Bota30 Maj 2019, 17:03

Hashim Thaçi: Progres-raporti nuk reflekton në mënyrë objektive situatën në Kosovë

Shkruar nga Pamfleti
Hashim Thaçi: Progres-raporti nuk reflekton në mënyrë

Hashim Thaçi: Progres-raporti nuk reflekton në mënyrë objektive situatën në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka quajtur zhgënjyes vlerësimin e Raportit të Progresit për Kosovën, të cilin e ka pranuar sot nga shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Ai ka thënë se raporti merret më shumë me taksën dhe fare pak me vlerësimin real të fushave të caktuara.

Gjuha e përdorur në raport, sipas Thaçit, e cilëson Kosovën si një shtet që pothuajse nuk ka bërë fare progres që nga shpallja e pavarësisë.

Fraza më së shpeshti e përdorur për vlerësimin e fushave të caktuara në këtë raport është: “Kosova është në faza të hershme/fillestare në çdo fushë”.

Ai ka thënë se, ky vlerësim dhe gjuha e përdorur, nuk reflekton në mënyrë objektive situatën në vendin tonë.

“Përderisa ne pranojmë kritikat dhe jemi të vetëdijshëm për sfidat, nuk mund të lejojmë në pafundësi trajtimin jo fer që BE-ja ka ndaj Kosovës”, thuhet në njoftimin e dërguar medieve.

Kreu i shtetit vlerëson se ky raport dekurajon vazhdimin e reformave, sidomos në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Duke folur për marrëdhëniet e BE-së me Kosovën, ai ka theksuar se BE-ja duhet të tregohet parimore dhe të mos e mbaj të izoluar Kosovën.

Liberalizimi i vizave duhet të ndodh menjëherë dhe pa asnjë kushtëzim shtesë. Në të kundërtën, sipas tij, kredibiliteti i BE-së do të dëmtohet seriozisht.

Ai ka thënë se Kosova si shtet e ka prioritet shtetëror anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Në funksion të këtij qëllimi janë bërë shumë reforma të suksesshme, por natyrisht ende ka sfida. Prandaj, Kosova mbetet e gatshme të bashkëpunojë dhe e përkushtuar të angazhohet në thellimin e reformave në fushat e identifikuara”, ka thënë Thaçi./Koha.net

Rajoni Hashim Thaçi presidenti i Kosovës Progres/raporti situata në Kosovë