Aktualitet 9 Mars 2022, 15:52

Humbja e 6-të, statuti i PD-së mbron Bashën nga dorëheqja; rruga e vetme për ta shkarkuar është mocioni i mosbesimit në

Shkruar nga Pamfleti
Humbja e 6-të, statuti i PD-së mbron Bashën nga dorëheqja;

Raporti i DASH ‘nxin’ Shqipërinë, Basha akuza Ramës: Është kthyer në mburojë të ministrave të korruptuar

Statuti i PD-së, i ndryshuar në vitin 2021 nga Berisha dhe Basha, nuk parashikon dorëheqjen e kryetarit as kur humbet zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Shkruan Adriatik Doci 

Lulzim Basha po kalon ditët më të vështira politike që kur u zgjodh në krye të Partisë Demokratike në korrik të vitit 2013, sigurisht me ‘bekimin’ e familjes Berisha. Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, Partia Demokratike me në krye Lulzim Bashën u konfirmua parti e tretë, pozicion të cilin deri më tani e kishte mbajtur Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila në këto zgjedhje u shkri në lëvizjen e Berishës. Në disfatën e Bashës ka luajtur një rol vendimtar lëvizja e Berishës dhe e Metës, e projektuar pikërisht për rrëzimin e Bashës dhe sfiduar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dy ditë pas certifikimit të rezultatit, zërat brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike, për dorëheqjen e Lulzim Bashës, janë shtuar. Tashmë gati gjysma e deputetëve demokratë kërkojnë dorëheqjen e Bashës. Kundër Bashës janë pozicionuar edhe dy mbështetësit e tij më të zjarrtë, Grida Duma dhe Ervin Salianji. Ndërkaq, në reagimin e tij të parë pas humbjes, Lulzim Basha tha se ‘nuk kishte humbur asnjë betejë në jetën e tij’, duke konfirmuar se dorëheqja nuk është në planet e tij.

Sa i takon sanksioneve statutore në rast humbje, statuti i Partisë Demokratike, i ndryshuar vitin e kaluar, nuk njeh asnjë përgjegjësi të kryetarit të partisë në rastin e humbjes së zgjedhjeve lokale, aq më tepër të zgjedhjeve të pjesshme lokale. Statuti i PD-së, i ndryshuar në vitin 2021 nga Berisha dhe Basha, nuk parashikon dorëheqjen e kryetarit as kur humbet zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Megjithatë, ka një rrugë për të shkarkuar Lulzim Bashën si kryetar i PD, që është një mocion mosbesimi në Këshilli i Kombëtar të Partisë Demokratike. Pika ‘ç’ e nenit 43 e statutit në fuqi të PD, parashikon që Kuvendi Kombëtar mund të shkarkojë kryetarin e partisë. Por, vendimi i shkarkimit nga Kuvendi i PD-së merret vetëm nëse më shumë se sa gjysma e Këshillit Kombëtar kanë votuar pro një mocioni mosbesimi ndaj kryetarit të partisë.

Pra, grupi i ri kundërshtar i Bashës në PD duhet të sigurojë fillimisht shumicën e votave në Këshillin Kombëtar dhe më pas në Kuvendin Kombëtar, për të mundësuar shkarkimin e Bashës. Por, mbledhja e Këshillit Kombëtar kushtëzohet nga vullneti i Bashës ose i Kryesisë së PD-së. Statuti i PD-së parashikon që Këshilli Kombëtar i PD-së mblidhet vetëm kur e thërret Lulzim Basha, kryesia e PD-së ose nëse mbledhjen e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të tij.

Forum Kriza në PD Lulzim Basha