Tre anije luftarake të NATO-s kanë mbërritur në portin jugperëndimor finlandez të Turkut për t’u trajnuar me marinën finlandeze, ndërsa Helsinki konsideron mundësinë e bashkimit me aleancën e udhëhequr nga SHBA, mes tensioneve të shtuara me Rusinë për Ukrainën.
Anijet do të stërviten me dy “gjuetarë” të minave nga flota bregdetare e Finlandës, njoftuan përmes një deklarate forcat mbrojtëse të Finlandës, raporton Reuters.
Stërvitja dy-ditore do të përgatisë anijet finlandeze për të marrë pjesë në forcat e reagimit të NATO-s dhe do të fokusohen në “kundërmasat e minave dhe punën në një kornizë shumëkombëshe”, thuhet në deklaratë.
Kjo stërvitje vjen gjithashtu pasi Helsinki konsideron mundësinë e anëtarësimit në aleancën ushtarake mes tensioneve të shtuara me Rusinë fqinje.
Në fillim të këtij muaji, kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, tha se vendi i saj do të merrte një vendim në javët e ardhshme nëse do t’i bashkohej NATO-s.
Vullnetin për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA e ka shprehur gjithashtu edhe Suedia. Sakaq, Rusia ka paralajmëruar dy vendet se do të përballen me pasoja nëse bëhen pjesë e NATO-s.