Editorial24 Nëntor 2022, 17:26

‘Gropa’ e thellë që i ka hapur Kosovës Vjosa me militantët ‘tallava’

Shkruar nga Pamfleti
‘Gropa’ e thellë që i ka hapur Kosovës Vjosa me

‘Gropa’ e thellë që i ka hapur Kosovës Vjosa me militantët ‘tallava’

Përveçse mjaft arkaike, kjo mënyrë lufte nuk i takon Kosovës, e cila është bërë kjo që është vetëm në sajë të përkrahjes së pjesës më të rëndësishme të botës perëndimore…

Tashmë marrëveshja në Bruksel u arrit ndërmjet Prishtinës e Beogradit, ku u la që status-quo’ja e targave të vijojë pa afat. Me një fjalë, serbët e veriut të vijojnë të përdorin tabelat me gërmat KIM pra Kosovë dhe Metohi që bëhen nga Serbia.

Në thelb, është një problem i madh, pasi nuk mundet që një shtet të prodhojë targa për një tjetër shtet, por thelbi është se këto targa, Republika e Kosovës nuk i njeh, pra nuk i regjistron.

Këto makina janë një mish i huaj realisht, që tregon se Beogadi e ka ende dorën e tij në Kosovë. Megjithatë nuk janë targat dora e vetme që Beogradi ka shtrirë në shtetin e Kosovës në aspektin administrativ.

Më e rëndë është historia e dokumenteve që ende Beogradi shpërndan për qytetarët e Kosovës, karta identiteti e pasaporta. A ka një të dhënë sot qeveria e Kosovës se sa shqiptarë të Kosovës ende zotërojnë ID apo pasaporta serbe? Natyrisht që ka! E kjo duhet të publikohet sa më shpejt pasi është e dhënë më e rëndë se targat provisore KIM.

Përveç problemeve anakrafike, pra letrave për të cilat desh edhe plasi lufta, që në fakt nuk kishte pse plaste, çështja e influencës së Serbisë në Kosovë as nuk ka përfunduar e as mund të përfundojë kaq shpejt, si për arsye objektive, por edhe si dialektikë e një ndikimi që nuk mund të largohet kaq shpejt. Duke nisur nga influenca ose më mirë varësia tregtare e ekonomike e Kosovës nga Serbia, e cila nuk është dramë, ngaqë vjen si zhvillim i diktuar tregu, por edhe influencë politike, të shërbimeve sekrete, kulturore apo mediatike.

Mjafton të shohësh emrat e disa prej portaleve të Kosovës, të cilat kanë të njëjtët sigla si ato në Beograd: blic, telegraf, ekspres, nacional etj etj. Natyrisht që mediat e Prishtinës me këto emra nuk se kanë lidhje me homologët nominative të Beogradit, por qoftë subkoshienca apo ideja se po homologohen me të ngjashmit është shenjë e një influence që tregon gjurmët që pushtimi serb ka lënë në Kosovë. E ky nuk është aspak një fenomen vetëm shqiptar, as ballkanik e as europian. Në të gjithë botën shtetet koloniale që kanë pushtuar apo administruar një vend kanë lënë shenjat e tyre. Madje ka mjaft raste që edhe pa pushtuar, influenca e vendeve protektorative apo ndikuese, kanë lënë shenjë në gjuhë, kulturë apo fusha të tjera në bazë të peshës që kanë pasur në një vend të caktuar.

E në këtë rast në Kosovë, Serbia do të përpiqet gjithmonë që të ruajë influencën e saj, qoftë për ata elementë që u përmendën më sipër, apo edhe për të tjerë që janë më të rëndësishëm; si manastiret e Deçanit, që është edhe tempulli i shugurimit të krerëve të Kishës Ortodokse të Kosovës.

Në shekuj, shqiptarët, përkatësisht ata të Rrafshit të Dukagjinit i kanë ruajtur manastiret serbe, disa herë duke rrezikuar edhe jetën e tyre, e ky është një fakt dhe pjesë e trashëgimisë kulturore siç edhe vetë manastiret serbe janë në vetvete. Këtë nuk e kanë bërë as serbët për objektet shqiptare të kultit, as kroatët, e as të tjerët në ballkan.

