
Haki Abazi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ka hedhur një mori kitikash për shefen e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
“Nuk ecet përpara me Mimoza Kusari-Lilën, ajo i ka shërbyer Hashim Thaçit”, ka thënë Abazi gjatë një interviste në “Pressing” të T7, të enjten.
Sipas tij, të gjitha problemet në grupin më të madh parlamentar janë për shkak të shefes së grupit, Kusari-Lilës.
Por Abazi kishte kritika edhe për deputetin, Armend Muja.
Pos ndaj tyre, ai tha se Qeveria Kurti nuk i ka reformuar institucionet, sipas tij “njerëzit e pushteteve të kaluara vazhdojnë të kenë fuqi të madhe”.
Abazi në Qevverinë “Kurti 1” ishte zëvendëskryeministër dhe thotë se plani ka qenë që ai sërish të ishte në atë pozitë – por nuk i doli ashtu.
Thotë se Kurti i ka thënë atij se ka marrë pak vota si në garën për deputet.
“Arsyetimet kanë qenë të llojit që nuk ke marrë vota të mjaftueshme. Me ju thënë të drejtën, ju betohem, me shumë sinqeritet e kam marrë këtë arsyetim. Vetëm se i kam thënë që Besnik Bislimi nuk ka dalë fare, Artane Rizvanolli e Rozeta Hajdari s’kanë qenë kurrë pjesë e listës”, ka deklaruar Abazi.
Ai po ashtu ka thënë se votat e tij në vitin 2019 kishin bërë që Albin Kurti ta mposhte Mimoza Kusarin-Lilën.