Aktualitet19 Korrik 2022, 12:12

Harta e re Gjyqësore, merr fund bojkoti 10-ditor i avokatëve

Shkruar nga Pamfleti
Harta e re Gjyqësore, merr fund bojkoti 10-ditor i avokatëve

Ka përfunduar bojkoti 10-ditor i masave të sigurimit nga avokatët.  Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë kishte vendosur një bojkot të përkohshëm në shenjë proteste kundër draftit të KLGJ për hartën e re gjyqësore.

Nga e hëna e djeshme avokatët në gjithë vendin do të marrin pjesë në seancat gjyqësore për caktim mase, ndërsa vijon bojkoti pa afat për gjyqet në themel. Sa i përket seancave të tjera gjyqësore, Dhoma Kombëtare e Avokatisë do të mblidhet të enjten për të vendosur. Për seancat gjyqësore, do të vijojë bojkoti pa afat.

Kryetari i dhomës së avokatisë në Korçë ka bërë me dije se avokatët do të rikthehen në zhvillimin e masave të sigurisë.

Rikthehemi në masat e sigurisë dhe në çështjet penale të të miturve, ndërsa vijojmë bojkotin e çështjeve gjyqësore, penale dhe civile. Ky vendim qëndron deri në një mbledhje të dytë të këshillit të përgjithshëm të dhomës së avokatisë. Do vijojmë ne rrugën ligjore kundërshtimin e hartës së re gjyqësore, Rruga jonë është drejt Strasburgut. Jemi në bojkot pa afat”, u shpreh kryetari i dhomës së avokatisë në Korçë, Arben Lena.

Edhe avokatët e Durrësit vijojnë bojkotin e seancave gjyqësore dhe këtë fillim jave. Sipas kryetarit të Dhomës së Avokatisë Durrës Lorval Petani, bojkoti do të vijojë vetëm për seancat gjyqësore, por avokatët i janë kthyer masave të sigurimit personal, si çështje me karakter të ngutshëm.

Takimi i ardhshëm pritet të zhvillohet më 21 korrik në orën 11:30, vetëm një ditë para mbledhjes së paralajmëruar të Komitetit të Disiplinës. Deri më tani, protesta kundër draftit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësi ka kaluar 3 faza bojkoti.

Aktualitet Bojkoti i avokatëve Harta e re Gjyqësore KLGJ perfundon bojkoti