Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili nuk lëshon pe për hartën e re gjyqësore. Kryeministri u pyet sot nga gazetarët nëse qeveria do e ndryshojë propozimin e KLGJ pas protestave të avokatëve, por ai u tregua i prerë se nuk do të ketë asnjë ndryshim.
Lidhur me këtë qëndrim pati një deklaratë nga kreu i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, i cili tha se avokatët kërkesat i kanë për KLGJ dhe jo për qeverinë.
“Dhoma e Avokatisë i ka kontestimet për vendimin e KLGJ, qeveria s’ka të bëj me hartën 1 apo 4 apele ka vetëm faturën financiare. Nuk është e vërtetë që s’kemi kërkuar zgjidhe, jemi për zgjidhje me mirëkuptim e që i përshtatet jo vetëm publikut por edhe interesit e realizimit të drejtësisë. Kemi kohë që kërkojmë të ulemi por s’na dëgjojnë. Bojkoti s’është presion është zëri ynë të na dëgjojnë e të ulemi”, thuhet në reagimin e tij.
Sot në konferencë, kryeministri Edi Rama tha se avokatët duhet t’i kthehen punës dhe të mos e vijojnë bojkotin e seancave gjyqësore. Sipas Ramës ata duhet të bëjnë punën e tyre se nuk e vendosin avokatët si do bëhet harta e re gjyqësore.
“Gjyqet kanë vazhduar, avokatët ti kthehen detyrës se nuk e përcaktojnë ata si bëhet harta e republikës. Ky është një vendim i marrë pas një procesi të gjatë konsultimesh. Nuk jam asnjëherë kokëfortë, nuk jam për të dalë e imja, jam për të dalë më e mira. Kur ka qenë rasti për tu tërhequr jam tërhequr. Avokatët kanë punën e tyre ti shërbejnë klientëve, ku hyjnë në punë ta këtu. Me bojkote me forcë qeverisë që unë drejtoj nuk i është marrë asgjë, zero”, tha Rama.