Aktualitet 2 Gusht 2022, 07:28

Historia e panjohur e plazhit të Durrësit/ Rrobat e banjës ishin si mjet ngacmues për vajzat, durrsakëve u vinin nga jashtë shtetit

Shkruar nga Pamfleti
Historia e panjohur e plazhit të Durrësit/ Rrobat e banjës ishin

Historia e panjohur e plazhit të Durrësit/ Rrobat e banjës ishin si mjet ngacmues për vajzat, durrsakëve u vinin nga jashtë shtetit

Cilat kanë qenë plazhet e preferuara, dhe si bënin shqiptarët pushimet para dhe pas viteve ‘50-të, në veçanti ata që preferonin detin? Durrësi ai më kryesori, në tre muajt e verës, i frekuentuar nga aristokracia, pasanikët, por dhe nga vetë Mbreti Zog. Pastaj periudha e viteve 1960 – ’70 – ’80 – të, kanë qenë të veçanta për shqiptarët, individë apo familje që pëlqenin detin. Në ato fillime plazhet ishin të pakta dhe Durrësi, Vlora, Saranda ishin ato më kryesorët. Shëngjini filloi të preferohej me vonë, si dhe Divjaka, ndërsa Dhërmiu, apo bregdeti jonian, ndonëse pëlqehej ishte i kufizuar nga udhëtimi i largët, i vështirë dhe mundësia e pakët për sistemim.

Dhomat e çamëve

Kanë qenë shumë të preferuara dhe të kërkuara nga mes vitet ‘70-të e në vazhdim. Duke qenë se fluksi dhe mundësia e vetme për të kaluar një 15-të ditësh në plazhin e Durrësit, krijonte gjithmonë vështirësi në gjetjen e një kabine, apo dhome për ato familje që nuk kishin marrëdhënie pune nga ku mund të merrnin një autorizim, apo për ato që kërkonin të bënin me shumë se dy javë pushime, lindë të ashtuquajturat “dhomat e çamëve”, që ishte një rrugëzgjidhje. Ato ishin familje të sistemuar prej vitesh kryesisht në zonën e “Hekurudhës” në disa hyrje, me një apo dy dhoma, të cilat i jepnin gjatë muajve të plazhit.

Ato gjendeshin matanë rrugës nacionale dhe duhet t’i garantoje që në fillim të vitit, pra në janar. Një dhomë e çamëve për një periudhë 30-të ditore, kushtonte 3000 lekë (sa gjysma e një rroge mujore për kohën). Shumë familje nga Tirana kishin krijuar një klientelë me të zotët e dhomave të çamëve dhe prej vitesh i gjeje në mënyrë sistematike në të njëjtin apartament. Ndërkohë, ndonëse dihej, shteti nuk reagonte, madje në heshtje i kishte lejuar.

Prodhimet e N.I.SH. – Goma – Durrës

Kanë qenë shumë të veçanta për kohën, në veçanti pantoflat e detit prodhim i N.I.SH. Goma Durrës. Kushtonin vetëm 170 lekë dhe shërbenin kryesisht për lëvizjet në plazh, sidomos në orët e drekës, kur nxehtësia e rërës ishte shumë e madhe. Prodhimi dhe tregtimi i tyre filloi të ishte intensiv, kërkoheshin dhe në fillim kishte vështirësi për t’i gjetur. Ishin model i thjeshtë me dy rripa, por nga cilësia ishin të dobëta dhe dëmtoheshin shumë shpejt. Për mjaft vite kanë shërbyer si për plazhistët, bashkë me kapuçat e ujit (kapele noti), edhe ato ishin prodhim i NISH Goma-Durrës.

Ndeshjet në rërë dhe topi me futbollistët italianë

Ndeshjet e futbollit tek “Breshka” kanë qenë spektakolare. Rivaliteti, konkurrenca në dashuri, veshje, shfaqej shumë edhe në futboll. Me porta të vogla, në rripin e bregut të detit, dy herë në ditë, ora dhjetë dhe pesë në mesditë zhvilloheshin dy ndeshje, me nga katër apo pesë lojtarë midis tiranasve dhe durrsakëve. Interesimi ishte shumë i madh, madje të pranishmit rrethonin vendin ku luhej takimi, në një zone jo më shumë se 20 metra gjatësi. Nuk kishte rregulla fikse, as arbitër, me porta të improvizuar me pikë referemi një shkop mbi rërë dhe gjithçka vendosej nga lojtarët, ndershmëria, ndërgjegjja e tyre.

