Bota30 Dhjetor 2022, 18:15

“Hakmerret” Putin, nuk uron për Vitin e Ri liderët perëndimorë; “kartolinë” vetëm për Vuçiç dhe Orban

Shkruar nga Pamfleti

Presidenti rus Vladimir Putin është “hakmarrë” ndaj liderëve perëndimorë, pasi ka refuzuar t’i urojë për Vitin e Ri. Të vetmit në Perëndim që kanë marrë një kartolinë urimesh janë kryeministri hungarez Viktor Orban dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Sipas TASS, asnjë kryetar i organizatave ndërkombëtare apo federatave sportive nuk është në listë. Madje edhe ish-kancelarja gjermane Angela Merkel është zhdukur nga lista e ish-kryetarëve të shteteve dhe qeverive, të cilëve Putini tradicionalisht u uron festën e lumtur.

Në urimin për presidentin bjellorus, Aleksandër Lukashenko, Putin tha se Moska dhe Minsku “duruan sprovat dhe mundimet me nder”, dhe iu kundërvunë në mënyrë efektive presionit të pashembullt politik dhe sanksioneve.

Presidenti rus i dërgoi përshëndetje për Vitin e Ri dhe Krishtlindjen homologut të tij serb Aleksandar Vuçiç, duke vënë në dukje thellimin e dialogut politik dhe koordinimin e përpjekjeve të vendeve, gjë që është “veçanërisht e nevojshme në situatën aktuale të vështirë gjeopolitike”.

Ndërkohë ai ka uruar liderët e Azerbajxhanit, Armenisë, Kinës, dhe disa shtete në Afrikë.

Bota Orban Putin Vucici