Bota12 Shkurt 2023, 14:29

Greqia dhe Turqia “ulin gjakrat” pas tërmetit, ministri Çavusoglu: Prania e Dendias këtu tregon mbështetje

Shkruar nga Pamfleti

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka vizituar këtë të diel zonat e prekura nga tërmeti në Turqi, ku është shoqëruar nga homologu i tij turk Mevlut Çavusoglu.

Ata kanë mbikëqyrur nga një fluturim me helikopter sipërfaqen e shkatërruar.

Të dy zyrtarët e lartë dhanë mesazhin e qartë, se “nuk duhet të pritet një tërmet për të përmirësuar marrëdhëniet tona”, raportojnë mediat greke.

“Prania e Nikos Dendias sot këtu tregon mbështetjen dhe solidaritetin e popullit grek ndaj turqve.”, tha ministri turk.

Ndërsa ministri grek Dendias theksoi se Greqia ishte një nga vendet e para që thirri dhe i propozoi ndihmë Turqisë pas tërmetit

“Dëshiroj t’i përcjell udhëheqjes turke dhe popullit turk ngushëllimet më të ngrohta të qeverisë Mitsotakis dhe të gjithë popullit grek për humbjet pas dy tërmeteve shkatërruese.Kjo tregon solidaritetin e popullit grek me Turqinë dhe popullsinë turke. Greqia ishte një nga vendet e para që thirri dhe i propozoi ndihmë Turqisë pas tërmetit.”, tha ai.

Greqia dhe Turqia kanë një histori rivaliteti prej shekujsh, të përkeqësuar nga mosmarrëveshjet territoriale dhe energjetike, së fundmi nga kërcënimet e pushtimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan.

Bota #tërmeti Dendias Greqia TURQI