Madje edhe ndonjë polic që ishte ngarkuar të ruante rendin në breg, kryesisht moslejimin e lojës me top në rërë, qëndronte pasiv, pasi një e tillë, ishte bërë traditë dhe vështirë ta ndaloje. Në shumë raste ato nuk përfundonin pasi për një gol, apo rast të diskutueshëm, shpërthente grindja dhe loja ndërpritej, krijohej, shpërthente një situatë plot tension, por që edhe ajo kishte lezetin e vet. Pastaj të nesërmen sërish përballë. Pati periudha që në to luanin edhe futbollistë me emër. Por, më e veçanta ishte topi që përdorej.

Sidomos në kohën pas “Europianit 68”, ku Italia u shpall kampione, në Itali u prodhuan dhe u hodhën në treg, topa plazhi me fytyrat e lojtarëve italianë të cilët u shfaqën edhe në Durrës, sidomos në ndeshjet e rërës. Kurioziteti për ta parë nga afër topin, ishte shumë i madh. Duhej të qëndroje pas portë, kur topi dilte jashtë, në rërë apo në det, që të kishe mundësinë që duke vrapuar pas tij, ta merrje, të shikoje dhe më pas t’ja ktheje me shpejtësi lojtarëve.

Moda në plazh, rrobat e banjës dhe syzet…!

Nëse do t’i rikthehesh asaj kohe, dhe kujtesës do të duket e veçantë mënyra si përgatiteshin, ku gjendeshin dhe çfarë mode ndiqej në plazh. Jemi ne vitet 1960–’70-të, kur mosha, efektet dhe ndikimet e Radio-Televizioni Italian, kryesisht për një ndryshim, pasioni për një jetë tjetër në veçanti i rinisë është në kulm, për gjithçka. Të gjithë vraponin pas modës dhe një palë rroba banje të bukura, ishin objekti kryesor dhe i rëndësishëm në ato tre muaj, pa përjashtim për djem e vajza. Një palë rroba banje të bukura, ishin edhe si mjet ngacmues për vajzat. Por, shumë pak kishte të ardhura nga jashtë shtetit, pjesa tjetër qepeshin këtu.

Fillimisht gjendej copa, pastaj rrobaqepësi. Në veçanti ky i fundit kishte shumë rëndësi, ata njiheshin me gishta, pasi një qepje të bukur, i jepte vlera dhe kompletonte strukturën fizike të djalit apo vajzës. Gjithmonë më i privilegjuar dhe që ishte protagonist i plazhit, mbetej ai që kishte mundësinë të sillte nga jashtë shtetit. Edhe në këtë rast, durrsakët, apo marinarët, apo ato me prindër italianë, ishin të parët. Një palë rroba banje të ardhura, merreshin si model dhe imitoheshin nga shumë të rinj, deri edhe borxh për një ditë, apo dalje në xhiro. Por edhe syzet e diellit, ishin të rëndësishme. Një palë të tilla, ishin të preferuara si për djem edhe vajza. Edhe ato merreshin borxh, vetëm për një kalim te “Breshka”.

“Blloku’ i udhëheqjes, zona e ndaluar…!

Ka qenë një pjesë me gjatësi rreth 1 km., që kufizohej me zonën nga “Iliria”, deri te Konvaleshenca e Ministrisë së Brendshme. Mbreti Zog kërkoi ta bënte një zonë shumë të veçantë e të preferuar, pasi krahas pjesës me rërë dhe detit, ajo karakterizohej nga një brez me pisha dhe plepa që krijonin një mjedis shumë modern me emrin “Banjat Mbretërore”. Në fund të viteve ‘40-të ajo u shtetëzua plotësisht, u kufizua duke u rrethuar e mbrojtur me ushtarë dhe mori emrin “Zona e Bllokut”, identik me atë që ishte në Tiranë. Ajo zone ishte disa hektarëshe ku, askush nuk mund të afrohej dhe futja brenda saj ishte e ndaluar. Deri në vitin 1990, aty veronin gjatë verës apo dhe dimrit, udhëheqës të lartë të partisë e shtetit, bashkë me familjet e tyre.

