
Finlanda duhet të konsiderojë anëtarësimin në NATO pa Suedinë.
Kështu deklaroi sot më 24 janar ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, pasi Turqia tregoi se nuk do ta miratonte kërkesën e Suedisë pas djegies së Kuranit jashtë ambasadës së saj në Stokholm.
“Ne duhet të vlerësojmë situatën, nëse ka ndodhur diçka që në një afat më të gjatë do të pengonte Suedinë të ecë përpara”.
Sipas Haavito-s është “shumë herët për të marrë një qëndrim për këtë tani” dhe se një aplikim i përbashkët mbetet “opsioni i parë”.
Ndërkohë një ditë më parë, Recep Tayyip Erdogan kritikoi Suedinë për lejimin e simpatizantëve terroristë dhe të tjerëve të shpërndajnë lirisht propagandë urrejtjeje.
Kjo, duke thënë se Stokholmi nuk duhet të presë që Turqia të mbështesë ofertën e saj në NATO.
Prej muajsh, Turqia është i vetmi vend që e ka bllokuar procesin e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, duke mos i ratifikuar marrëveshjet e vendeve nordike me aleancën në Parlament.
Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u bashkuar në maj për të mbrojtur veten nga agresioni rus, por ata janë ende duke pritur që Turqia dhe Hungaria të ratifikojnë pranimin.
Turqia i kishte kërkuar më parë Suedisë ekstradimin e 73 të dyshuarve terroristë, kryesisht nga grupet separatiste kurde, si PKK dhe YPG.
Suedia deri më tani ka ekstraduar vetëm një shtetas turk, më 31 gusht, sipas një letre suedeze drejtuar Turqisë, të publikuar në agjencinë e lajmeve Reuters muajin e kaluar.