Bota16 Prill 2019, 13:39

Haradinaj: Do të skuqen ata që po bëjnë veprime të padrejta kur po përballemi me Serbinë

Shkruar nga Pamfleti
Haradinaj: Do të skuqen ata që po bëjnë veprime të

Haradinaj: Do të skuqen ata që po bëjnë veprime të padrejta kur po përballemi me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë homazheve në Gllogjan, në 20-vjetorin e rënies së Shkëlzen Haradinajt dhe shokëve të tij, ka thënë se shqiptarët janë popull i sakrificës dhe i respektuar dhe se nuk do të lejojë që dikush t’ia ofendojë krenarinë e t’ia mohojë dhimbjen.

Kryeministri në vendin e tij të lindjes ka përsëritur se nuk do të lejojë të ndryshohen kufijtë e Kosovës, ndërsa ka shtuar se asnjëherë nuk ka bërë veprime kundër interesave të atdheut. Ka thënë se një ditë do të skuqen ata që po bëjnë veprime të padrejta kur Kosova po përballet me Serbinë.

“Nuk do të lejojmë me u nda Kosova, as me u prek territor e kufijtë. Kush shkon në atë rrugë e ka gabim, qoftë vëlla i yni qoftë tjetër. Miqve u bëjmë thirrje se s’keni aleatë më properëndimorë se shqiptarët. Pushtetet shkojnë e vijnë, unë i kam kaluar nja 12 apo 13 vjet në opozitë, jo si disa të cilët flenë tek gratë e tek fëmija e tyre sot ose ku me ditë ku shkojnë e shëtitën, por i kam kaluar disa vite edhe në burg. Kurrë nuk jam lig, kurrë nuk kam bërë gabime në interes të atdheut, as unë e as familja ime.

Ata që po koriten shumë e kanë për vete, por do të vijë dita kur shumica prej tyre kanë me u skuq për ato që po i bëjnë që janë të padrejta në kohën kur jemi duke u përballur me Serbinë. Me agjendat e Vuçiqit. Me planet e tij për ta ndarë Kosovën.

Me planet e ndërkombëtarëve për të na ul kokën, goditjet nën brez të vëllezërve e motrave tona s’janë në rregull. Le të korrigjojnë veten ata që e dinë se si kemi ardhur deri këtu e sa vështirë ka qenë e çka na pret. As atëherë s’e kanë korrigjuar, por i kemi përballuar atëherë e do t’i përballojmë prapë”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ka thënë se askush s’ka të drejtë të mohojë krimet e Serbisë në Kosovë.

“Ne jemi popull i respektueshëm, por nuk duhet që dikush t’ia teprojë me neve. Ata që mendojnë se mund të mohojnë e mund të ofendojnë dhimbjet, luftën, por edhe krenarinë tonë, s’ka të drejtë të na ofendojë. Për shkak se nuk është një krenari e falur, por është krenari që vjen prej jetëve të djemve më të mirë të atdheut, të vajzave më të mira”, ka thënë ai, raporton KP.

“Ne do ta çojmë Kosovën aty ku i takon, në familjen e popujve e shteteve. Pastaj një Kosovë e anëtarësuar në OKB e në NATO. Le të vendos si do të sillet ndaj vëllezërve të tjerë të vet, vëllezërve e motrave shqiptare, nga Shqipëria, ndaj vëllezërve të tjerë, e mendoj se do të sillet siç i takon. Kurrë nuk ka me e korit veten Kosova, por askush nuk ka me pas mundësi ta ndalë Kosovën deri në vendin e merituar që i takon si e drejtë e shqiptarëve”, ka shtuar më tej ai.

Haradinaj u është përgjigjur akuzave se ai i ka falur Malit të Zi territor të Kosovës.

“Nuk është e vërtetë që Kosova e ka falë Çakorrin. As Çakorrin as Kullën. Ju e dini ne shpesh nuk i kemi deklaruar të gjitha rrjedhat e punëve që i kemi bërë. Shumë njerëz janë befasuar edhe ushtria kur iu ka ardhur si punë e kryer, po nuk kanë besuar që kryhet. Shumë kanë menduar që janë veç fjalë, veç rrena, por sot kemi ushtri. Nuk është falë Çakorri as Kulla, rren është, krejt ata që rrejnë e dinë që janë duke rrejt. Por e bëjnë për arsye të ulëta”, ka deklaruar Haradinaj./Koha.net

Rajoni kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj veprimet e padrejta