Argëtimet: Kinemaja verore dhe Cirku

Pak ishin format argëtuese: Kinemaja verore një që kalohej mbrëmja dhe Cirku. Kinematë verore ishin vetëm gjatë muajve të verës, madje të preferuara. Në Plazh, ajo ishte vendosur matanë rrugës, ngjitur me P.T.T.-në, te “Hekurudha”. Oraret ishin 19-21, 21-23, më pak 23-01, pas mesnate. Kur filmi ishte i bukur dhe kishte kërkesa, duhej të lije plazhin për të garantuar një biletë, pasi shitja e tyre bëhej paradite dhe kishte radhë të gjatë. Një biletë kushtonte 20 lekë për 7 radhët e para dhe 15 lekë, për ato më pas. Në treg të zi dhe vetëm pak çaste para se filmi të fillonte, çmimi dyfishohej. Kapaciteti ishte normal, 20 radhë me nga 15 karrige prej dërrase dhe hekuri. Për ato që nuk gjenin bileta, mund ta ndiqnin edhe nga rruga, pasi ekrani e madh ishte lart dhe të jepte mundësinë që shihje një pjesë të tij, në veçanti kur binte errësira.

Kinemaja rrethohej me një mur deri në dy metra lartësi. Ndër filmat e kohës, ishin ato italianë, “Më fal”, “Mbroje dashurinë time”, “Burri me pantallona të shkurtra”, “Dëgjomi këngën time”, “Mëshirë për atë që rrëzohet”, me aktorët Antonela Lualdi, Amedeo Naxarri, Raf Valone, ose filmi “Pamje nga Ura”, me Zhan Sarel, filmi hungarez “Lelaja dhe Gabori”, etj. Sapo kishin filluar shfaqja e filmave kinezë, por shumë të ndjekur ishin ato me Steve Revees. Filmat, të gjithë bardhezi, ishin të kontrolluar dhe më parë parë shfaqeshin në Tiranë, pastaj shpërndaheshin në qytetet të tjera.

Por edhe trupa e Cirkut të Tiranës, në çdo fillim sezoni veror, transferohej në plazh dhe tek “Breshka”, ngrinin çadrën e madhe të Cirkut dhe për tre muaj, artistë, humoristë ishin banorë sistematikë të plazhit. Çdo mbrëmje kishte shfaqe për fëmijët, ndërsa ditën grupi I madh i aktorëve bashkë më familjet e tyre shfrytëzonin detin. Jetonin në çadra të vogla, ku flinin dhe gatuanin çdo ditë. Por edhe kafshët e Cirkut që argëtonin fëmijët, ishin protagonist të plazhit. Kjo vetëm në Durrës, pasi trupa nuk lëvizte dhe në asnjë plazh tjetër nuk kishte evenimente të tilla artistike.

Fotografitë e kohës

Edhe ky është një detaj shumë i veçantë për kohën. Ishte kënaqësi të bëje foto në plazh, me miq por edhe me familjen. Fotografët ishin vetëm disa, durrsakë kryesisht, që me aparat varur në qafë dhe shumë të njohur me një kapele në kokë të nxirë ekstremisht lëviznin gjithë gjithën gjatë bregut. Formati i një fotoje gjithmonë bardhezi, (nuk ishte kartolinë se kushtonte), por tradicional për kohën, 6 x 9 cm. dhe çdo foto kufizohej me prerje me dhëmbëza.

Për ato që ishin me pushime të zgjatura, fotografitë merreshin një ose dy ditë më vonë, nga i njëjti fotograf. Për plazhistët ditorë, ai i dërgonte në Tiranë, dhe i merrje tek “Skenderbeu” vendi ku qëndronin fotografët, pasi fotografi vinte vete zakonisht ditën e marte, ose i dërgonte në studion me të njëjtin emër pranë hotel “Donikës”. Një copë kushtonte 13 lekë, por zakonisht stampoheshin dy copë, pra 26 lekë.

