Aktualitet19 Maj 2018, 08:46

Hetimet për gjyqtarët dhe prokurorët përtej parashikimeve, informacione shtesë për udhëtimet dhe shpenzimet. Parregullsi

Shkruar nga Pamfleti
Hetimet për gjyqtarët dhe prokurorët përtej parashikimeve,

Hetimet për gjyqtarët dhe prokurorët përtej parashikimeve, informacione shtesë për udhëtimet dhe shpenzimet. Parregullsi në formularët e deklarimit

Ecuria e procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët ka dalë përtej parashikimeve. Plani ishte që në janar të këtij viti të mbyllej procesi i verifikimit për 57 emrat e parë, mirëpo nuk ka ndodhur akoma kështu. Nga këta, është marrë vendim vetëm për 8 emra, ndërsa për 69 të tjerë vijon puna. Gazeta ka mësuar nga burime brenda KPK se një ndër arsyet që po vonon procesi është se ka shumë emra që kanë parregullsi në formularë.

Jo të gjithë kanë dhënë sqarime të qarta mbi pasuritë apo lidhjet me botën e krimit dhe kjo ka detyruar komisionerët që të kërkojnë materiale shtesë nga shumë prej gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vështirësia më e madhe ka të bëjë me verifikimin e udhëtimeve të tyre jashtë vendit, apo dhe shpenzimet që kanë kryer mbi 3 milionë lekë kryesisht për shkollimin e fëmijëve apo në spitale. Një burim i tha gazetës se gjatë procesit të verifikimit ka pasur shumë korrespondenca mes KPK dhe gjyqtarëve e prokurorëve, ku në disa raste ata janë thirrur dhe për të dhënë sqarime.

Por ajo që po fundos shumë prej tyre janë pasuritë e paluajtshme. Ka shumë emra që kanë bërë mashtrime përmes noterëve mbi pronësinë dhe vlerën e objekteve të paluajtshme. Por KPK përmes ekonomistëve të vet ka bërë verifikim të pasurisë vit pas viti. Përveç deklarimit që u bë në 2016 në kuadër të vetingut, mësohet se nga ILDKP janë marrë dhe deklarata e pasurive të bëra që nga viti 2003 e deri më sot.

Të gjitha deklarimet janë krahasuar dhe ka rezultuar se ka mospërputhje për shumë emra. Në deklarimet që kanë bërë në kuadër të vetingut ata kanë deklaruar banesa me vlerë tjetër nga ajo që kanë deklaruar ndër vite dhe kjo ka bërë që komisioner të shtojnë verifikimet. Ndërkohë ajo që bie në sy është se deri më tani nuk ka rezultuar askush i lidhur me krimin. Procesi i verifikimit të pastërtisë së figurës është lënë në plan të dytë nga KPK, pasi në momentin dikush ka rezultuar me problem me pasurinë, nuk vijohet me verifikimin e karrierës dhe të figurës.

Hetimet për gjyqtarët dhe prokurorët

Deri më tani 5 persona kanë mbetur në procesin e vetingut, ndërsa ky numër pritet të rritet. Por për ta nuk do të ketë vetëm shkarkim nga detyra, pasi do ketë dhe kallëzime penale. Është neni 281 i Kodit të Procedurës Penale që detyron institucionet shtetërore që të kallëzojnë penalisht të gjithë ata persona, për të cilët kanë dijeni se kanë kryer vepër penale.

“Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi të cilit i atribuohet vepra penale. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore.

Kur, gjatë një procedimi civil ose administrativ, zbulohet një fakt që përbën vepër penale që ndiqet kryesisht, organi përkatës bën kallëzim te prokurori”, thuhet në Kod. Pikërisht, në bazë të këtij përcaktimi, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive janë të detyruara të kallëzojnë penalisht të gjithë ata që zbulohen me shkelje.

Por telashet për gjyqtarët dhe prokurorët nuk do të jenë vetëm brenda vendit, pasi ka rrezik që të ketë hetime dhe jashtë vendit, ndërsa në sitë do të kalojnë dhe të afërmit e tyre. Ka shumë njerëz në drejtësi që gëzojnë dy shtetësi dhe kjo do e rrisë rrezikun për ta./SOT

Aktualitet gjyqtarët prokurorët Vettingu