Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj priti Prokurorin Kombëtar të Drejtorisë Antimafia dhe Antiterrorizmit në Itali Federico Cafiero De Raho, me të cilin ka implementuar një sërë bashkëpunimesh institucionale me qëllim goditjen e krimit të organizuar dhe terrorizmit.
“Kemi ngritur skuadra hetimore të përbashkëta për të luftuar së bashku organizata kriminale shqiptare që zhvillon aktivitetin qoftë në Itali qoftë në Shqipëri.” – u shpreh De Raho.
Për këtë çështje ka folur edhe Duncan Norman. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri kërkoi nga drejtoria e Burgjeve shqiptare të bëjë më shumë që të bllokojë komunikimet me telefon të të dënuarve brenda qelive, kriminelë që drejtojnë ende bandat e tyre mafioze jashtë dhe krimet vazhdojnë.
“Burgjet kanë kriminelë të nivelit të lartë dhe janë kërcënim i vërtëtë për shoqerinë. Ne e dimë që kanë vazhduar të drejtojnë grupet e tyre mafioze edhe brenda mureve të burgut. Një punë e mëtejshme që duhet të bëjë drejtoria e burgjeve për të bllokuar komunikimin e tyre me telefon. Lufta kundër krimit vetëm në këtë mënyrë mund të ndalohet dhe këtë luftë duhet ta bëjmë jo vetëm në rrugët e Britanisë apo Shqipërisë”, tha ai.