Sportistët, njerëzit e preferuar të plazhit

Edhe sportistët kanë qenë personazhet e kohës. Ishin të preferuar pasi ishin publikë, kishin rroba e veshje të veçanta, ndryshe nga të gjithë të tjerët, pasi i sillnin kur dilnin jashtë shtetit, çka i bënte edhe të famshëm. Në fillim të korrikut, aty derdheshin klubet sportive, në veçanti ai i “17 Nëntorit”, kryesisht futbollistë, basketbollistë, volejbollistë, djem-vajza dhe për 15 ditë, sistemoheshin në kabina, duke u trajtuar në restorantet, kryesisht tek “Teuta”, “Apolonia”, “Breshka” dhe “Iliria”, me kuponë.

Nuk mungonin edhe ato durrsakë, ndërsa me pak ata të “Partizani”-t dhe “Dinamo”-s, pasi sportistët e tyre qëndronin në Konvaleshencat përkatëse, ndërtesa që ishin afër Plepave dhe për të ardhur tek “Breshka”, i duhej të kalonin në këmbë zonën e “Blloku”-t nga ana e rrugës automobilistike. Edhe nga fakti se i kishin lëvizjet e kufizuara, sidoqoftë kishte nga ata që largoheshin fshehurazi kontrolleve dhe i gjeje te “Breshka”, kryesisht në orët e paradites, më pak në xhirot e darkës. Sidomos kur do të takonin të dashurat.

Por, dëshirë për të qenë tek “Breshka”, për të bërë xhiron e famshme, madje edhe në rolin e protagonistit, ishin edhe djemtë e vajzat e zyrtarëve të lartë të “Bllok”-ut. Edhe pse të “izoluar” në atë zonë, ku jetonin me familjet e tyre, ato ndjenin mungesën e një argëtimi në grup, çka i shtynte që të kalonin atë gardh të vogël metalik ndarës tek “Iliria”, dhe me hapa të shpejtë të vraponin për tek “Breshka”. Disa orë në shoqëri, pastaj kthimi i detyruar në “Bllok”. Por, edhe në mbrëmje për xhiron apo argëtimin e tek pista nuk mungonin. Natyrisht jo të gjithë, por ata më guximtarët, qejflinjtë dhe që kishin miqësi, sidomos me sportistët, artistët.

Rivaliteti midis dy qyteteve

Tiranasit apo durrsakët, kush e hapte i pari plazhin? Ajo ka enë një “garë” e paparë. Ndonëse durrsakët pretendonin se ishin të parët që hapnin sezonin për nga afërsia, konkurrenca edhe në këtë drejtin ishte e jashtëzakonshme, kur nga Tirana, me 7 mars, ‘Ditën e mësuesit’ sidomos kur ishte fundjavë, nisej grupi i djemve me: Sel Agollin, Spiro Kasharën, etj., për të inauguruar sezonin e ri, duke e shoqëruar me një zhytje në det, pamavërsisht nga kushtet atmosferike. Një ritual i përvitshëm dhe për një periudhë të gjatë kohe. (Sel Agolli dhe Ing. Spiro Kashara, ishin dy personazhe mjaft të njohur, tifozë ultras të Tironës, të cilët bashkë me një grup shokësh, e vazhduan vajtjen në plazhin e Durrësit çdo të diel, për gjatë gjithë vitit, deri nga viti 2015, kur u ndanë nga jeta).

Ndërsa durrsakët me tren, biçikleta, apo autobusin e linjës, Durrës-Plepa edhe ata do t’i shihje në plazh. Pastaj gara për modën, kush t’a sillet, shfaqte i pari atë. Durrsakët ishin më të favorizuar, pasi kishin marinarët si dhe një ‘Dyqan me komision’ në Durrës, ku gjeje veshje të sekuestruara të marinarvë. Pra në një farë mënyre ishin zotër të plazhit. Për të vijuar me garën kush noton më mirë, apo ai që bën distancën Teuta-Ilira, në orët e para të mëngjesit. Një garë e tillë nuk ishte për vajza, pasi ishin më të rezervuara, të paktën deri në fillim të viteve ‘60-të, se edhe ky raport ndryshoi.