Për standartin serb, i cili në shekuj ka djegur e rrafshuar çdo element apo qënie të gjallë në zonën që ka pushtuar mund të quhet dobësi, por sot, në Europën e qytetëruar kjo është vlerë. E Shqiptarët nuk kanë rrugë tjetër, përpos ta ruajnë këtë vlerë, madje ta bëjnë edhe më shumë të ditur për të gjithë si një virtyt të tyre.

Në shekuj e vite, është një fakt i ditur e i dokumentuar, se kanë qenë familjet e mëdha të Rrafshit të Dukagjinit, të cilat kanë ruajtur me roje të paguara, të gjitha objektet e rëndësishme të kultit në Deçan apo në gjithë zonën e Pejës. Sikur shqiptarët do të donin t’i shkatërronin apo tjetërsonin këto kulte, mund ta bënin fare lehtë, qoftë gjatë pushtimit osman, qoftë gjatë kohës së pushtimit italian apo gjerman në Luftën e Dytë Botërore, ose edhe pas 1999-s. Nuk e kanë bërë, e kjo i bën nder shqiptarëve, e ndaj tani kjo duhet të kthehet në pikën më të forte të tyre e jo dobësi e politikës së Kosovës.

Marrëdhënia me serbët, integrimi sa më i mirë i tyre në institucione, në arsimin e Kosovës, në jetën mediatike dhe atë sociale atje, duhet të jetë prioritet i qeverisë dhe Kuvendit.

Ramush Haradinaj, tha para dy ditësh në një intervistë, se policët serbë të larguar nga Policia e Kosovës në veri, janë një zhvillim negativ pasi ato janë një investim i bërë në vite. Kjo deklaratë e Ramushit do të ishte e drejtë nëse vërtetë ai do të ishte një investim. Por të gjithë e dinë, se shumica, apo pjesa dërrmuese e policëve kanë qenë Roje të Urës para vitit 2008, pra struktura paralele të Beogradit, të cilët pas pavarësisë vijuan të merrnin dy rroga, një nga Kosova e një nga Serbia.

Natyrisht çmontimi i tyre nuk bëhet sa hap e mbyll sytë, por Albin Kurti pikërisht këtu duhet ta nisë dialogun me serbët e Kosovës, për të integruar ata e jo njerëzit e Partisë së Aleksandër Vuçiçit apo të mafies që vranë Oliver Ivanoviçin.

Dialogun me serbët e Kosovës, duhet ta nisë dikush në Kosovë, qoftë nga qeveria, qoftë nga Kuvendi. Është një proces i vështirë, por duhet të jetë i hapur e pa teklif. Nuk fitohen serbët duke i dërguar policinë, por duke folur me ta hapur. Natyrisht as me rrogëtarët e Vuçiçit as me mafien, por me njerëzit që jetojnë në Mitrovicën e Veriut, në Zubin Potok, Leposaviç e fshatra të tjera.

Ndërkaq, kursi që u ndoq këto ditë me sulmin ndaj shefit të diplomacisë europiane Josep Borrel, apo siç ka ndodhur herë të tjera ndaj Lajçak, Grenell e të tjerëve, është gabimi më i madh që mund të bëjë një përfaqësues politik i Kosovës.

Nëse e shikon Vuçiçin, ai edhe pse shtiret, përqafohet si me Erdoganin, emirin e Dubait, ministrat e qeverisë së Giorgia Melonit, apo edhe me Macronin. Natyrisht që nuk i ka të gjithë miq, e s’mund t’i ketë, por Vuçiç do t’i tregojë se nuk i ka armiq. Kur Vuçiç do tu thotë atyre se nuk i ka armiq, Kosova, ka më shumë arsye e të drejtë për ta bërë këtë. Çfarë armiqësie ka Kosova me Joseph Borrelin apo me Spanjën, e cila nuk e njeh si shtet? Apo me Sllovakinë e Lajçakut?

