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se Dritan Hallunaj zotëronte një pasuri prej 500 mijë lekësh në vitin 2003-kur deklaroi për herë të parë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Referuar deklaratës së vitit 2003, gjyqtari Hallunaj zotëronte vetëm një makinë.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e gjyqtarit Hallunaj është rritur me 27 herë, duke kapur vlerën e 13.4 milionë lekëve. Pasuria familjare e gjyqtarit të Krimeve të Rënda përbëhet nga një apartament në vlerën e 6 milionë lekëve, likujditete në bankë në vlerën e 5.7 milionë lekëve, 750 mijë lekë kursime në cash dhe automjet me vlerë 1 milion lekë.
Të ardhurat familjare të përfituara për periudhën deklaruese 2004-2017 janë 33.6 milionë lekë. Paga nga funksioni e gjyqtarit Hallunaj përbën gati 60 për qind të të ardhurave totale, paga e bashkëshortes 14.3 për qind, ndërsa dhuratat në cash përbëjnë 21.4 për qind.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit.
BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me diferenca negative. BIRN identifikoi megjithatë si “flamur të kuq” vlerat e konsiderueshme të dhuratave në cash që gjyqtari Hallunaj dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar nga familjarët.
Deri në vitin 2006, bashkëshortja e zotit Hallunaj kontribuon në pasurinë familjare shumën 10 mijë euro për blerjen e një apartamenti dhe 3 milionë lekë me burim “të ardhurat e saj dhe prikë martese nga babai”.
Ndërsa në vitin 2012, edhe gjyqtari Hallunaj merr dhuratë nga babai 30 mijë euro, të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të likujditeteve të tij në bankë.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.