Kosova24 Dhjetor 2022, 14:39

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Ka nisur grumbullimi i njerëzve që do të marrin pjesë në protestën kundër Gjykatës Speciale pas dënimit të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, e organizuar nga Partia Socialdemokrate.

Në mesin e tyre janë parë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryesisht nga Partia Demokratike e Kosovës.

Hisen Berisha, Ganimete Musliu, Ariana Shoshi nga PDK-ja dhe ish-deputeti Rasim Selmanaj i AAK-së janë parë në shesh ku po grumbullohen protestuesit.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj në konferencë për medie të hënën, ka thënë se kjo protestë është e domosdoshme, pasi në Hagë po tentohet të shtrembërohet historia.

“Ftoj secilin qytetarë të Republikës së Kosovës, secilën organizatë shoqërore dhe politike që me datën 24 dhjetor, ditë e shtunë në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në orën 14:00 të bashkohemi në protestë për të marshuar drejt sheshit ‘Skënderbeu’ dhe për të adresuar kërkesat tona karshi institucioneve të Kosovës dhe për të dëshmuar që dënimi që është shqiptuar në Dhomat e Specializuara në Hagë nuk është në emrin tonë”, tha ai.

PSD-ja i ka dërguar gjithashtu shkresa deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të nisin procedurat për amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Tash ka një tendencë që ka marrë rrugëtim për shtrembërimin e historisë së Kosovës”, deklaroi Molliqaj.

Trupi gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka shqiptuar aktgjykim fajësues ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa duke e dënuar atë me 26 vjet burgim.

Prishtine Gjykata Speciale Hagë Protestë PSD Salih Mustafa

Kosova