Kosova, duhet t’i afrojë sa më shumë Borrelin e Spanjën, Lajçakun e Sllovakinë, për t’i hyrë në zemër qeverive, politikës e opinionit të këtyre vendeve.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, e cila i bie edhe violinës, pse nuk provon të japë koncerte e intervista në Spanjë, Sllovaki, Greqi, Rumani e Qipro, ndërkohë që t’i ftojë qeveritarët e këtyre vendeve në Kosovë, t’i shqepë me fli e verë Rahoveci, t’i shëtisë nëpër resorte turistike, që ata ta shikojnë se Kosova, përveçse një vend europian e perëndimor, ka edhe politikanë miqësorë dhe të dashur. Kur Vjosa Osmani sulmon Borrelin, si mendoni se do të reagojë Spanja? Borell është një nga figurat kryesore të një partie shumë të rëndësishme të Spanjës; Partido Popular, e cila është afër mbretit dhe ka thuajse të gjithë lobin e të pasurve dhe mediave spanjolle. Pra me një ndikim shumë të madh. Dikur, në krye të NATO-s ishte një tjetër spanjoll, quhej Havier Solana.

Ndryshe nga Borrel, Solana ishte socialist, por firmosi personalisht bombardimin e Serbisë së Millosheviçit. Askush nuk duhet ta harrojë këtë. Spanja nuk e njeh Kosovën për arsye që nuk kanë fare lidhje me Serbinë a Rusinë. Spanja është një aleat i ngushtë i NATO-s e SHBA, e Kosova, të paktën për aktin e Havir Solanës, duhet të jetë mirënjohëse kundrejt Spanjës. Po ashtu edhe Lajçak, është një politikan me shumë influencë në BE. Vendosja e tij si negociator, pra përfaqësuesin e një vendi që nuk e njeh Kosovën, nuk është bërë kot. Por është taktikë për t’i thënë Serbisë se në bisedime po japim sinjal për neutralitet. E në një proces negociatash, ky nuk është veçse A-ja. Natyrisht që nuk mund ta kuptojnë të gjithë këtë element, por kur linçimi vjen nga lart siç janë Kurti e Osmani, kjo bëhet me qëllim. Përveçse mjaft arkaike, kjo mënyrë lufte nuk i takon Kosovës, e cila është bërë kjo që është vetëm në sajë të përkrahjes së pjesës më të rëndësishme të botës perëndimore.

Natyrisht mund të ketë shumë pakënaqësi sesi Perëndimi, BE, apo edhe SHBA e luajnë politikën, por Kosova nuk ka as fuqinë dhe as kapacitetin e duhur për ta kundërshtuar. Po përse ta kundërshtojë në fund të fundit, rëndësi ka që që të mos i ketë kundër, sidomos kur Vuçiç nuk le rast pa i llastuar. Dhe këtë llastim e bën në mënyrë “bindëse”. Dy ditë më parë, priti ministrin e ri të mbrojtjes së Italisë, i cili ka qenë kreu i lobit të shitjes së armëve të vendit të tij, e i premtoi kontrata të majme për të blerë artileri dhe municion italian. Pas takimit, ministri Italian nuk iu ndante Vuçiçin duke e puthur, thua se ishte Monika Belluçi. Dashuria, nuk është proces që bëhet me facebook apo me shkuesi, ajo kalon nga “stomaku” kanë thënë të vjetrit. Po nuk dhe as nuk merr, jo më po i shave ditë për ditë, e pret që takimin tjetër të të puthin. Mendo rastin më të afërt të takimit të Borrelit me Vjosa Osmanin; të paktën do të shtrëngojnë duart gjithë miza. Përveçse nëse Vjosa nuk bën ndonjë “çmenduri” që t’i ndryshojë mendjen mikut. Për komb e atdhe duhen sakrifica…/Pamfleti

Editorial #‘Gropa’ e thellë që i ka hapur Kosovës Vjosa me militantët ‘tallava’ BE Joseph Borrell Vjosa Osmani

Editorial