Aktualitet11 Maj 2018, 20:49

Grabitja e postës sekrete/ Hetim edhe brenda Prokurorisë për dekonspirim 

Shkruar nga Pamfleti
Grabitja e postës sekrete/ Hetim edhe brenda Prokurorisë për

Grabitja e postës sekrete/ Hetim edhe brenda Prokurorisë për dekonspirim 

Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet dhe kërkimet për dy autorët që grabitën me dhunë paraditen e së martës postën sekrete të Prokurorisë së Durrësit.

 Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes dyshon se autorët e grabitjes janë informuar nga brenda organit të akuzës për materialet që do të mbërrinin në Prokurorinë e Durrësit, me postën sekrete të asaj dite.

Për këtë arsye, krahas kërkimeve për dy autorët e grabitjes, hetime po kryhen edhe brenda institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, ku po verifikohen personat që kanë dijeni për përmbajtjen e postës që do të mbërrinte në Durrës.

“Autorët e grabitjes kanë pasur dijeni për përmbajtjen që kishin materialet që do të mbërrinin në Prokurorinë e Durrësit.

 Pra, ata nuk kanë lejuar që këto materiale të mbërrinin në Prokurori. Po ngrihet pyetja nga e dinin autorët se ç’kishte posta e së martës?!

Ne dyshojmë se autorët, informacionin për përmbajtjen e postës së të martës, e kanë marrë nga persona që kanë pasur dijeni për materialet që ndodheshin në çantën e postierit të Prokurorisë.

Në këto kushte, pjesë e hetimit janë edhe personat që merren me dërgesën e postës dhe që protokollojnë këto materiale që iu nisën Durrësit”, bëjnë të ditur burime nga grupi i hetimit.

Sakaq, në bazë të të dhënave që vuri në dispozicion korrieri i Prokurorisë, Ilir Kapxhiu, Policia ka arritur të ndërtojë identikitin e autorëve dhe ka shoqëruar disa persona, të cilët dyshohet të kenë dijeni për ngjarjen.

 Sipas korrierit të Prokurorisë, autorët ishin dy djem të rinj rreth 30 vjeç, të gjatë rreth 1.75-1.80 cm.

Ndërkohë, Policia ka shoqëruar pronarët e dyqaneve në rrugicën “Kumini”, ku ndodhi ngjarja për të dhënë dëshminë e tyre në komisariat, ndërsa do të shihen edhe pamjet filmike nga kamerat e sigurisë të bizneseve që ndodhen në këtë rrugë.

E ndërsa Prokuroria e Durrësit është treguar e rezervuar sa i përket informacionit se çfarë materialesh përmbante posta sekrete e ditës së martë, burime konfidenciale bënë të ditur se në drejtim të Durrësit janë nisur një numër i konsiderueshëm aktesh të partnerëve ndërkombëtarë, si edhe të tjera dokumente sekrete.

Po të njëjtat burime saktësojnë se bëhet fjalë për të paktën 5 materiale të ardhura nga agjencitë e huaja ligjzbatuese të një rëndësie të veçantë.

Madje, një prej të cilave është për një çështje me sensitivitet të lartë.

 Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar me postë sekrete materialet e mbërritura gjatë 4 ditëve të fundit, përfshirë edhe ato që kanë mbërritur me urgjencë gjatë fundjavës.

Të gjitha këto materiale janë dokumente origjinale, pasi vetëm në mënyrë të tillë mund të pranohen nga Gjykata.

Duke rindërtuar skemën, Prokuroria e Përgjithshme, në çdo rast, dërgimin e të dhënave sekrete ia bën paraprakisht me dije edhe titullarit të Prokurorisë pritëse, në rastin konkret Kryeprokurores së Durrësit, Donika Prela.

Aktualitet Durrës Grabitja Hetime Posta sekrete Prokuroria