Qendra e zërit: “Ka humbur një fëmijë….!

Edhe ajo ka qenë shumë e veçantë. Kryesisht te “Hekurudha”, ku ishte edhe Rajoni i Policisë. Përdorej për lajmërime, njoftime, kur nga një altoparlant i vendosur në në një shtyllë, dëgjohej: Vini re, vini re, ka humbur një fëmijë i moshës……! Ju lutemi kush e sheh, të njoftojë menjëherë familjen. Dhe, po nga ai rajon, kryenin shërbimin policor përgjatë bregut dy polic të veshur, të cilët, duhet të kujdeseshin për rregullin. Veçanërisht për ata që luanin në rërë, apo në breg. I merrnin topin, ja çanin, ose e çonin në rajon, dhe vështirë ta merrje më. Por, ndodhte që mjafton që dikush të njoftonte “policia”, të gjithë të linin lojën, dhe me vrap të futeshin në ujë, çka për policët ishte e pamundur.

“liria”, zona me e populluar dhe për të gjithë

Si u projektua plazhi ngjitur me rezidencat e udhëheqjes komuniste? Nga kabinat pa banjo te VIP-at e “Bllok”-ut e turistet lindore, si bëhej plazh para viteve ‘90-të te “Iliria”, kush e frekuentonte atë zonë? Me një shtrirje të gjerë e të gjatë, plazhi i Durrësit kishte disa pika, sektorë të preferuar, njëri prej të cilëve ka qenë dhe mbetet “Iliria”. Edhe sot, kështu vazhdon të njihet, por me një ndryshim të madh nga vitet e frekuentimit, pasi pak ka mbetur nga ajo kohë.

Me një emër të mitologjisë, ky sektor është i katërti në radhë pas “Teutës” e para, “Apolonisë” e “Hekurudhës”. Një zonë rreth 200 metra bregdet, “Iliria” ishte plazh popullor, më shumë për tiranasit, ndryshe nga “Teuta” dhe “Apolonia” që shfrytëzoheshin edhe nga pushues të qyteteve të tjera. “Hekurudha” mbetej qendra e preferencës me “Breshkën”, Pistën dhe “Adriatikun”, ku qëndronin të huajt.

Zona e “Ilirisë”, fillonte me Kampin e Punëtorëve, një ndërtesë tre katëshe nga lindja, në krah të rrugës kryesore e destinuar vetëm për punonjësit e dalluar dhe e ngjitur me të ‘Godina e Kuadrove’. Ndërsa veri-jug, ajo kufizohej nga dy rrugë paralele rreth 150 metra larg njëra tjetrës dhe në hapësirën midis tyre, në formë kuadrati ishin kabinat për popullsinë. “Ilirinë” e bënte të njohur edhe afërsia me “Bllok”-un, ku qëndronte udhëheqja, me të cilën e ndante formalisht një rrethim me tela, dhe ushtarët në gatishmëri e të armatosur kontrollonin gjithçka.

Pastaj vinte stacioni i Plepave, ku merrte kthesën autobuzi i linjës Durrës-Plepa, dy Konvaleshencat, ajo e Ministrisë së Brendshme dhe e Mbrojtjes, e midis tyre Kampi i Pionierëve. Të preferuara te “Iliria” ishin edhe ato pak vila të rezervuara për një elitë të zgjedhur, (vila e Myslym Pezës, Rita Markos, gjeneral-major Spiro Moisiut, etj.), pasi kishin kushte shumë më të mira se kabinat e familjarëve.

Për mirëmbajtjen e kabinave përkujdesej zyra me punonjësit administratës së plazhit, pasi çdo sektor kishte një të tillë. Për popullsinë, kabinat prej dërrase nga qendra e punës. Nuk ka shqiptar që të mos ketë kaluar një ditë, një dyjavor, apo një fund javë në kabinat e famshme te plazheve shqiptare, veçanërisht në Durrës. Dikur kabina një-ditore, pastaj 15-ditore, blloku kryesor ai në zonën e “Ilirisë”, është ndërtuar në mes-vitet ‘60-të, dhe kanë qenë prej dërrase e muri.

