Aktualitet29 Qershor 2022, 15:40

Harta e re thellon kolapsin në drejtësi, avokatët vendosin bojkot pa afat të seancave gjyqësore

Shkruar nga Pamfleti
Harta e re thellon kolapsin në drejtësi, avokatët vendosin bojkot

Ngërçi në gjykata do të vazhdojë ende, pasi Dhoma e Avokatisë ka vendosur të vazhdojë bojkotin e seancave pa afat. Teksa KLGJ nuk lëvizi fare nga ideja e rrudhjes së gjykatave, avokatë kanë ashpërsuar reagimin dhe sipas vendimit më të fundit, do të bojkotohen edhe seancat për masat e sigurisë.

Vendimi unanim është marrë para pak minutash në mbledhjen e Dhomës së Avokatisë. Risia qëndron pikërisht tek masat e arrestit të cilat do të bojkotohen prej ditës se sotme deri në dhjetë ditët vijuese, ndërsa më pas do të merret një vendim i dytë.

Në një deklaratë të dhënë më herët për mediat, kryetari Maksim Haxhia deklaroi se ka bërë një tur në të gjitha Dhomat vendore duke përfshirë këtu Vlorën, Durrësin, Shkodrën etj., dhe ka diskutuar për situatën dhe vendimmarrjen.

Gjithashtu nga ana e tyre është njoftuar se për avokatët që nuk do të ndjekin bojkotin do të ketë masa disiplinore.

Kujtojmë se reagimi i Dhomës Kombëtare të Avokatisë vjen si masë kontestimi për vendimin e KLGJ e miratoi hartën e re gjyqësore, duke vendosur që të ketë vetëm një gjykatë apeli.

Sa i takon hartës së re, gjykatat që do të qëndrojnë në funksion do të jenë vetëm ato të qarqeve, ndërsa ato të qyteteve do të shkrihen. Harta e re parashikon 12 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, dhe vetëm 1 gjykatë apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe 1 për atë administrativ.

Sa i përket gjykatave të shkallës së parë administrative parashikohet të jenë 2, në Lushnjë dhe në Tiranë nga 6 që ishin gjithsej. Kështu, është propozuar bashkim i disa gjykatave në vend, ku Gjykata e Durrësit do të bashkohet me atë të Kavajës dhe Krujës dhe Gjykata e Dibrës me atë të Matit. Gjykata e Fierit, do të bashkohet me atë të Lushnjës, ndërsa në jug synohet bashkimi i Gjykatës së Gjirokastrës, Sarandës dhe Përmetit. Në të njëjtën formë, propozohet bashkimi i Gjykatës Kukës me atë të Tropojës, i Korçës me Pogradecin, i Lezhës me Kurbinin, si edhe bashkim i gjykatave të rretheve Shkodër dhe Pukë. Pra vendi do të ketë 12 gjykata në 12 qarqe.

Ndërkohë, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka në plan që të shkrijë gjithashtu të gjitha gjykatat e Apelit në vend dhe të kemi një të re në Tiranë, e cila do të jetë e vetme. Harta e re parashikon shkrirjen e 10 gjykatave të shkallës së parë që janë: Tropoja, Puka, Mati, Kruja, Kavaja, Lushnja, Përmeti, Saranda, Pogradeci, Kurbini. Ndërkohë nga 6 gjykata Apeli të shkallës së parë që janë aktualisht propozohet vetëm një në Tiranë. Do të shkrihen gjykata e Apelit në Korçë, Durrës, Gjirokastër, Vlorë, Shkodër. Por kjo kundërshtohet nga avokatët, të cilët kanë vendosur bojkot pa afat.

Aktualitet #Gykatat KLGJ kolaps