Aktualitet29 Dhjetor 2022, 22:52

Harta e re, Gjykata e Apelit do të ketë po aq gjyqtarë sa 6 gjykatat aktuale; çdo emër do të shqyrtojë 216 çështje në vit

Shkruar nga Pamfleti
Harta e re, Gjykata e Apelit do të ketë po aq gjyqtarë sa 6

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ vendosi të enjten më 29 dhjetor 2022 caktimin e numrit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm që do të krijohet në funksion të hartës së re gjyqësore, duke e lënë të njëjtë me numrin që kanë aktualisht gjashtë gjykatat rajonale të apelit.

Harta e re gjyqësore që u hartua nga KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë u kundërshtua nga avokatët dhe organizatat për të drejtat e njeriut për cënimin e aksesit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Por kritikat u injoruan dhe Këshilli i Ministrave e miratoi më 21 korrik, duke i hapur rrugë shkrirjes së pesë gjykatave të Apelit që do të transferohen në kryeqytet. Po ashtu, u rrudh edhe numri i gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, nga 22 në 13 gjykata.

KLGJ vendosi të enjten që edhe Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm që pritet të krijohet në fillim të vitit 2023, të ketë 78 gjyqtarë, aq sa është organika aktuale e gjashtë gjykatave rajonale të Apelit.

Relatorja e projektvendimit, anëtarja e Këshillit, Brikena Ukperaj sqaroi se numri i gjithë trupës së gjyqtarëve kërkon miratim nga Kuvendi dhe në pamundësi për të ndryshuar numrin total të tyre, është vlerësuar bazuar në ngarkesën e punës. Sipas KLGJ-së, nisur nga analizimi i të dhënave statistikore për ngarkesën e gjykatave të apelit, është çmuar se gjykata e re e shkallës së dytë e juridiksionit të përgjithshëm ka nevojë për 78 gjyqtarë.

Ukperaj pohoi se ky numër arrin të mbajë ngarkesën dhe të rrisë eficencën në gjykimin e çështjeve. Nga përllogaritjet e kryera është konstatuar se çdo gjyqtari do t’i takojnë mesatarisht rreth 216 çështje të reja për të shqyrtuar në vit.

Nga 78 vende që ka Apeli juridiksionit të përgjithshëm, 26 pozicione të përhershme vijojnë të mbeten të lira për shkak mungesave të magjistratëve të krijuara nga shkarkimet prej procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Të enjten u miratuan prej KLGJ-së të tjera projektakte që kishin të bënin me zbatimin e hartës së re gjyqësore.

Kështu, u miratua rishpërndarja e numrit të pozicioneve të punës në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në Gjykatat e Rretheve Gjyqësore”.

Për gjykatat e Apelit, përfshi dhe gjyqtarët janë 274 pozicione pune. Numri i gjyqtarëve mbeti i paprekur nga ristrukturimi, ndërsa 29 pozicione pune të apeleve u shpërndanë për në gjykatat e shkallës së parë.

KLGJ vendosi që të pezullojë gjithë procedurat e rekrutimit të stafit të gjykatave deri në përfundimin e procesit të ristrukturimit. Po ashtu, u miratuan rregullat standarte për organigramën dhe përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive të pozicioneve të nëpunësve civilë gjyqësore dhe punonjësve të tjerë të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Sipas relatorit të këtij projektvendimi, Ilir Rusi, rregullat strandarte lidhen me punën e Komisionit të Ristrukturimit për sistemimin e nëpunësve civilë në strukturën e re.

KLGJ përcaktoi që Komisionet e Ristrukturimit të kryejnë gjithë veprimet e nevojshme deri në fund të janarit të vitit 2023, me qëllim që më 1 shkurt të vitit të ardhëm të fillojë funksionimin Gjykata e re e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Rusi vërejti se procesi i ristrukturimit do të zbatohet fillimisht në apel, për të përfunduar në vijim gjykatat e shkallës së parë. Komisionet do të përbëhen nga kryetarët dhe kancelarët e gjykatave aktuale.

Gjatë mbledhjes plenare të enjten u miratuan edhe kriteret e reja për ndarjen me short të çështjeve gjyqësore; rregullorja për zhvillimin e procedurave disiplinore për kancelarin, këshilltarin dhe ndihmësin ligjor; procedura dhe masa e trajtimit financiar të  gjyqtarit për shërbimin në skemën e delegimit, për transferimin e përkohshëm ose për caktimin e përkohshëm, si dhe caktimit për një çështje të veçantë; buxheti i vitit 2023 për sistemin gjyqësor; miratimi rregullave standarte për organigramën dhe përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive të pozicioneve të nëpunësve civilë gjyqësore dhe punonjësve të tjerë të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm; si dhe miratimi i 16 porcesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme.

Aktualitet #Harta e re KLGJ