Kabina merrej me autorizim nga qendra e punës, dhe bashkë me të, kishe çadrën e plazhit (150 lekë), dy krevate, në mjaft raste tipike marinarësh, dyshekë e mbulesa. Ndërsa për çelësin, duhej të paguaje 150 lekë, si parapagim në rast se e humbisje, shumë të cilën merrje kur në largim e dorëzoje atë, pasi duhet ta laje e pastruar kabinën. Vite më vonë, do gjeje edhe një furnelë vajguri të Gjirokastrës, dhe për këtë arsye duhej të merrje një bidon vajguri me vete.

Kabinat prej dërrase 1-katëshe, ishin në disa rreshta horizontal e vertikal në kurriz të njëra tjetrës, me pak shkallë dhe kushtonin 2.800 deri në 3.500 lekë. Një radhë me kabina, te vetme dhe tejet e kërkuara, ishin ato në rërë, me pamje nga deti, ndërsa një grup tjetër, por në krah të njërës nga rrugët paralele, ishin ato me kurriz nga “Blloku”, ku qëndronin vetëm familjet e punonjësve, shoqëruesve të udhëheqjes.

Për mirëmbajtjen e kabinave të tyre, përkujdesej zyra me punonjësit administratës së plazhit, pasi çdo sektor kishte një të tillë. Vajtje-ardhja nga Durrësi tek “Iliria”, apo anasjelltas, kryhej me autobusët e linjës, ato fizarmonikë, gjithmonë të mbingarkuar, njerëz që shtyheshin, madje në mjaft raste autobuzat nuk ndalonin aty, ose qëndronin pak më larg dhe njerëz që vraponin për të hipur. Shpesh preferohej që me këmbë, të shkohej deri te tek Plepat, për të gjetur e marrë autobusin e lirë.

Edhe çadrat me autorizim, radhë për në banjo e ujin e pijshëm!

Në krah të rrugës automobilistike, në stacionin tradicional te “Iliria”, sapo zbrisje, thuajse ngjitur me Kampin e Punëtorëve, ishte një shesh platformë betoni, ku deri në një farë kohe janë vendosur çadrat portative të mëdha, të ngritura nga administrata e plazheve, ku qëndronin familjarë, sportistë, si një alternativë e dytë kur nuk kishe mundur të siguroje një kabinë, por edhe këto jepeshin me autorizim, sipas një planifikimi nga qendrat e punës ku punoje.

Duke qenë se kabinat, çadrat, ishin pa banjo, pranë tyre dhe në qendër të Sektorit të “Ilirisë”, funksiononte një WC e madhe publike, (në formë të rrumbullakët) për burra e gra, e vetme në të gjithë zonën e në shumë raste krijohej rrallë. Pastaj uji, i cili ishte një problem sistematik, pasi mungonte vazhdimisht, sepse furnizimi me ujë të pijshëm i kabinave, apo i zonës, ishte i pamundur. Për t’u ardhur në ndihmë pushuesve, në pika të caktuara ishin vendosur disa çezma të improvizuara-ambulante, ku në pafundësi shihje burra, gra fëmijë në radhë me bidon plastikë në dorë.

Po kështu kishte dhe pak dushe të improvizuar, që nuk funksiononin dhe në të shumtën e rasteve, pushuesit e kryenin dushin para kabinës, me ujin e ngrohur nga dielli rezervuar në legen plastikë. Çdo mëngjes, të tërhiqnin vëmendjen pushues me peshqirin në krah që nxitonin drejt çezmave, për të kryer tualetin e shërbimet personale. Për ata që nuk kishin mundësi të siguronin kabina, ose familje të cilat qëndronin më shumë se dy javë në plazh, edhe në atë zonë funksiononin shtëpitë apo dhomat e çamëve, që ndodheshin përtej shinave. Memorie.al

Dossier