Aktualitet 1 Qershor 2018, 10:59

Gjyqtarja e Kurbinit del “faqebardhë” nga Vettingu, si ndryshoi pasuria e saj në 10 vite

Shkruar nga Pamfleti
Gjyqtarja e Kurbinit del “faqebardhë” nga Vettingu, si ndryshoi

Sot ka qenë radha e gjyqtares Marçela Shehu që të dalë në seancën dëgjimore publike në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Gjytarja e rrethit gjyqësor të Kurbinit kalon në sitën e vettingut për anën profesionale, pasurinë dhe integritetin. Trupa e KPK-së që shqyrton rastin e saj përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici dhe me sa duket do të rikonfirmohet në detyrë. Marçela Shehu është kandidate edhe për një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Ndërkohë, katër ditë më vonë në sitën e vettingut do të kalojë gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Trupa gjykesë që do të vendosë për të përbëhet nga Suela Zhegu, Pamela Qirko dhe Genta Tafa. Në të njëjtën ditëështë dhe Dritan Prenci, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Marçela Shehu e nisi karrierën në gjyqësor në vitin 2006. Ajo ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe pasi punoi për pak muaj në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare e Gjykatës së Kurbinit-pozicion të cilin e mban edhe sot.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Marçela Shehu nga viti 2006 deri në vitin 2016.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Marçela Shehu zotëronte një pasuri familjare prej 1.3 milionë lekësh në vitin 2006. Në fund të vitit 2016, pasuria e saj është dyfishuar, duke kapur vlerën e rreth 2.7 milionë lekëve.

Pasuria familjare e zonjës Shehu ndahet në 200 mijë lekë llogari bankare, 1.5 milionë lekë kursime në cash dhe rreth 1 milion lekë automjete. Gjyqtarja ka gjithashtu në bashkëpronësi një shtëpi private të ndërtuar në vitet 1998-2000, të cilën e ka përfituar si rrjedhojë e martesës dhe e ka deklaruar atë në vitin 2007.

Të ardhurat e gjyqtares Shehu përbëhen vetëm nga paga e saj dhe ajo e bashkëshortit, të cilat kapin në total vlerën e 12.9 milionë lekëve. Përgjatë viteve në karrierë, zonja Shehu ka shënuar një rritje mesatare të pasurisë prej 133 mijë lekësh në vit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Në rastin e zonjës Shehu iu nënshtruan kontrollit aritmetik-logjik 11 deklarata pasurie, të cilat rezultojnë të gjitha pa probleme.

Deklarata e pasurisë para fillimit të detyrës

Deklarata e pasurisë për vitin 2006  

Deklarata e pasurisë për vitin 2007  

Deklarata e pasurisë për vitin 2008

Deklarata e pasurisë për vitin 2009

Deklarata e pasurisë për vitin 2010

Deklarata e pasurisë për vitin 2011

Deklarata e pasurisë për vitin 2012

Deklarata e pasurisë për vitin 2013

Deklarata e pasurisë për vitin 2014  

Deklarata e pasurisë për vitin 2015

Deklarata e pasurisë për vitin 2016

Aktualitet