Bota29 Janar 2019, 10:14

Haradinaj: Kërkojmë konferencë ndërkombëtare për marrëveshje finale me Serbinë

Shkruar nga Pamfleti
Haradinaj: Kërkojmë konferencë ndërkombëtare për

Haradinaj: Kërkojmë konferencë ndërkombëtare për marrëveshje finale me Serbinë

Pas presionit ndërkombëtar veçanërisht të SHBA-së, në Kosovë ka qendrime të ndryshme rreth taksës ndaj produkteve serbe. Kryeministri kërkon konferencë ndërkombëtare për marrëveshje me Serbinë, ndryshe taksa nuk hiqet.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ndonëse partnerë koalicioni në qeverisje nuk janë më në unanimitet lidhur me taksën doganore për prodhimet serbe.

Kryeministri Ramush Haradinaj në një letër që u dërgoi vendeve të QUINT-it, ka vënë disa kushte që duhet plotësuar në mënyrë që qeveria e tij ta heq taksën ndaj produkteve serbe. Nga ana tjetër, kryetari i kuvendit Kadri Veseli, propozon që taksa të pezullohet për 120 ditë në mënyrë që siç pret ai, ”Serbia të reflektojë në raport me Kosovën”.

Këto dy qëndrime të ndryshme u shprehën vetëm pak ditë pas kërkesës shumë specifike të SHBA-së që taksa 100% e qeverisë së Kosovës ndaj prodhimeve serbe duhet të hiqet në mënyrë që t’i hapet rrugë dilaogut me Serbinë.

Kryeministri Ramush Haradinaj, në letrën e tij dërguar vendeve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian, kërkoi nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, “iniciimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Po ashtu Haradinaj, kërkoi që “SHBA dhe BE të japin zotime publike dhe të garantojnë që në konferencë ndër të tjera nuk do të ketë çfarëdo rivendosjeje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje të Kosovës, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre”. Kjo kërkesë e kryeministrit kosovar është një nga pesë kushtet, të cilat ai i renditi në dokumentin, që ua ka dërguar ambasadorëve të SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe përfaqësuesve të BE-së në Kosovë.

Në anën tjetër, është kryetari i kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ai i cili takoi në mbrëmjen e së hënës (28.01) ambasadorin e SHBA-së, Philip Kosnet dhe menjëherë pas kësaj përmes një deklaratë për media tha, se ka propozuar që taksa ndaj produkteve serbe të suspendohet me kushte për 120 ditë në mënyrë që Serbia të reflektojë. Kadri Veseli thotë se “shqetësimet serioze, të shprehura në deklaratën e fundit të Ambasadës së SHBA, si vazhdimësi e letrës së Presidentit Trump, por edhe qëndrimin konsistent amerikan në lidhje me zhvillimet e fundit në vendin tonë, i marrim me seriozitetin më të madh dhe do t’iu përgjigjemi në mënyrë konstruktive”.

“Në takimin e javës së kaluar kam dhënë një propozim konkret, të cilit i qëndroj deri në fund. Taksa doganore nuk duhet të hiqet, por ajo duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende”, shprehet kryetari i kuvendit Kadri Veseli.

Ditët e fundit kryeministri Haradinaj dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kanë shfaqur qendrimet e ndryshme – madje edhe me “batuta” në raport me dialogun me Serbinë dhe veprimet e qeverisë së Kosovës për dialogun. Megjithatë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, thotë se “Në ditët dhe javët në vazhdim, institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime dhe vendime në interes shtetëror dhe të forcimit të partneritetit me aleatët ndërkombëtarë”.

“Të gjitha institucionet shtetërore janë në shërbim të mbrojtjes, avancimit dhe arritjes së qëllimeve tona strategjike shtetërore. Dialogu dhe marrëveshja eventuale paqësore vetëm sa e përshpejtojnë realizimin e synimeve tona për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB. Këto synime janë të arritshme, për aq kohë sa jemi të bashkuar, pozitë, opozitë dhe shoqëri civile, flasim fuqishëm njëzëri dhe kemi mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, respektivisht mbështetjen e SHBA-së”, shprehet Presidenti Hashim Thaçi.

Qeveria e Kosovës vendosi më 21 nëntor 2018 taksa 100% ndaj mallrave serbe, pasi sipas autoriteteve në Prishtinë, “Serbia nuk po ndalet duke bërë agresion politik dhe diplomatik kundër Kosovës”. Nga ana tjetër taksa bëri që Serbia ta pezullojë dialogun me Kosovën.

Dialogu Prishtinë-Beograd për përmirësimin e marrëdhënieve nisi shtatë vjet më parë, mirëpo rezultatet nuk ishin të kënaqshme. Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja tash po kërkojnë një marrëveshje finale, ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të dyja vendet, ndonëse në procese të ndara, të bëhen pjesë e BE-së./DW

Rajoni kryeministri i Kosovës marrëveshja me Seerbinë Ramush Haradinaj